Tiranë, 10 maj 2014 – Drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha, është pezulluar nga detyra pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e së martës me dy punonjës të Policisë Rrugore.
E përditshmja “Panorama” shkruan se ndaj tij ka nisur edhe procedim penal me akuzat “kanosje, fyerje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Ndonëse ngjarja ka ndodhur më 6 maj, të dyja këto vendime rezultojnë të jenë marrë të enjten, pasi u publikua në media incidenti i ndodhur mes Hoxhës dhe dy rrugorëve, për shkak se makina e tij rezultoi me targa false.
Nga verifikimi i pamjeve filmike janë provuar me zë dhe figurë shkeljet e kryera nga shefi i Antikorrupsionit. Nga ana tjetër, është vërtetuar se dy efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës, Edmond J. dhe Viltjon B., kanë vepruar me profesionalizëm në zbatim të plotë të ligjit dhe i janë përmbajtur etikës, ndonëse kjo nuk ka ndodhur nga ana e Ergys Hoxhës. Në një sekuencë filmike të regjistruar nga kamera e makinës së policisë janë mjaft të qarta fyerjet, kërcënimet se do t’i hiqte nga puna, por edhe kundërshtimi që Hoxha u ka bërë dy efektivëve. Në një kohë që zyrtari i Kryeministrisë lëshonte ndaj tyre një lumë fyerjesh nga më banalet, dy efektivët qëndronin indiferentë duke iu përgjigjur me “faleminderit”.
Të gjitha këto, por edhe veprime të tjera të regjistruara, kanë qenë prova të pakontestueshme, të cilat kanë plotësuar kallëzimin që dy efektivët kanë bërë ndaj Ergys Hoxhës. Për këtë arsye është vendosur pezullimi i tij nga detyra dhe ka nisur hetimi në gjendje të lirë.
Drejtori i Departamentit të Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha u përfshi dy ditë më parë në një konflikt me dy punonjës të policisë rrugore. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 6 maj, rreth orës 22:10 kur dy efektivët e policisë kanë konstatuar mjetin tip Audi A5 me ngjyrë të bardhë, të parkuar gabim në zonën pranë urës së Brrylit.
Gjatë verifikimit të targës së mjetit me sallën operative të Komisariatit Rrugor ka rezultuar që targa AA 375 DB, të cilën e mbante mjeti tip Audi, rezultonte se në sistem i korrespondonte një mjeti tjetër, tip Fiat Punto ngjyrë gri, me pronar një shtetas nga Laçi.
Burime nga Policia Rrugore e Tiranës thanë se në momentin e incidentit, pasi i është komunikuar që targat e mjetit “Audi” ishin false dhe i përkisnin një tjetër makine, Hoxha ka tentuar të ngrejë një alibi. Ai ka pretenduar se makinën e kishte të parkuar dhe targat mund t’i jenë ndërruar aty, pasi në lejen e qarkullimit ishte e shënuar targa e rregullt e mjetit.
Madje, sipas burimeve policore, njërit prej efektivëve Hoxha i ka përplasur në fytyrë kartonin e tij të identifikimit me logon “Kryeministria”. Debati është i filmuar dhe regjistruar i plotë nga sistemi i kamerave, i instaluar disa ditë më parë në mjetet e policisë rrugore, një risi kjo e Ministrisë së Brendshme. Në këto momente efektivët kanë kërkuar nga salla ndihmën e grupit të gatshëm, i cili është kthyer në mes të rrugës, pasi në vendngjarje ka mbërritur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Ervin Hoxha, mik i afërt i drejtorit të Antikorrupsionit.
/gazeta “Panorama”/





