Durrës, 10 maj 2014– Teuta ka fituar 1-3 në Shkodër, por është Laçi që shkon në Europë, ndërkohë që durrsakët kanë vetëm një shans për të arritur Europën dhe ky shans është vetëm fitorja e Kukësit të Kupës së Shqipërisë.
Pjesa e parë në Shkodër ka përfunduar me fitoren e shkodranëve 1-0 me gol të shënuar nga Kruja në të 37. Me fillimin e pjesës së dytë janë durrsakët e kanë kthyer tërësisht ndeshjen duke shënuar dy gola të shpejtë me Jakupin dhe me Xhafajn, por ky rezultat ka sjellë edhe irritimin e tifozerisë shkodrane që kontestuan rëndë Vllazninë duke e akuzuar për tolerim.
Ky reagim i tifozerisë u shoqërua edhe me hedhjen e shumë sendeve të forta në fushë, por pas një ndërprerje prej tre minutash ndeshja rifilloi sërish dhe të dyja skuadrat kanë një ritëm të ulët, ndërkohë që në fund të ndeshjes Samb vulos fitoren e Teutës 1-3, fitore që gjithsesi nuk i mjafton Teutës pasi fitores që arrin Laçi në Korç.
Tashmë durrsakët i mbajnë sytë nga Kukësi, i cili në rast se fiton Kupën e Shqipërisë do të bëjë që edhe durrsakët të arrijnë Evropën.
Mbyllet Kategoria Superiore
Kategoria Superiore mbyllet me rezultate të pritshme, por edhe me bojkot. Skënderbeu, ashtu siç pritej, e mbyll kampionatin me humbje ndaj Laçit, por me festë të madhe për mbrojtjen e titullit. Në këtë festë kanë gëzuar edhe kurbinasit e Stavri Nicës, që kanë marrë tri pikë me mjaft vlera në qytetin juglindor, duke siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në “Roza Haxhiu”, të kuqtë e Partizanit kanë fituar dy penallti dhe nga disavantazhi 2-0 kanë arritur ta mbyllin me fitore 3-2.
Ndoshta më “e nderuar” ka dalë Besa nga java e 33-të, që nuk ka pranuar të bëhet pjesë e një maskarade të paralajmëruar, duke bojkotuar transfertën me bardheblutë. Këta të fundit kanë festuar me tifozët e vet mbijetesën si të kishin fituar një trofe, ndërsa i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur Elvis Sina. Flamurtari nuk ka vuajtur shumë për ta ngjitur “maloren e Krujës”, sepse skuadra e Nevil Dedes nuk kishte asnjëlloj motivimi për të bërë qëndresë. Duke qenë se ka rënë një kategori më poshtë, Kastrioti i ka dhënë lamtumirë Superiores me një humbje para tifozëve të paktë.
Java e 33-të, Kategoria Superiore
SKËNDERBEU-LAÇI 1-2
Golat: Pejic 22′ / Kehinde 7′, Adeniyi 34′
Gjyqtarë: E.Jorgji, R.Cokaj, R.Preca
LUSHNJA-PARTIZANI 2-4
Golat: Canka 51′, 57′ / Nexhipi 61′ (pen), 81′ (pen), Krasniqi 71′, Vatnikaj 89′
Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Rexha, G.Qirici
VLLAZNIA-TEUTA 1-3
Golat: Kruja 37′ / Jakupi 48′, D.Xhafaj 50′, Samb 90′
Gjyqtarë: L.Jemini, E.Barushi, R.Avdo
KASTRIOTI-FLAMURTARI 1-3
Golat: Manuka 9′ / Abilaliaj 33′ (pen), 54′, Licaj 62′
Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, E.Pashaj
TIRANA-BESA (nuk po luhet)
Gjyqtarë: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova
BYLISI-KUKËSI (0-3 në tavolinë)
Besa proteston me bojkot
Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka vendosur ta shpërndajë ekipin dhe të mos e respektojë javën e fundit të kampionatit. Besa nuk ka qenë e pranishme në kryeqytet për t’u përballur me Tiranën, në kuadrin e javës përmbyllëse të Superiores, veprim të cilin e konsideron si njëlloj proteste karshi padrejtësive që i janë bërë Besës, në këtë kampionat. Kreu i klubit verdhezi mendon se rënia e të tijve një kategori më poshtë është fryt i gjykimeve haptazi kundër Besës, ndaj edhe do ta bojkotojë përballjen me bardheblutë.
“Besa ka vendosur ta bojkotojë ndeshjen me Tiranën në shenjë proteste ndaj “bluzave të zeza”, që na ndëshkuan qëllimisht në takimet e fundit ndaj Parizanit, Skënderbeut, Laçit dhe Vllaznisë. Ata na kanë mohuar disa 11-metërsha dhe një gol në Korçë,”– thuhet në njoftimin e klubit kavajas, shpërndarë për gazetarët lokalë mesditën e së shtunës.

