7 maj 2014 – Skandalet politike janë po aq të vjetra sa vetë politika. Seksi, lakmia dhe vetë-rëndësia shpesh shkojnë krahë për krahë me pushtetin, paratë dhe favorizimin e miqve, duke shkaktuar që shumë politikan të humbin rrugën e drejtë. Kur detaje “të pista” dalin në shesh, votuesit dëshpërohen, komedianët qeshin ndërsa politikanët skuqen. Skandale të tilla si marrëdhëniet jashtëmartesore, janë thjesht personale dhe mund të jenë të turpshme vetëm për palët e përfshira, ndërsa ka të tjera që përfshijnë vdekje “aksidentale”, apo keqpërdorim të pushtetit në nivelin më të lartë. Këto lloje skandalesh mund të dëmtojnë edhe karrierat më premtuese. Grekët kishin një fjalë për këtë: arrogancë. Kjo do të thotë se arroganca të çon në shkatërrim. Duke menduar se janë mbi ligjin, apo imun ndaj pasojave, politikanët ndonjëherë ndërmarrin veprime që rezultojnë të jenë vetë-shkatërruese.  Lista e mëposhtme hedh një vështrim drejt 10 skandaleve më famëkeqe.

 

Skandali “Teapot Dome”

Skandal “Teapot  Dome” ishte më i madhi i skandaleve që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Warren Harding. “Teapot  Dome” është një fushë nafte e vendosur në tokën publike në Wyoming e rezervuar për përdorime emergjente nga ana e marinës amerikane. Kompanitë e naftës dhe politikanët atëherë pohuan se rezervat nuk janë të nevojshme dhe se kompanitë e naftës vetë mund t’i jepnin marinës naftë në rast mungesash. Në vitin 1922, Sekretari i Brendshëm Albert B. Fall pranoi 404 mijë $ si dhuratë dhe kredi nga drejtuesit e kompanisë të naftës në këmbim të dhënies me qira të të drejtave të shfrytëzimit në “Teaport Dome” nga kompanitë “Mammoth Oil” dhe “Pan American Petroleum” pa marrë në konsideratë ofertat konkurruese. Qiratë ishin të ligjshme, por dhuratat jo. Përpjekjet për të mbajtur sektet ryshfetin dështuan dhe më 14 prill, 1922 gazeta e “Wall Street” publikoi detajet e ryshfetit. Fall mohoi akuzat, por kur një nga drejtuesit e kompanisë së naftës rrëfeu se i kishte dhënë Sekretarit të Brendshëm një kredi pa interes prej100 mijë $, skandali shpërtheu. Në vitin 1927, Gjykata Supreme vendosi se qiratë e naftës janë marrë në mënyrë të paligjshme dhe Marina e SHBA-së rimori kontrollin e “Teapot Dome” dhe rezervave të tjera. Fall u shpall fajtor për ryshfet në vitin 1929, u gjobit me 100 mijë $ dhe u dënua me 1 vit burg. Ai ishte anëtari i parë i kabinetit qeveritar që u burgos për veprimet e tij ndërsa ishte ende në detyrë. Presidenti Harding nuk ishte në dijeni të skandalit në kohën e vdekjes së tij në vitin 1923, por ai ka kontribuar që administrata e tij të konsiderohej një nga më të korruptuarat në historinë e Amerikës.

 

Çështja “Profumo”

