Tiranë, 10 maj 2014 – Gjatë konferencës për shtyp nga Ministria e brendshme, ministri Saimir Tahiri ka deklaruar se rreth orës 14.40 një avion i vogël është ulur në Divjakë.
Avioni ishte nisur nga aeroporti i Rinasit në orën 13.26 dhe kishte si destinacion Italinë (ne foton poshte).
Policia ka ndaluar drejtuesin e avionit, një shtetas italian, Giorgio Riformato. Kjo ishte hera e parë që ky avion ulet në Shqipëri. Sipas shtetasit italian, ulja e avionit ka qenë e detyruar, ndërkohë që mjeti fluturues ka qenë bosh.
Njëkohësisht ministri Tahiri ka konfirmuar se është ndaluar edhe një shtetas shqiptar, Sajmir Bajrami, i cili drejtonte një automjet tip Mitsubishi, targa AA794 EU, në të cilin ndodheshin rreth 460 kg hashash (ne foton poshte).
“Sapo jam informuar se është arrestuar drejtuesi i mjetit tip ‘Mitsubish’ Sajmir Bajrami 35 vjeç, ka jetuar në Itali dhe ka mbërritur në Shqipëri prej pak ditësh. Në mjeti u gjetën 460 kg hashash”. Ministri nuk komentoi nëse droga që ndodhej në mjet do të ngarkohej në avion, por tha se hetimet për ngjarjen vijojnë.
Bajramit i janë sekuestruar nga policia edhe 27 mijë euro që kishte me vete. Mësohet se ky shtetas kishte dy ditë që ishte kthyer në Shqipëri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





