Divjakë, 11 maj 2014 – Pas rrëzimit të avionit të shtetasit italian Giorgio Riformato në Divjakë dhe ndalimit të 35 vjeçarit shqiptar Sajmir Barjami, të cilit iu sekuestruan 460 kg kabanis, efektivët e policisë në bashkëpunim edhe me një nga prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje personat e arrestuar.
Burime policore bëjnë me dije se 35 vjeçari Bajrami, i dyshuar si poseduesi i 460 kilogramë drogë që ndodheshin në makinën tip “Mitsubishi” me targa AA 794 EU, është shprehur gjatë deklaratës së tij se droga që ai kishte në makinë do transportohej me avion. Bajrami ka pranuar se avioni që ishte rrëzuar në rërë kishte ardhur deri aty për të marrë drogën.
Ndërkohë mësohet se piloti i avionit të rrëzuar, Giorgio Riformato, nuk ka pranuar që të ketë lidhje me drogën e gjetur në makinën e bllokuar vetëm pak metra më tutje avionit të rrëzuar në rërë.
Gjatë marrjes në pyetje piloti italian mësohet të ketë thënë: “Nuk kam lidhje me drogën. Kam ardhur për turizëm në Shqipëri, por për shkak të pamjes së bukur vendosa që t’i bija nga pjesa e detit. Pata një avari në avion dhe m’u desh që të ndaloja aty në rërë, sepse m’u duk vend i përshtatshëm”.
Ndërkohë në Rinas, grupi hetimor i policisë është paraqitur në aeroport mbrëmjen e së shtunës dhe ka sekuestruar dokumentet përkatëse të hyrje-daljeve të avionit, si dhe regjistrin për këto lëvizje.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





