Durrës, 8 maj 2014 – Tefik Osmani, me shumë gjasa, nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Vllaznisë. Në lidhje me këtë ai tha “Nuk besoj të jem i gatshëm për ta ndihmuar skuadrën në Shkodër dhe për këtë gjë ndihem keq. Kjo, pasi kemi nevojë më shumë se kurrë për të qenë të bashkuar. Mendoj se për mua është mbyllur sezoni, sepse duket i pamundur rikuperimi brenda pak ditëve. Unë do të përpiqem ta mbështes nga jashtë skuadrën, duke e motivuar për të arritur rezultatin e duhur ndaj Vllaznisë. Nuk besoj të ndihet shumë mungesa ime, pasi kushdo që do të jetë në fushë do jap më të mirën në një ditë që skuadrës i duhet më shumë se kurrë fitorja. Jemi optimistë dhe shpresojmë te fitorja në Shkodër”.

Në lidhje me të ardhmen, Osmani shprehet: “Në fakt, në fund të sezonit përfundon kontrata ime me Teutën dhe do të ulem me presidentin për të diskutuar rreth së ardhmes sime. Kam disa oferta, të cilat nuk dua t’i bëj publike, por do t’i konsideroj të vlefshme vetëm pasi të takohem me presidentin Hasanbelliu. Do të diskutojmë dhe do të vendosim si do të jetë më e mira për të dyja palët. Momentalisht, vëmendja jonë është e përqendruar tek objektivi i skuadrës”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/