DURRËS, 10 maj 2014 – Fundjavë mbarëshqiptare, tani kosovarët vijnë në plazhin e Durrësit për të thithur jod dhe pushuar këndshëm, ndonëse moti është ende i freskët.
Autostrada që e shkurton dukshëm kohën e udhëtimit nga Prishtina në Durrës, por edhe ndërprerja e shkurtër e shirave ka bërë që të tundohen me kryeqendrën e turizmit, jo vetëm kryeqytetas të shtetit amë, por edhe banorë të Kosovës dhe Maqedonisë.
Gazetari i njohur Aleks Kalemasi ka fiksuar momente relaksimi të disa dhjetëra kosovarëve që kanë zbarkuar të shtunën më 10 maj 2014 në rërën e Durrësit, madje, shumë prej tyre jo vetëm janë zhveshur për të shijuar rrezet e diellit, por kanë guxuar të futen në ujë.
Në Kosovë ndiqen me kureshtje lajmet për stinën verore turistike, sidomos për investimet në infrastrukturë.
Përgjithësisht pushuesit rishtarë janë të kënaqur me gjendjen aktuale, por sugjerojnë përmirësime të mëtejshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





