Tiranë, 10 maj 2014 – Ish-kryeministri Berisha dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, janë deputetët, të cilëve u janë mbajtur që nga fillimi i kësaj legjislature një pjesë e pagesave të deputetit. Asnjë prej tyre nuk është paraqitur në mbledhjet e komisioneve të përhershme.
Përmes një hulumtimi, Portali Albeu mëson se ish-kryeministri Berisha nuk figuron në asnjë prej listave të përbërjes së komisioneve të përhershme parlamentare, ndërsa ish-kryetarja Jozefina Topalli figuron në Komisionin e Jashtëm, por që faktikisht nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje.
Ish-kryeministri Berisha ka thyer edhe Rregulloren e Kuvendit. Ai nuk figuron i regjistruar në asnjë komision dhe kjo dallohet qartë nëse kontrollohet përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare.
Por neni 20 i Rregullores së Kuvendit e bën të detyrueshëm pjesëmarrjen në së paku një komision, të paktën formalisht, raporton Albeu..
“Në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme. Si rregull, deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit





