Tiranë, 10 maj 2014 – Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka folur në lidhje me reformimin e institucioneve të gjyqësorit.
Gjatë fjalës së tij, Naço theksoi se, atje ku nuk ka drejtësi nuk ka sundim të ligjit. Duke folur për sfidat që ka përpara drejtësia shqiptare, ministri nënvizoi luftën kundër korrupsionit në gjyqësor.
“Në një vend ku nuk ka drejtësi nuk ka as sundim të ligjit. Të gjithë jemi dëshmitarë të një sistemi drejtësie të brishtë dhe të një klime mosbesimi nga ana e qytetarëve. Është e rëndësishme që kjo situatë të pranohet si realitet që duhet ndryshuar. Për t’i dhënë dimension të ri më të plotë u miratua paketa antikorrupsion. Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor është një nga çështjet prioritare të sistemit të drejtësisë, megjithatë ajo ka bërë progres të kufizuar”,– deklaroi Naço.
Ministri përmendi edhe një sërë reformash në drejtësi. Ai vuri theksin te reformimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Por, mbi të gjitha për ministrin, prioritare qëndron reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Ndërkohë nënkryetari i KLD-së Elvis Çefa u shpreh se KLD ka bërë përpjekjet maksimale për të promovuar gjyqtarët më të mirë. Ai theksoi se transferimet dhe lëvizjet e gjyqtarëve bëhen duke u vlerësuar profesionalisht. Në të njëjtën kohë ai theksoi faktin se KLD mbështet çdo reformë konstruktive, por kërkoi që ato të mos kthehen në pseudoreforma që kanë për qëllim përbaltjen e gjyqësorit.
“KLD ka bërë maksimumin për të promovuar gjyqtarët më të mirë. Është fakt i pa mohueshëm që çdo transferim është bërë duke e vlerësuar profesionalisht. Ka vetëm një pakt atë të respektimit të ligjit duke mos bërë pakt me askënd në kurriz të askujt. Për herë të parë është publikuar lista e përgjithshme e gjyqtarëve. KLD mbështet dhe do të mbështesë çdo reformë konstruktive. Çdo reformë që shkon në këtë drejtim është e domosdoshme. Nuk mund të pajtohemi me pseudoreforma që kanë për synim përbaltjen e sistemit dhe gjunjëzimin e tij. I qëndrojmë pikëpamje sonë se marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit. Çdo kontribut për të ndihmuar gjykatat për t’ia bërë jetën më të lehtë njerëzve do të përkrahen nga KLD”,- tha Çefa.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





