Tiranë, 7 maj 2014 – Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Hetimor parlamentar për shkarkimet dhe emërimet në polici, akuzuan sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi për vrasjen e një qytetari të pafajshëm grek gjatë një operacioni policor në 1999, duke transmetuar edhe pamje filmike të ngjarjes. Sipas përfaqësuesve të opozitës pengmarrësi ishte qëlluar nga Artan Didi, i cili në atë kohë drejtonte operacionin ndaj pengmarrësit.
Ndërkohë babai i pengmarrësit të autobusit, Flamur Pislit, Nuredini, në një reagim në “News 24” shprehet se në bazë të ligjeve të Kanunit do t’i çojë fjalë kreut të policisë, Artan Didi.
“Artan Didit do t’i çoj fjalë, kështu thotë Kanuni. Më ka borxh gjakun e djalit dhe të mikut tim. Drejtësia deri më sot më ka zhgënjyer dhe mashtruar. Drejtësia më zhgënjeu, do t’i referohem Kanunit. Me Kanun, vrasësi duhet të mbyllet brenda, ose të merremi vesh”,- shprehet Nuredin Pisli.
Babai i pengmarrësit pranon se i biri gaboi kur mori peng autobusin me pasagjerë, por sipas tij, policia shqiptare nuk kishte pse ta vriste.
“Nuk i vrau policia greke, por u vranë në Qafë-Krrabë. Djali im u qëllua me snajper në dalje të Elbasanit. Policia i ka vjedhur djalit tim 50 milionë dhrami”,- deklaron Nuredin Pisli.
I detyruar nga kushtet e këqija ekonomike në familje, në vitin 1996 Flamur Pisli emigroi në Greqi, ku u punësua nga familja e një polici. Pas dy vjet e gjysmë punë, i riu shqiptar nuk merr frytin e punës dhe djersës së tij. I futur në kurth nga punëdhënësi, Pisli përfundon në burg ku rrihet barbarisht. Del nga burgu dhe kthehet tek polici grek për të marrë paratë që i takonin. Ndërsa ka plagosur policin grek, emigranti shqiptar mori peng një autobus me 8 pasagjerë. Për orë të tëra, Pisli u ndoq nga policia greke deri në kufi dhe më pas nga policia shqiptare në brendësi të territorit tonë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





