·         Mbresa dhe përsiatje kushtuar një miku

 

Nga BUJAR QESJA                     

Nuk e di pse e ndjemë shumë vdekjen e Nazmi Maxhunit (në foton kryesore Nazmi Maxhuni djathtas, së bashku me ish futbollistin e famshëm gjerman Gerd Myler). Ngaqë ishim mësuar të rrinim shpesh me të, por edhe se ju gjendëm siç thotë populli në ditë të vështira. Trupi elegant dhe atletik i Nazmiut, dukej se do të rezistonte gjatë në botën tonë të gjallë, për të diskutuar si në mjaft raste për futbollin, e veçanërisht atë shqiptar. Ishte ora 11.30 e datës 6 maj 2014. Miku i tij më i afërt Ilir Ngresi, teksa bënte ritualin e mëngjesit për të parë gjëndjen shëndetësore të Maxhunit, vuri re gjendjen tejet të rënduar të tij. Vrapoi drejt kirurgut të njohur, mikut të mirëpritur të të gjithë durrsakëve Miri Hotit dhe i kërkoi ndihmë. Ndonëse me lot në sy, Iliri si zakonisht bleu morfinat e ditës dhe iu lut doktorit human dhe shpirtmadh Miri Hotit që të shkonin t’ia bënin Nazmiut. Kthetrat e një kanceri rebel dhe masiv ia kishin prishur gjakun, por Ngresi dhe doktor Miri, kërkonin që t’i jepnin shansin e disa minutave qetësi. Nazmi Maxhuni nuk kishte arritur të krijonte familje.

Vetminë e kalonte ja kështu mes miqve dhe shokëve, duke diskutuar për jetën, për sportin e veçanërisht për futbollin. “Maxhuni për futbollin gjerman, të “vriste”, shprehet tifozi i thekur i Bajernit Ilir Ngresi. Kemi qenë së bashku në shumë ndeshje të Bajernit që luante brenda dhe jashtë Gjermanisë. Kemi ndjekur edhe përfaqësuesen gjermane në kompetecione të rëndësishme europiane dhe botërore. Kishte një kulturë të gjërë dhe i bënte përshtypje karakteri dhe grinta e këtij futbolli. Popull titan, me një futboll plot kulturë e temperament. Kështu më thonte gjithnjë ky njeri, i shquar edhe ky për një karakter të papërkulur.”

Minutat e fundit

Morfinat e blera enkas duket se nuk do të përdoreshin. Nazmiu ynë me sytë nga dera, duket se priste shpëtimtarët shpirtërore pasi vdekja i kishte taksuar largimin nga kjo botë. Por të paktën ikte me një mbresë, me një mall për jetën e shuar dhe me bindjen për një paqe në botën e përtejme. Dhe zoti i çoi Miri Hotin dhe Ilir Ngresi tek ajo derë që Nazmiu kishte gozhduar shikimin që nga çastet e agonisë. Vonesa nuk falej. Duhej gjetur me frymë dhe ashtu ndodhi. “Doktor shpejt morfinat, foli Ngresi në ngutje.” Por një dorë e fikur, e këputur si një gjethe vjeshte mundi të bëjë atë gjest që e kuptonte gjithkushi. Hoti dhe Ngresi iu duk sikur dëgjuan: Ju doja ju, për t’ju parë për të fundit herë. Ju faleminderit për gjithçka. Mos më harroni!

“Përjetuam një moment drithërues, që as e kisha menduar ndonjëherë se mund të ndeshesha. Morfinat na kishin mbetur në duar, teksa doktori i madh Miri Hoti po bënte gati aget. Nazmi Maxhuni e dha frymën e fundit, teksa m’u duk sikur ndjeu kënaqësinë e pamenduar kurrë në ditët dhe minutat e fundit të jetës, kur na pa në derë. Të paktën nuk vdiq i vetmuar. Ne ia bëmë hyzmetin mikut tonë, që gjithsesi vetmia e gjatë ia kishte lëkundur besimin për mbijetësë”. Kështu mundi të më thotë njerëzori Ilir Ngresi. Në çast janë thërritur edhe dy njerëz të tjerë, po aq të gjindshëm si Gëzim Duka dhe Hysen Subashi për të bërë veprimet e rastit. Nazmi Maxhuni nuk është më në mesin tonë. Vdiq një futbolldashës i jashtëzakonshëm. Një njeri kurajoz dhe pasionant pas topkombës. Por pa dashur ta teprojmë edhe një besnik deri në teprim i futbollit gjerman, i klubit të madh europian Bajern të Mynihut (duket qartë adhurimi i tij për futbollin gjerman në të gjaitha objektet në shtëpi". .