Ky skandal përmbante gjithçka: seks, spiunë, sekrete shtetërore dhe zbulime të turpshme për shtresën e lartë britanike. Ndodhi më 1963, kur Lufta e Ftohtë kishte arritur gjendjen më të akullt. Problemet kishin filluar dy vjet më parë, kur fisniku britanik Lord Astor ftoi Stephen Ward në një festë në shtëpinë e tij. Ward solli me vete një mikeshë, 19 vjeçaren Christine Keeler dhe disa femra të tjera. Kur Keeler shkoi të notonte nudo në pishinë e Astor, ajo tërhoqi syrin e një tjetër mysafiri në festë, atë të John Profumo, Sekretarit të Shtetit për Njoftime të Luftës në qeverinë e Partisë Konservatore të Kryeministrit Harold Macmillan. Profumo filloi një marrëdhënie me Keeler, e cila në të njëjtën kohë dilte me Eugene Ivanov, një atashe detar rus dhe spiun i mundshëm sovjetik. Më vonë, një tjetër i dashur i Keeler bëri një deklaratë të çuditshme dhe gazetarët u interesuan për historinë. Profumo është marrë në pyetje në lidhje me çështjen në Dhomën e Komunëve dhe mohoi çdo përfshirje të pahijshme me Keeler. Por gazeta britanike hetoi dhe e vërteta doli në shesh. Profumo më në fund pranoi fajin dhe dha dorëheqjen i turpëruar. Edhe pse nuk kishte asnjë provë që sekretet ishin komprometuar, Macmillan dha dorëheqjen disa muaj më vonë për arsye shëndetësore. Në vitin 1964 konservatorët humbën me rezultat të ngushtë zgjedhjet me Partinë e Punës duke i dhënë fund mbretërimit 12 vjeçar. Ward kreu vetëvrasje gjatë gjyqit të tij, në gusht të 1963.

 

 Skandali “Chappaquiddick”

Pasi u zgjodh në Senatin Amerikan në vitin 1962 , Edward M. “Ted”  Kennedy ishte i njohur si liberali që përkrahu kauza që kishin të bënin me arsimin e kujdesin shëndetësor, por ishte më pak i suksesshëm në jetën personale. Më 18 korrik, 1969, Kennedy mori pjesë në një festë në ishullin Chappaquiddick në Massachusetts. Ai u largua nga festa me 29 vjeçaren Mary Jo Kopechne, e cila kishte bërë fushatë për vëllanë e madhe të Ted-it, Robert. Pas kësaj, makina e Kennedy-t u rrëzua nga ura dhe Kopechne u mbyt. Kennedy tha se, ai u përpoq ta shpëtonte, por dallgët ishin shumë të forta. Ai doli në breg dhe u kthye në festë dhe u kërkoi dy burrave të tjerë ndihmë, por edhe përpjekjet e tyre të shpëtimit dështuan. Megjithatë Kennedy priti deri të nesërmen për të raportuar aksidentin duke telefonuar më parë avokatin e tij dhe prindërit e Kopechne, duke pretenduar se aksidenti e kishte tronditur. Ka pasur spekulime se ai u përpoq të mbulojë faktin që po ngiste nën ndikimin e alkoolit, por asgjë nuk u provua. Kennedy u deklarua fajtor që, u largua nga vendi i aksidentit, u dënua me dy muaj burg dhe humbi patentën e shoferit për një vit. Skandali kontribuoi në dështimin e tij në zgjedhjet presidenciale në vitin 1980, por kjo nuk preku reputacionin e tij në Senat. Në prill 2006, revista “Time” e konsideroi një nga “10 senatorët më të mirë të Amerikës”.

 

Skandali “Watergate”

Watergate është emri i skandalit që shkaktoi Richard Nixon, i cili u bë presidenti i vetëm amerikan që dha dorëheqje. Më 27 maj 1972, i shqetësuar se kandidatura e Nixon-it për tu rizgjedhur  ishte në rrezik, ish- agjenti i CIA-s E. Howard Hunt Jr, ish- avokat, asistenti i qarkut të New York G. Gordon Liddy, ish- operativi i CIA-s, James W. McCord Jr. dhe gjashtë burra të tjerë hynë në selinë demokratike në hotelin Watergate në Washington. Ata përgjuan telefonata, vodhën disa dokumente dhe fotografuan disa të tjera. Kur u kthyen përsëri më 17 qershor për të rregulluar një program që nuk punonte, një roje e sigurisë njoftoi policinë e Uashingtonit, të cilët arrestuan McCord dhe katër hajdutët  e tjerë. Një agjent i mbuluar filloi të shkatërrojë dëshmitë inkriminuese, pengoi hetimet dhe ndaloi përhapjen e ndonjë skandali që mund të ndikonte te presidenti. Më 29 gusht Nixon njoftoi se askush në Shtëpinë e Bardhë nuk ishte i përfshirë në skandal. Pavarësisht përpjekjeve të tij për të fshehur përfshirjen, Nixon “ra brenda” me regjistrimet e bëra nga vetë ai, një nga të cilat zbuloi se ai kishte autorizuar shpërblime për Hunt. Për të shmangur fajësimin, Nixon dha dorëheqjen më 9 gusht 1974. Pasardhësi i tij, presidenti Gerald Ford e fali më 8 shtator 1974, duke eliminuar çdo mundësi që Nixon të akuzohej dhe gjykohej. Gazetarët e Washington Post, Bob Woodward dhe Carl Bernstein ndihmuan të vinin në dukje skandalin duke përdorur informacionin e rrjedhur nga një person i identifikuar si “Deep throat”. Identiteti i burimit u mbajt i fshehur deri në vitin 2005, kur u zbulua se “Deep Throat” ishte ish-anëtar i administratës së Nixon, William Mark Felt.

