Tiranë, 11 maj 2014 – Një tentativë vrasjeje ka ndodhur në një qendër tregtare në periferi të Tiranës. Një 47-vjeçar ka qëlluar me sende të forta bashkëjetuesen e tij, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Policia njoftoi se dje ka arrestuar shtetasin Gazmend Musaraj, 47 vjeç, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.
Burimet nga Policia kanë thënë se i dyshuari akuzohet për një ngjarje të ndodhur në një qendër tregtare mbrëmjen e vonë të së premtes. Autori i dyshuar i krimit kishte shkuar në këtë qendër në orët e mbrëmjes dhe pasi ka qëndruar aty për disa orë, është ulur për të konsumuar një kafe në një nga baret ku ndodhi edhe ngjarja. Dëshmitarët i kanë thënë policisë se disa minuta pasi ishte ulur në tavolinë, çifti ka pasur disa debate dhe më pas, Gazmend Musaraj ka reaguar dhunshëm.
E dëmtuar nga ngjarja ka mbetur shtetasja me iniciale Xh. F., 22 vjeçe, nga Bilishti i Korçës. 47-vjeçari e ka qëlluar me sende të forta vajzën e re duke i shkaktuar plagë të rënda, kryesisht në kokë. Vajza është rrëzuar përtokë, ndërsa personat e pranishëm kanë lajmëruar policinë në lidhje me ngjarjen.
22 vjeçarja është dërguar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa policia ndaloi autorin e dyshuar të krimit. Pas arrestimit nga policia, mësohet se i dyshuari ka pretenduar se ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër pas një debati që ka pasur me bashkëjetuesen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





