Durrës, 7 maj 2014 – Dy shqiptarë, të shumëkërkuar nga autoritetet italiane, pasi ishin dënuar nga gjykatat e vendit fqinjë, janë ekstraduar sot drejt Italisë. Burime policore saktësojnë se të ekstraduarit janë Artur Kaçi, 35 vjeç, i dënuar 7 vjet e 9 muaj nga tri gjykata italiane dhe Pandeli Lenja, 45 vjeç ,i dënuar me 15 vjet burg për trafik prostitucioni nga gjykata e Milanos.

Artur Kaçi, me banim në Durrës, është arrestuar janarin e këtij viti nga policia e qytetit bregdetar, pasi ndaj atij ekzistonte një urdhër arresti ndërkombëtar. Kaçi ishte një person i shumëkërkuar nga Interpoli Italian, pasi tri gjykata, ajo e Sienës, Peruxhias dhe Firences kishin dhënë dënimet përkatëse për veprat penale të kryera në periudha të ndryshme nga 35 vjeçari durrsak.

Gjykata e Sienës në Itali, me vendim nr. 339/6 datë 29.11.2006 e ka dënuar Kaçin me 7 vjet, 9 muaj e 6 ditë heqje lirie për sulm / përleshje. Gjithashtu Gjykata e Apelit e Peruxhës, me vendim nr. 86/2009 datë 12.5.2009 e me vendim nr. 1219/12 datë 14.2.2013 ka caktuar ndaj tij masën e arrestit në burg për vjedhje me dhunë, shkelje të ligjit mbi të huajt. Të njëjtën masë sigurie ka dhënë edhe gjykata e Apelit e Firences, me vendim nr. 2812/09 date 30.1.2010 për vjedhje me dhunë; keqpërdorim të kartave të kreditit; trafik droge; dëmtim, kërcënim, sulm dhe plaçkitje.

Të dy shqiptarët e ekstraduar sot drejt Italisë, do të vuajnë në vendin fqinjë dënimet përkatëse dhe më pas do të rikthehen në Shqipëri.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/