 

Skandali Spiegel

Një nga skandalet më të nxehta në mjedisin politik të Gjermanisë. Skandali Spiegel i vitit 1962 ishte një konflikt mes Rudolf Augstein, kryeredaktor i revistës “Der Spiegel” dhe Franz Josef Strauss, atëherë Ministri Federal i Mbrojtjes. Në edicionin e datës, 8 tetor 1962, “Der Spiegel” botoi një artikull që theksonte të metat e mbrojtjes gjermane dhe gjithashtu bëri të ditur se shteti ushtarak në frontin e fuqive komuniste ishte për të ardhur keq. I çmendur nga ky zbulim Strauss urdhëroi kapjen e Augstein së bashku me gazetarët e kësaj reviste. Zyrat e revistës dhe dokumentet u konfiskuan. Kjo padrejtësi shkaktoi trazira dhe demonstrata masive në të gjithë Gjermaninë. Më vonë, Strauss u shpall fajtor për pengimin e lirisë së shtypit.

 

Skandali Iran-Contra

Më 8 korrik 1985, presidenti Ronald Reagan i tha Shoqatës së Avokatëve amerikanë se Irani ishte pjesë e “konfederatës sw shteteve terroriste”. Ai nuk arriti të përmendte se anëtarët e administratës së tij në fshehtësi ishin duke planifikuar që t’i shisnin armë Iranit për të lehtësuar lirimin e pengjeve amerikanë që mbaheshin në Liban nga grupet terroriste pro- iraniane. Fitimet nga shitja e armëve janë dërguar në mënyrë të fshehtë në Nikaragua për të ndihmuar forcat kryengritëse, të njohura si “contras”, në përpjekjet e tyre për të përmbysur qeverinë e vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike. Incidenti u bë i njohur si “Iran-Contra Affair” dhe ishte skandali më i madh i administratës së Reganit. Shitja e armëve në Iran ishte  autorizuar nga Robert McFarlane, kreut të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në shkelje të plotë të politikave të qeverisë amerikane në lidhje me terroristët dhe ndihmësit ushtarake ndaj Iranit. Anëtar i stafit “KSK” Oliver North bëri që një pjesë e shumës së 48 milion $ të paguara nga Irani të dërgohen në “contras”. Presidenti Reagan në mënyrë të përsëritur mohoi zërat se Shtetet e Bashkuara kishin shkëmbyer armët me pengjet, por më vonë tha se ai ishte dezinformuar. Ai krijoi Bordin e posaçëm shqyrtues për të hetuar. Në shkurt të vitit 1987, bordi shpalli presidentin e pafajshëm. Të tjerë të përfshirë janë shpallur fajtor, por dënimet e tyre u përmbysën në Gjykatën e Apelit, ose u falën nga Presidenti George. W. Bush.

 

Skandali “Chen Shui-bian”

