Nga Vali Qyrfyçi

Durrës, 9 maj 2014 – Raporti i parë mbi reformën për arsimin e lartë është kundërshtuar hapur nga stafet akademike të fakulteteve të universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Atmosfera tejet e tensionuar, e krijuar nga paqartësia e të ardhmes së disa prej fakulteteve të këtij universiteti, dhe debati kanë karakterizuar diskutimin teknik të raportit mbi arsimin e lartë. Pas Tiranës, Durrësi është qyteti i parë universitar ku është ndalur diskutimi mbi raportin e hartuar nga Komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor që i prin reformës që do të ndërmerret nga Qeveria për ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. Por a janë ato të duhura? Reforma sugjeron rrudhjen e universiteteve në rrethe dhe profilizimin e tyre në funksion të nevojave të zhvillimit rajonal. Pedagogët e Durrësit konstatuan se reforma cënon autonominë e universiteteve, i kthen institucionet e arsimit të lartë në fondacione në kërkim të fondeve për t’u financuar, si dhe mban qëndrimin diskriminues, përjashtues ndaj universiteve në rrethe. Gjatë debatit u  theksua se reforma cënon parimet bazë të konkurencës së lirë dhe barazisë në financim. Në përgjigje të shqetësimit për subvencionim nga shteti të Arsimit të Lartë, Besnik Aliaj, anëtar i Komisionit tha se vendi është në reçesion dhe Qeveria nuk mund të akordojë më shumë se 40 milion euro për arsimin, madje dhe më pak se kaq, dhe kjo rezulton nga raporti Tomson i hartuar gjatë qeverisë Berisha, bazuar në situatën e buxhetit të shtetit dhe nevojat e universiteteve për më shumë mbështetje. Me afro 17 mijë studentë, universiteti i Durrësit, në bazë të sugjerimeve të raportit rrezikon, përveç sistemit part-time, edhe mbylljen e shumë programeve të tij. Universitetet e Durrësit, Shkodrës, Vlorës etj. sugjerohet të profilizohen në programe që ndikojnë dhe në zhvillimin rajonal, ndërsa degë të konsideruara elitare, si juridiku dhe ekonomiku, përmes mos mbështetjes me financim nga shteti, synohet të përqëndrohen në Tiranë. Si një produkt i nisur që në vitet '90, reforma konsiderohet në vazhdën e përpjekjeve për të arritur standartet e kërkuara në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe mënyrë për të disiplinuar zhvillimin kaotik e jo cilësor të arsimit të lartë në vend, ndonëse raporti nuk shprehet qartë për rritjen e cilësisë dhe shmangien e korrupsionit, dy nga problemet më shqetësuese sot. Pedagogë të Juridikut dhe Ekonomikut kanë replikuar më shumë mbi raportin, mbi bazën e të cilit këto degë konsiderohen elitare dhe duhet të jenë vetëm në Tiranë.

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike në përballjet e tij me KALKSH theksoi se Komisioni i hartimit të kësaj reforme nuk është gjithëpërfshirës dhe kjo pengon realizimin e një analize të thellë, efikase, e cila nga ana tjetër ul probabilitetin për gjetjen e zgjidhjeve efikase. Në komision nuk ka asnjë përfaqësues të universiteteve rajonale. Lidhur me parimin financiar që cënohet, sipas stafit të UAMD-së, është theksuar se nga reforma, që rrezikon të nxisë në mënyrë krejt fiktive, kthimin e universiteteve private si gjoja “jo fitimprurëse” duke rrezikuar dhe hapje të institucioneve arsimore për pastrim parash dhe nga individë të dyshimtë, do të favorizohen universitetet private përmes Agjencisë kombëtare të financimit të Arsimit të Lartë. Është kundërshtuar fort edhe ndalimi i dypunësimit të pedagogëve, që mund të çojë në largimin e stafeve akademike drejt universiteteve private me një nivel më të lartë pagesash, si dhe rekrutimi i stafit akademik nga një staf menaxherial. Në Durrës u kërkua që dhe pse universitetet rajonale duhet të kenë në fokus zhvillimin e rajonit, përmes programeve të studimit, të mos pengohen të ofrojnë edhe programe të tjera studimi, për sa kohë ato janë cilësore dhe plotësojnë standardet e vendosura. 

Anëtarët e komisionit vlerësuan ecurinë e universitetit të Durrësit në këto 8 vite histori të tij dhe ndaj reagimit të pedagogëve shpesh deklaruan se raporti është keqkuptuar në disa çështje, gjë që ka shkaktuar dhe ilaritet në sallë.

