Durrës, 7 maj 2014 – Vjedhjet mbeten fenomen shqetësues në qarkun e Durrësit. 4 të tilla janë regjistruar në harkun kohor të 24 orëve dhe objektivat e vjedhësve janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga vjedhja e celularëve nëpër dyqane për të përfunduar tek vjedhjet e lopëve e viçave në kasollet e bagëtive të fshatrave të Krujës.

Ditët e fundit, përmirësimi i kushteve atmosferike ka bërë që shumë qytetarë t’i lënë hapur dritaret e shtëpive të tyre për t’u ajrosur. Por në këto raste bëni kujdes, sepse nga dritaret fare kollaj mund të hyjnë hajdutët dhe t’ju vjedhin pa lënë asnjë shenjë. Një gjë e tillë i ka ndodhur një 32 vjeçareje nga Durrësi, e cila ka denoncuar në polici faktin se shtëpia e saj është vjedhur nga hajdutët, të cilët kishin hyrë nga dritarja e lënë hapur. Pa bërë zhurmë, ata kanë vjedhur në shtëpi 22 mijë lekë të rinj dhe 200 dollarë dhe më pas janë larguar po nga dritarja, nga e cila hynë në shtëpi.

Ndërkohë, një nga dyqanet e kompanive të telefonisë së lëvizshme, në lagjen nr.1 është bërë pre e hajdutëve. Shitësja e dyqanit ka konstatuar në mëngjes herët se i ishte vjedhur në dyqan një celular i markës Samsung, me vlerë 27 mijë lekë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e hajdutit, por deri tani nuk ka rënë në gjurmë të tij.

Nga ana tjetër dy bashkëfshatarë të fshatit Dukagjin, në komunën e Thumanës, në rrethin e Krujës, kanë denoncuar në komisariatin e policisë faktin se gjatë natës u janë vjedhur bagëtitë nga persona të paidentifikuar. Konkretisht, njërit prej tyre i janë vjedhur një lopë dhe një viç, ndërsa tjetrit vetëm një lopë. Në këtë rast, policia mendon se vjedhjet janë kryer nga të njëjtët autorë, nisur nga fakti se ato janë bërë pak a shumë në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e hajdutëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/