Skënderbeu feston titullin e katërt
Skënderbeu ka festuar së bashku me tifozët e vet titullin e katërt radhazi kampion. Prej vitit 1933, kur bëri të vetin titullin e parë, skuadra korcare do të priste për shumë kohë që të rikthehej në këto “valenca”. Afrimi i disa donatorëve, me në krye Agim Zeqon fillimisht, pastaj me Ardian Takajn president, bëri që kuqebardhët juglindorë të rikthehen fuqishëm dhe dominues në futbollin shqiptar. Qysh në sezonin 2010-2011 ata janë “padronë” të Superiores, duke bërë “poker” me titujt e fituar. Me të drejtë, prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport” e konsideronte skuadrën e trajnerit Mirel Josa si “Ajaksi i vogël i Shqipërisë”. “4 tituj radhazi, si holandezët e famshëm nga Amsterdami. Ngjyrat bardhekuqe në fanellë janë një tjetër e përbashkët, por gjithashtu edhe sukseset radhazi. Të parin titull e fitoi në vitin e largët 1933. Më pas, gati një shekull më vonë, vjen “pokeri” i artë, fryt i menaxhimit të shkëlqyer nga ana e presidentit Ardian Takaj, i cili vijoi punën e mirë që kishte bërë paraardhësi i tij Agim Zeqo. Klubi pati një siguri dhe një mbështetje financiare që nuk kishte të krahasuar me asnjë tjetër në Shqipëri. Kundërshtarëve u ngelën thërrimet, megjithëse Skënderbeu pësoi një krizë në muajin prill teksa në pesë ndeshje pësoi katër humbje. Ishte një kolaps i shkurtër që nuk ia prishi planet Josës, ish-trajner i Tiranës dhe i Vllaznisë. Gjithçka u vulos në ndeshjen direkte me Kukësin pak ditë më parë, ku barazimi 3-3 kurorëzoi matematikisht Skënderbeun si kampion të Shqipërisë.”
Katër ekipet që u rrëzuan një kategori më poshtë
Bylisi ishte i pari që e mësoi fatin e vet të keq të rënies një kategori më poshtë. Në fakt, ai u përjashtua dhe u zbrit direkt në Kategorinë e Parë nga Disiplina, pas incidenteve që shoqëruan ndeshjen me Lacin në javën e 24-t. Prej atij “stacioni” të garës e deri në fund, të gjithë kundërshtarët i morën 3 pikët në tavolinë, ndërsa skuadra mallakastriote mori “pushimet e parakohshme”. Pas ballshiotëve u zyrtarizuan lushnjarët si skuadra e dytë që zbresin nga Superiorja, pothuajse në të njëjtën kohë me krutanët. Mbetej të mësohej emri i katërt për të kompletuar “pokerin’, sikurse e kërkonte skema e paracaktuar e kampionatit aktual dhe atij të ardhshëm. Një javë para se të mbyllej kampionati kjo dilemë mori një përgjigje gati shterruese, edhe pse jo përfundimisht matematikore. Barazimi i Besës në shtëpi me Vllazninë hodhi në erë shanset e kavajasve për të mbetur në elitë. Kjo disfatë çoi në shpërbërjen e parakohëshme të skuadrës, e cila nuk u paraqit ndaj Tiranës, në një ndeshje që po të fitonte mund të priste ndonjë dhuratë nga Kruja apo Shkodra. Sepse humbja e Flamurtarit apo e Vllaznisë dhe marrja e tri pikëve të verdhezinjve në kryeqytet i shpëtonte këta të fundit. Mirëpo, Besa nuk preferoi të luante fare në finish të garës, duke akuzuar e mallkuar permes gojës së Bizhdilit aleancat e gjëra të tjera të këtij lloji, që futbolli shqiptar i ka me shumicë.