Karriera

Na u desh të gërmonim për jetën sportive të Nazmiut, pasi e papritura e largimit të tij kështu nga jeta na befasoi. Isha i detyruar ndaj këtij njeriu, jo vetëm në cilësinë e një gazetari profesionist të kahershëm në karrierë, por edhe si një mbrojtës i flaktë dhe i pa tolerueshëm i sportit të qytetit tim të lindjes. Nazmiun e kam patur në krah dhe më ishte gjendur kur na është dashur të polemizojmë për “shashkat” që kanë hedhur të tjerat ndaj futbollit të vendlindjes. Ishte shumë, shumë kurajoz deri në çudi. Kur kisha të përjavshmen time Teuta Sport, Maxhunin e kisha gjithnjë pranë dhe më mbushte me “trimëri” dhe inisiativë që të mos tutesha ndaj baltëhedhësve të traditës historike të Teutës tonë. Kur e ftoja në studio nuk përmbahej dhe me gotat dhe shishet e ujit në tavolinë bënte taktikën e lojës së një dite më parë. Hej zot, mendoja çfarë temperamenti! Asnjë tjetër si ai nuk më ngjan, as i ofrohet. Dhe pikërisht këtë Nazmi Maxhun nuk e kam më në krah, as kur i thërritja rrugës kur e takoja. I bërtisja në koifidencë: e Maxhun, ç’kemi? Ndalonim pak, kalonim minuta të ngrohta dhe ndaheshim me kënaqësinë e një takimi tjetër të papritur. Tani nuk do ta kem më këtë shans. Miku im nga Kavaja edhe ky një gazetar tejet sistematik Fatmir Efica, më ndihmoi në shifra pasi këtu është më zanatli se unë. Mu kujtua Sul Maliqati, kur ra fjala për Nazmi Maxhunin kur më tha që në Kavajë i thonin kosovari. Dhe është e vërtetë. I jati i Maxhunit shpërngulet nga Vushtria e Kosovës në vitin 1923 dhe vendoset në Qerret. Nazmi Maxhuni është nipi i Isa Boletinit.

E ëma e tij Bija, (ne foton ne te djathte) e ka vëlla patriotin e madh të Kosovës, bashkëluftëtarin e Ismail Qemalit, trimin me fletë dhe legjendë Isa Boletinin. Dhe kurrë se kam dëgjuar Nazmiun të mburrej me këtë fakt. Pas 10 vitesh bëhet kavajas dhe pikërisht në këtë qytet në vitin 1938 lindi edhe Nazmi Maxhuni. Efica thotë, që kavajasi kosovar, e ka fillimin në formacionin e parë të Besës me 21 mars 1960, në ndeshjen Besa- Skëndërbeu. Vini re lexues të nderuar të këtij materiali, se me çfarë kolososh të futbollit me tradita të Kavajës luajti 22 vjeçari Maxhuni: Shefqet Topi, Dhimitër Dimroçi, Allaman Idrizi, Hasan Germani, Agim Dizdari, Xhavid Daiu, Fatbardh Zhelegu, Selim dhe Esat Gjoci, Muharrem Karriqi, Seid Lilamani, Esat Dollia nën drejtimin e teknikut të paharruar Isuf Pelingu. Fiton këtu kupën e gazetës Sporti Popullor. Është 26 qershori 1961. Me fanelën e Besës Nazmiu zhvillon edhe 5 ndeshje ndërkombëtare miqësore. Shkon të luajë në Peshkopi, pasi e dërguan për të kryer shërbimin ushtarak.

