·        Prezantohet më 17 maj 2014 në qytetin Driebergen guida në anglisht për amatorët e turizmit të shëtitjeve (hiking)

·        Operatorët durrsakë mund të shfrytëzonin 100-vjetorin e vrasjes tek Ura e Dajlanit, më 15 qershor 1914, të Kolonel Tomsonit nëpërmjet një pakete përkujtimore për të sjellë qindra bashkatdhetarë të tij nga Vendi i Mullinjve

DURRËS, 8 maj 2014 –  Një giudë nga Vendi i Mullinjve dhe Kolonelit Tomson (Lodewijk Willem Johan Karel Thomson, 11 qershor 1869-15 qershor 1914), reklamë falas, për agjencitë turistike evropiane për të dërguar në Durrës dhe Shqipëri amatorë të ekskursioneve dhe shëtitjeve më këmbë në 750 km të Rrugës antike Egnatia.

Botohet libri i ri për Rrugën Egnatia me autorë Marieta Attekum dhe Holger Brown (në foto), të dy nga qyteti holandez i Driebergen-it.

Libri titullohet “Rruga Egnatia më këmbë / Udhëtim në histori / Pjesa I. Nga Durrësi në Selanik”. Është shkruar në anglisht: Via Egnatia on foot / A journey into histori / Part I from Durrës to Thessaloniki (në foto kopertina dhe faksimile e faqeve për Durrësin).

Ky libër-giudë me 256 faqe përmban një përshkrim hap pas hapi të itinerarit (475 km), 30 harta të hollësishme topografike, 7 harta qytetesh me koordinata dhe GPS, si dhe shumë foto.

U kushtohet vëmendje historisë, bekgraundeve, informacionit praktik dhe të dhënave të dobishme.

Përfshihet një tabelë e fjalëve që përdoren zakonisht në gjuhën shqipe, maqedonase dhe greke.

Çifti Marieta Attekum-Holger Brown themeloi Via Engatia Foundation. Fondacioni synon të rrisë interesin në fushën e historisë dhe për rrjedhojë promovimin e zhvillimit të turizmit të ekskursioneve / shëtitjeve (hiking)

Edhe për ata që nuk ecin, por po ngasin makinë, ka rrugë të veçanta nëpër në pikat kryesore të monumenteve historike.

Prezantimi i librit bëhet të shtunën e ardhshme, më 17 maj 2014 në një librari në Driebergen, njofton faqja on-line e Via Engatia Foundation.

Tashmë operatorët turistikë durrsakë kanë mundësi të hartojnë paketa gjithëvjetore.

Madje, me pak fantazi dhe kulturë historike, nuk do të ishte keq të shfrytëzohej 100-vjetori i vrasjes së Kolonel Tomsonit (në foto busti në Durrës te lulishtja pranë Torrës) tek Ura e Dajlanit më 15 qershor 1914.

Kështu, një paketë “historike” do të thithte qindra turistë holandezë, që mund të njiheshin me kontributin e bashkatdhetarit të tyre në organizimin e shtetit shqiptar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/