Tiranë, 7 maj 2014 – Djali i themeluesit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit, Kiri, do të jetë një prej 40 koordinatorëve të selisë blu për monitorimin e procesit të analizës dhe zgjedhjeve në degën më të madhe, atë të kryeqytetit.
Burime nga PD bëjnë të ditur për gazetën "Panorama' se së fundi është vendosur që Kiri Hajdari, aktualisht i punësuar si jurist në Bashkinë e Tiranës, të ndjekë procesin në Njësinë Bashkiake Nr. 6 në Kombinat së bashku me këshilltarin e grupit të PD-së, Dorian Teliti, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Albert Kushti dhe ish-deputetin e kësaj force politike, Safet Sula.
Djali i liderit të Dhjetorit është përfshirë kështu zyrtarisht në politikë 16 vjet pas vrasjes së të atit para selisë së PD-së.
Një tjetër risi e kësaj liste është përfshirja në proces edhe e ish-zëdhënëses së Kryeministrit Sali Berisha, më pas këshilltare politike e ministrit të Punës, Spiro Ksera, Juela Meçani. Mësohet se ajo do të jetë e deleguar në Njësinë Bashkiake Nr. 1 së bashku me Alma Markun dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Isuf Çela.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