 

Sugjerimet e FSHPJ-së

– Nëse vendoset të zbatohet parimi i konkurrencës së lirë, atëherë edhe tarifat e IAL-ve private duhet të ulen dhe të barazohen me nivelin e publikut. Universitetet private mbeten të shtrenjta për shumicën e popullsinë. Çmimi i tyre bazohet në kosto të larta që paguajnë për pedagogët. Nëqoftëse ulin çmimin edhe rendimenti i tyre do të jetë më i ulët. Kështu që ai nuk mund të paraqitet si shërbim publik, i cili duhet të jetë në interes dhe i arritshmëm në kosto nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, ndryshe do të përbënte pengesë në akses në bazë të meritës. IAL private, mbeten fitimprurje privatëve. Për të shtuar se stafi akademik privat në qoftë se merr fonde shtetërore thjesht do të kontribuojë në promovimin e emrit të vet dhe jo të shoqërisë taksapaguese. Deri më sot kanë pasur fitim, por nuk kanë investuar në shkencë, apo bërë një projekt konkret. Kështu që kontributi në pothuaj vetëm taksa shtetit nuk e bën atë shërbim publik.

– Ёshtë e vërtetë që janë lejuar të hapen një numër shumë i lartë universitetesh. Si fakt, që ka një numër të madh, qëndron, por qëndron edhe fakti tjetër se, nëse janë hapur tashmë, zgjidhja e problemit nuk do të ishte një ndryshim drastik, i cili në pothuaj të gjitha rastet sjell efekte negative dhe problematike, që në rastin konkret do të rezultojë me një numër shumë të lartë stafi akademik, stafi administrativ të papunë, ashtu si edhe një numër të madh studentësh dhe familjet e tyre të çorientuara. Kështu që, nëse u lejuan të hapen, atëherë duhet “deal with it”. Të gjendet një zgjidhje jo duke penalizuar me transformim radikal, por mund të zgjidhet duke i lënë të lirë të konkurrojnë në treg me njëri-tjetrin (pra, të respektohet një nga parimet bazë e këtij raporti), duke rregulluar aspektin ligjor dhe forcuar zbatueshmërinë e kësaj konkurrence. Dhe në këtë pikë, siç ka treguar edhe vetë tregu me firma dhe biznese, edhe universitet do të dalin vetë nga tregu nëse nuk do të arrijnë cilësinë dhe kriteret akademike apo kërkimore shkencore të duhura.

– Nëse bëhet fjalë për konkurencë të lirë tregu dhe barazi, atëherë mbyllja e IAL-ve apo degëve të veçanta duhet të ketë si një nga kriteret më të rëndësishme të mbylljes apo të transformimit në tjetër tip, nivelin e kërkesave për studime dhe studentëve të degëve përkatëse duke i përfshirë të gjitha IAL publike. Në këtë kontekst, UAMD është i dyti në rang kombëtar për numrin e studentëve, pas Universitetit të Tiranës. Ky është një argument i cili bie në kontradiktë me kërkesën për ndryshimin e profilit të tij nga Universitet në Qendër Rajonale Zhvillimi dhe Trajnimi. 

– UAMD është ndër të paktat universitete që plotëson kriterin e numrit të godinave dhe ambienteve brenda standarteve, ndaj pedagogët pyesin se përse të mos rritet kërkesa për cilësi dhe standarte të institucioneve aktuale, pa i transformuar apo mbyllur ato? 

– Sipas raportit disa institucione konsiderohen si tradicionale. Në këtë kontekst mund të diskutohet një rast edhe më konkret: Dega e Shkencave Politike në UT nuk ka qenë departament me vete para 2005. Lindja e tij daton jo më larg se vitet 2000, si seksion i dep. të sociologji-filozofisë. Kështu që, ky departament, a mund të konsiderohet sipas kritereve të shprehura në raport si tradicional? Pak vite diferencë nuk mjaftojnë për të bërë klasifikimin. Kuptohet që nuk ka një diferencë të tillë për ta mbyllur Dep. Shkencave Poltike në UAMD. Përse nuk respektohet parimi i konkurrencës, të jetë vetë tregu i cili do të vendosë mbi dështimin apo suksesin e tyre? Sipas Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike, është kontradiktor edhe fakti se në raport është shprehur që “në universitetet publike, programet e së njëjtës emërtesë/profil dhe cikël/nivel studimi duhet të jenë të njëjta në masën 70-80%, e domosdoshme kjo për të ruajtur të njëjtin standard formimi në nivel kombëtar”, atëherë përse duhet të mbyllet një apo disa degë të cilat që aktualisht e plotësojnë këtë kriter?"

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/