Itali, 10 maj 2014 – Fati i Clarence Seedorf duket i vendosur pavarësisht rezultateve apo dhe fitores në derbin me Interin, pasi është pikërisht Silvio Berlusconi që i zhgënjyer nga disa sjellje të trajnerit që ashtu siç pëshpëritet ka bërë gabimin që të mos marrë parasysh sugjerimet e presidentit të Milanit për formacionin apo rreshtimin taktik të skuadrës.

Nuk ka shpjegim tjetër një batutë e rëndë e padronit të klubit kuqezi që në ditën e tij të parë të shlyerjes së dënimin që ka marrë nga drejtësia italianë për të punuar për një vit në shërbimet sociale lëshoi një mesazh të qartë që ushqen zërat për një ambient kuqezi në kaos. Berlusconi ishte në Institutin Familja e Shenjtë të Cesano Boscones, i cili ju jep ndihmë personave të paaftë fizikisht dhe psikologjikisht si dhe të moshuarëve dhe atyre me aftësi të kufizuara. Pas kryerjes së shërbimit gjatë një regjistrimi për emisionin “Iceberg” në “TeleLombardia” Berlusconi deklaroi:

“Aty takova shumë njerëz që mund të menaxhojnë shumë mirë dhomat e zhveshjes dhe që do të ishin të dashur nga futbollistët”.

Batuta therëse është e qartë që i referohet pikërisht trajnerit aktual të Milanit, edhe pse ndërsa dilte nga regjistrimi Berlusconi u përpoq të justifikohej duke dribluar pyetjet mbi futbollin duke u përgjigjur në këtë mënyrë.

“Po flasim për politikë, Milani hyn në një zonë tjetër që i përket gjërave të shenjta. Më pyesni për Seedorf? Nuk jam aq i zoti sa të kaloj nga një argument në tjetrin”.

Një tjetër batutë e rëndë ajo e Berlusconit që i jep një tjetër goditje Clarenc Seedorf, fati i të cilit me sa duket është i vendosur, vetëm një ditë pasi kishte shpenzuar publikisht elozhe për trajnerin e Fiorentinës, Vicenzo Montella.

Në të vërtetë edhe Luciano Spallleti duket një emër i fortë në axhendën e Milanit, por për të duhet zgjidhur nyja e shpërblimit për largimin nga Zeniti i Shën Pjetërburgut.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/