“Këpuca e Artë” Pero Pejic
Kryegolashënuesi i Superiores del nga gjiri i skuadrës kampione. Pero Pejic është “Këpuca e Artë” e kampionatit që u mbyll këtë të shtunë, me 20 golat e shënuar prej tij. Të gjithë të realizuar nga aksione të ndryshme, asnjë me penallti, cka i jep më tepër vlera këtij suksesi personal të gjigandit kroat. Ai ka mbajtur mbi supe peshën kryesore të ofensivës së kuqebardhëve, duke qenë përcaktues dhe vendimtar në mjaft ndeshje, si edhe në mbrojtjen e kurorës së kampionit. Nga 12 gola që shënoi në kampionatin e shkuar, po me Skënderbeun, kësaj here e përmirëson “shënjestrën”: 20 gola. Ai ka provuar të luajë më herët edhe me skuadra të tjera, si me Flamurtarin në sezonin 2011-2012, ku shënoi 9 gola, ndërkohë që ka veshur edhe fanellën e dy skuadrave kryeqytetase. Fillimisht me Dinamon, ku fitoi për herë të parë titullin kampion në Shqipëri, në edicionin 2007-2008 me Dinamon (shënoi plot 24 gola), dhe me Tiranën, në sezonin 2010-2011 (shënoi 14 gola). Në karrierën e vet, përvec skuadrave shqiptare, ku edhe ka shlëqyer, Pero Pejic ka provuar të luajë edhe me Vrbovec, Croatia Sesvete dy herë, Slaven Belupo, Kapfenberger SV dhe Al-Faisaly.

Situata disiplinore
Ky kampionat do të mbahet mend për problemet jo të vogla disiplinore. Të cilat kulmuan në Ballsh, në ndeshjen Bylis-Laci, në kuadrin e javës së 24-t, cka e detyroi Disiplinën ta përjashtonte automatikisht skuadrën mallakastriote nga Superiorja dhe ta zbriste një kategori më poshtë. Po ashtu, pezullim përjetë nga futbolli shqiptar dha ky organ juridik i FSHF-së për presidentin Besnik Kapllanaj, i cili goditi shefin e sektorit të garave, Besnik Cela. Ky ishte një moment delikat edhe për garën, sepse e prishi atë në pjesën e mbetur të kampionatit. Skuadrat e planifikuara për të luajtur me Bylisin nga java e 25-të deri në fund i morën tre pikët në tavolinë, ndërsa të tjerat kishin djersitur për t’i siguruar ato, ose jo, në fushën e blertë. Tjetër rast ndëshkimi disiplinor në këtë kampionat është ai i Flamurtarit, të cilit iu hoqën tri pikë pas ndeshjes me Skënderbeun në Vlorë. Goditja e presidentit Ardian takaj nga një tifoz në tribunën VIP bëri që Disiplina të “krasiste” llogarinë e pikëve të kuqezinjve, cka klubi vlonjat e ka “qarë” deri në fund. Një masë e tillë u mor edhe për Kukësin në një moment të kampionatit, por ishte Apeli, ai që revizionoi gjithcka.
Kartonët
Sa u takon kartonë të verdhë të marrë nga lojtarët, “kampion” është Liridon Ibrahimi i Partizanit me 11 të tillë, por edhe dy kartonë të kuq, ndërsa pas tij vjen Alban Byzhyti me 12 të verdha dhe një të kuq. Albi Llënga i Bylisit ka po ashtu 11 kartonë të verdhë e një të kuq, ndërsa Caca i Kastriotit dhe Gjyla i Lushnjës kanë nga 10 të verdha.
Ngjitet Elbasani dhe Apolonia në Superiore
Dy skuadra me traditë dhe me trofe të fituar janë rikthyer në elitën e futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Elbasanin, që i mungonte Superiores prej tri edicionesh, dhe Apoloninë, që luajti në të Parën vetëm edicionin që u mbyll këtë të shtunë. Skuadra fierake, që ngjitje-zbritjet nga “salloni” i më të mirëve të futbollit tonë i ka pasur të shpeshta, ka provuar të fitojë Kupën e Shqipërisë në sezonin 1997-1998, ndërsa ajo elbasanase ka në “palmaresin” e vet 2 tituj kampioni (sezonet 1983-1984 dhe 2005-2006) por edhe dy Kupa të Shqipërisë (edicionet 1974-1975 dhe 1991-1992). Pra, ato janë një vlerë e shtuar e Superiores në edicionin e ardshëm, që do të luhet me 10 ekipe dhe katër faza.
Verdiktet e sezonit
1. Skënderbeu është kampion për sezonin 2013- 2014.
2. Bylisi i përjashtuar, Besa, Lushnja dhe Kastrioti kanë zbritur automatikisht në Kategorinë e Parë. Sipas skemës së paracaktuar, klubet e renditura në vendet 9, 10, 11 dhe 12 bien menjëherë nga Kategoria Superiore.
3. Sezoni 2014-2015 do të jetë me 10 ekipe. Nga Kategoria e Parë janë ngjitur në Superiore nga ky sezon, Elbasani dhe Apolonia.
Kupat e Europës
1. Klubi kampion për sezonin 2013-2014 (Skënderbeu), do të marrë pjesë në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve.
2. Klubi që shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.
3. Kukësi do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.
4. Laçi do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.
5. Nëse klubi i renditur në vendin e dytë në klasifikimin përfundimtar të kampionatit fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë Teuta do të marrë pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