Chen Shui-bian ishte një politikan tajvanez që u ngrit nga varfëria për të udhëhequr vendin e tij. Populisti Chen ishte një reformator dhe një “show-men” i shkëlqyer, i njohur me pseudonimi i tij A-bian. Në vitin 2000, grupi i tij i opozitar rrëzoi Kuomintang, partinë e cila kishte sunduar Tajvanin që kur ai u dëbua nga Kina kontinentale në vitin 1949. Presidenti Chen kundërshtoi forcimin e lidhjeve me qeverinë e Kinës dhe “flirtoi” me idenë e deklarimit të Taiwanit të pavarur nga kontinenti. Chen fitoi zgjedhjet në vitin 2004, por skandalet filluan në vitin 2006. Së pari, dhëndri i tij u akuzua për tregtim të brendshëm. Në të njëjtin vit, gruaja e tij u akuzua për korrupsion dhe falsifikim. Është vërtetuar se ajo e kishte depozituar 21 milion $ nga fondet e fushatës në bankat e Singaporit, Zvicrës dhe Ishujve Kajman. Ka pasur akuza se vetë Chen kishte keqpërdorur autoritetin e tij. Opozita u përpoq pa sukses të bënte diçka kundër tij, sepse sipas ligjit ai nuk mund të ndiqej penalisht ndërsa ishte në detyrë. Skandali vazhdoi dhe Chen dha dorëheqjen në gusht të 2008-ës. Ai u arrestua gjashtë muaj më vonë për përvetësimin e 3.15 milion $ nga fondet publike dhe për marrjen e 9 milion $ ryshfet. Gjykata e dënoi atë në vitin 2009. Ai dhe gruaja e tij u ndëshkuan me burgim të përjetshëm dhe me një gjobë prej 15 milion $. Dënimet e tyre u reduktuan më pas në 20 vjet.

 

Skandali “Bunga bunga”

Ashtu si “Watergate” lidhet me Richard Nixon, “Bunga bunga” është motoja e lidhur me ish- kryeministrin italian Silvio Berlusconi. Festat “Bunga Bunga” që organizoheshin në shtëpinë e tij pranë Milanos u konsideruan si një orgji romake. Berlusconi ishte një biznesmen, i cili duke përdorur perandorinë e tij të medias si një bllok lançimi, mbeti në fuqi në politikën italiane për 17 vjet. Akuzat për mashtrim me taksat dhe ryshfet u hodhën më herët. Përveç kësaj, Berlusconi ishte një “playboy” i njohur.  Thuhet se ai e mori idenë për “bunga bunga” nga miku i tij, udhëheqësi libian Muamar Gadafi, i cili gjithashtu kishte “haremin” e tij. Skandali më spektakolar i Berlusconit erdhi në vitin 2011-të kur ai u akuzua se kishte paguar për seks një vajzë të mitur. Ai ishte bërë mik me një adoleshente të arratisur nga Maroku me emrin Karima El Mahroug, e cila njihej edhe si Ruby Heartstealer. Ajo ka punuar si “bellydancer” në një klub nate dhe ka marrë pjesë në festat “e egra” të Berlusconit. Edhe pse ajo dhe Berluskoni mohuam marrëdhënien seksuale, Berlusconi përdori ndikimin e tij për ta nxjerrë  nga burgu me akuzat për vjedhje në vitin 2010-të. Ndërsa ishte duke shijuar “Bunga Bunga” e tij, ekonomia italiane kishte filluar rrënimin. Kriza e borxhit evropian i vitit 2011-të ishte edhe rënia e fundit Berlusconit.

 

Skandali William Jefferson:

U bë i famshëm, sepse ishte kongresmeni i parë zezak i Luizianës. William Jefferson u akuzua nga FBI se ka pranuar qindra mijëra dollar ryshfet. Sipas FBI-së zyra e tij ishte një ndërmarrje shantazhi. Sipas të dhënave të gjykatës Jefferson u pagua nga 400 mijë deri në1 milion $ nga Vernon Jackson, shefi ekzekutiv i telekomunikacionit të teknologjisë “iGate”. Më 13 nëntor 2009 Jefferson u dënua me 13 vjet burg, dënimi më i madh që është bërë për ndonjë kongresmen deri tani.

 

Skandali Wilbur Mills

Profesor i së drejtës kushtetuese në universitetin e Harvardit dhe anëtar i njohur i dhomës së përfaqësuesve amerikan është akuzuar për marrëdhënie seksuale me striptisten argjentinase Fanne Fox. Bashkëshorti “i përkushtuar”, 40 -vjeçari Mills është kapur në teatrin Pilgrim të Bostonit, ndërsa përqafonte argjentinasen. Në një incident tjetër makina e Mills është ndaluar nga policia amerikane, prej së cilës Fox po përpiqej të largohej dhe Mills u gjend në gjendje tejet të dehur. Këto ngjarje shkatërruan imazhin e tij në arenën politike dhe më vonë dha dorëheqjen nga politika.

/gazeta "Dita"/