Durrës, 9 maj 2014– Rreth 70 gramë eksploziv C4 është përdorur për të hedhur në erë mjetin, me të cilin udhëtonte inxhinierja 38 vjeçare, Entela Çano. Pasi konfirmoi zyrtarisht mbrëmjen e së enjtes vendosjen e eksplozivit në makinën e 38 vjeçares, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e poshtme të Mitsubishit me targa AA 106 EJ, në krahun e pasagjerit. Shpërthimi në automjetin e Çanos ka qenë i telekomanduar nga një distancë e afërt.
Dyshohet se atentati me eksploviz ndaj inxhinieres së ndërtimit ka lidhje me profesionin e saj dhe mendohet të jetë bërë për arsye konkurence. Studioja projektuese e Çanos ka fituar shumë projekte në Tiranë dhe në rrethe.
Mesditen e së enjtes, 38 vjeçarja po kthehej nga Kavaja ku kishte takuar një shokun e saj dhe ishte e vetme në makinë në momentin e shpërthimit. Grupi hetimor nuk ka arritur ende në një konkluzion të saktë lidhur me vendin dhe kohën se kur i është vendosur eksplozivi në makinë 38 vjeçares. Shpërthimi me eksploziv bllokoi për rreth një orë njërin kah të autostradës Durrës – Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit. Fatmirësisht objekti i sulmit, arkitektja Çano shpëtoi pa lëndime nga atentati.
Studioja e inxhinieres Entela Çano
Studioja e “A & E Engineering” në pronësi të Entela Çanos është e njohur në rrethin e inxhinierëve të ndërtimit në vend. Studioja e saj, mësohet se ka projektuar shumë ndërtime në Tiranë, po edhe në rrethe të ndryshme.
Një prej projekteve që ka bërë studioja inxhinierike që drejtohet nga Çano është edhe shatërvani tek Zogu i Zi. Fillimisht inxhinieria Çano ka punuar me një ortak të sajin, por pas disa kohësh mësohet se ata ishin ndarë.
Pas kësaj, ajo kishte ngritur dhe studion “A & E Engineering”, me të cilën ka fituar dhe realizuar shumë projekte në Tiranë. Çano me origjinë nga Përmeti dhe banuese në Tiranë, është shkolluar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Pas kësaj, inxhinieria mësohet se ka kryer kualifikime edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi ka qëndruar për disa kohë atje, ajo është kthyer në Shqipëri ku ka vazhduar të ushtrojë profesionin e saj të inxhinieres së ndërtimit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





