Durrës, 10 maj 2014– Kishin përfituar nga amnistia rreth një muaj më parë, por ‘zanatin’ e vjetër nuk e kishin harruar. Dy të rinjtë nga Manza, që tentuan në orët e vona të mbrëmjes së të premtes të vidhnin xhiron ditore të një bar-restoranti në Bashkinë e Manzës, ishin të njohur për forcat e rendit. Pavarësisht moshës së re, ata ishin dënuar më parë për grabitje dhe kishin lënë qelitë, vetëm pak kohë më parë.

Prindërit e Bledar Meçes (ne foton poshte), 24 vjeçarit që u dhunua nga Izmir Allçi dhe Romario Shehi, përkatësisht 21 dhe 17 vjeç, deklarojnë se nëse dy grabitësit do të lirohen sërish ata do të hakmerren.

Muhamet dhe Zoje Meçe falenderuan efektivët e policisë dhe Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për prangosjen e shpejtë të dy autorëve të tentativës së grabitjes, por njëkohësisht kërkuan nga drejtësia që të veprojë dhe të mos tolerojë më elementët kriminalë.

Bledar Meçe u dhunua një natë më parë nga dy të rinjtë, të cilët pasi i kërkuan xhiron ditore dhe hasën në kundërshtimin e 24 vjeçarit e kanë goditur këtë të fundit me qytën e pistoletës në kokë dhe fytyrë duke i shkaktuar lëndime të shumta.    

Pas kësaj, dy të rinjtë Allçi dhe Shehi u larguan me të shpejtë nga vendngjarja, për t’u fshehur në një arë aty pranë, ku dhe u prangosën nga efektivët e rendit.

“U bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Izmir Allçi, 21 vjeç dhe Romario Shehi, 17 vjeç, banues në Manëz. Dy shtetasit në fjalë, rreth orës 23.40 të datës 09.05.2014, në Manëz, kanë shkuar në lokalin Bar-Restorant administruar nga shtetasi B.M., 26 vjeç dhe nën kërcënimin e një pistolete kanë tentuar të vjedhin shumën e xhiros ditore duke goditur me qytë pistolete në kokë e fytyrë shtetasin në fjalë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Një pjesë e mirë e strukturave dhe shërbimeve në Policinë e Shijakut u angazhuan menjëherë pas kësaj ngjarje në drejtim të grumbullimit të të dhënave që do t’i shërbenin hetimit dhe zbardhjes së saj. Kjo punë bëri që të arrihej në identifikimin e shtetasve të përfshirë dhe më pas kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të tyre.",- thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/