Tiranë, 8 maj 2014 – Në një shkrim të saj, të datës 8 maj, gazeta “Sot” thotë se Sali Berisha po mendon rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike. Sipas “Sot”, arsyeja e kthimit të Berishës në krye të PD, përtej dobësimit dhe përçarjeve në parti, ka si arsye dosjet e korrupsionit të familjes dhe fatin politik e juridik të saj.
Kryetari aktual i kësaj partie, Lulzim Basha, i zgjedhur me bekimin e ish kryetarit Berisha duket se nuk do ta mbajë për shumë kohë këtë post. Që pas dorëheqjes nga kreu i PD, familja Berisha është më e ekspozuar ndaj drejtësisë, për krimet ekonomike dhe njerëzore që ka kryer.
Në këto kushte, një grup deputetësh të PD, pritet të kërkojnë publikisht dhe institucionalisht largimin e Bashës nga kreu i PD. I gjithë procesi po menaxhohet dhe orkestrohet nga dhëndri i Berishës, i përzgjedhur pak ditë më parë si koordinator i PD-së për Tiranën.
Në të njëjtën kohë, sipas “Sot”, rikthimi i Sali Berishës si kryetar, shihet nga shumë demokratë si e vetmja zgjidhje për të mbajtur të bashkuar partinë në këto ditë të vështira.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