Dhe këtu Dibra e futbollit, kalon për herë të parë dhe të fundit në kategorinë e parë. Ishte sezoni sportiv 1962-63. Eh ç’karrierë e bukur! Edhe këtu si në Kavajë histori më vete. Dhe më tej rrëmbehet nga Lokomotiva e Durrësit. Edhe këtu futbollistë me histori si Teli Ciko, Abdulla Duma, Nikolla Bespalla, Petraq Ikonomi, Orest Grami, Feti Golashi, Nderim Hoxha, Maksut Leshteni, Muharrem Kadiu, Shyqyri Hasa, Pask Bardhi. U largua nga Lokomotiva në vitin 1969, kur luante ndaj Partizanit në Niko Dovana. Luajti gjithsejt 232 ndeshje në kampion dhe 84 në Kupë Shqipërie. Shënoi 24 gola dhe luajti 8 ndeshje ndërkombëtare. U largua si futbollist, por jo si futbolldashës, dashurinë për të cilin e ruajti deri në gërrhamat e fundit të jetës. Mbaj mend se punoi edhe si trajner i ekipit Shpresa. Jam një ndër to që u stërvita prej tij. Dhe nëse nw vitet e mëtejshme kalova në anën e atyre që e mbrojtën dhe e propaganduan futbollin e qytetit të tyre, nuk mund ta lw pa meritë trajnerin tim të parë, Nazmi Maxhunin.

Mbyllja

E ndjej se shkruajta me shumë dhimbje, por pa e zbehur optimizimin dhe frymën jetësore që na takon ne të tjerëve tashmë. Futbolli kavajas humbi kosovarin e ardhur nga Vushtria, ai dibran historikun e kategorisë së parë, ndërsa Teuta elegantin, punëtorin, eruditin dhe mbrojtësin e krahut të djathtë, Nazmi Maxhunin. Futbolli gjerman mbështetësin dhe përkrahësin e pakonkurueshëm. 

Maxhuni kurrë nuk do t’ia kthente shpinën futbollit. Herë në rolin e opinionistit, herë të bashkëpunëtorit të gazetave dhe mediave sportive, ai do të bëhej një figurë e kërkuar nga publiku i gjerë. Veçanërisht spikatës është roli i Nazmi Maxhunit, duke qenë ndër protogonistët e krijimit të shoqatës së njohur “Miqtë e Bajernit”. 

Disa herë është ftuar nga klubi i Bajernit, duke qenë aktiv në propagandimin e futbollit gjerman dhe të yjeve të tij në Durrës dhe në Shqipëri. Mjaft foto janë fiksuar nga Maxhuni me Gerd Mylerin, Bekenbaurin, drejtues të klubit të Bajern Mynihut etj. Federata Shqiptare e futbollit përveçse i ka dhënë titullin “Pllakatë”, për kontribut të veçantë në futbollin shqiptar, e ka patur të ftuar special në shumë veprimtari ndërkombëtare të përfaqësueses shqiptare brenda dhe jashtë atdheut. Natën vonë miqtë e tij pritën dhe përcollën shumë njerëz. Nazmiu “flinte” në dhomën përbri. Ata flitnin për futbollin dhe ai i dëgjonte, ndonëse për herë të parë nuk ishte aktiv të diskutonte. Në muret e dhomave të tij, relike të futbollit gjerman. Në një pamje ishte edhe Isa Boletini dhe nëna e tij e shtrenjtë. Dhe ajo që dominonte ishin relike të klubit të Bajernit.

Sigla e Bajernit vendosur në lugë, në pjata, në frigorifer, në… Edhe ora e Nazmio Maxhunit është me futbollistë gjermanë. Tik taku gjerman rreh në dejet e tij. Dhe nuk e kishte gabim. Bajerni dhe Gjermania ishin besimi i patundur i Nazmi Maxhunit. Por edhe Durrësi i tij më në fund nuk mbeti i anashkaluar. Shiko ç’po bëjnë miqtë e tij tani. Dera është e hapur. Maxhuni vështron gjithnjë nga ajo derë, që vështoi për herë të fundit miqtë e tij. Dhe sikur vazhdon të pohoj si një refren: Ju faleminderit!

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/