·        Eksporte-importe sekrete në vitet 2006-2013 Shqipëri-Iran-Shqipëri, Ukrainë-Shqipëri-Liban kur ministër mbrojtjeje ka qenë z. Fatmir Mediu dhe për trafikun e armëve Mali i Zi-Shqipëri-Gjeorgji dhe Shqipëri-Libi, kur në krye të dikasterit qëndronte z. Arben Imami

·        Me cilësinë e dëshmitarit mund të pyeten doganierë të Durrësit; ushtarakë; punonjës dhe drejtues civilë të kombinatit mekanik të Poliçanit, uzinës mekanike së Gramshit, uzinës së lëndëve plasëse të Mjekësit në Elbasan; ish-Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa; ish-kryetari i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve Ushtarake Erald Dervishi etj.

DURRËS, 9 maj 2014 –  Porti i Durrësit është përdorur për eksporte-importe sekrete armësh në vitet 2006-2013, burime nga Akuza e Durrësit bëjnë të ditur jozyrtarisht se po hetohet për trafik armësh dhe lëndësh plasëse Shqipëri-Iran-Shqipëri, Ukrainë-Shqipëri-Liban kur ministër mbrojtjeje ka qenë z. Fatmir Mediu dhe për trafikun e armëve Mali i Zi-Shqipëri-Gjeorgji dhe Shqipëri-Libi, kur në krye të dikasterit qëndronte z. Arben Imami.

Në dosjen voluminoze të Gërdecit ka dokumente, që nuk janë paraqitur nga ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama para gjykatës, duke u kufizuar vetëm në shpërthimin në fabrikën e demontimit dhe anashkaluar trafiqet.

Të ndodhur në trysninë e ashpër të qeverisë dhe PD-së, hetuesit nuk kanë arritur të kontrollojnë të gjitha dokumentet e sekuestruara në kompaninë shtetërore të eksport-importeve ushtarake MEICO, që komprometojnë rëndë ministrinë e Mbrojtjes për import-eksport lëndësh plasëse të fuqishme me Iranin, që janë përdorur më vonë nga organizata terroriste.

Po ashtu janë hedhur dyshime për bashkëpunimin me Ukrainën në blerje dhe rishitje raketash supi në Liban, të cilat janë përdorur nga militantët anti-izraelitë të Hezbollahut.

Shtypi amerikan ka fotografuar arka me armatime shqiptare në ditët e fundit të diktatorit libian Gedafi, kur ministër ishte z. Arben Imami, tejet i përfolur nga ish-opozita për një sërë aferash të paligjshme.

Shërbimet sekrete amerikane janë të shqetësuara për një takim në vitin 2007 në mjediset e Ministrisë të zotit Mediu me një grup ushtarakësh nga Koreja komuniste e Veriut, që vërtetohet nga një dokument në dosjen e Gërdecit. 

Me cilësinë e dëshmitarit mund të pyeten doganierë të Durrësit; ushtarakë; punonjës dhe drejtues civilë të kombinatit mekanik të Poliçanit, uzinës mekanike së Gramshit, uzinës së lëndëve plasëse të Mjekësit në Elbasan; ish-Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa; ish-kryetari i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve Ushtarake Erald Dervishi etj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/