DURRËS, 6 maj 2014 – E marta në portin e Durrësit nuk është ditë terse, përkundrazi, më 6 maj 2014 porti ishte mbushur deng me 40 mijë tonë mallra në përpunim dhe mbi 50 mijë tonë të tjerë, që priten të mbërrijnë.
Sipas Raportit ditor të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës sha të 6 majit 2014, azhurnuar në orën 16:43 (shih faksimilen dhe hartën e portit në orën 18:00 të 6 majit 2014), në këtë port ndodheshin 9 anije, 8 nga të cilat në përpunim në kalata, me një sasi rreth 40 mijë tonë mallra (çimento, llamarinë, qymyr, skrap) dhe 130 copë kontejnerë.
Kurse më 6-9 maj 2014 priten të mbërrijnë edhe 5 të tjera që do të shkarkojnë dhe ngarkojnë 50 435 tonë mallra të ndryshme (prokate, çimento, klinker, skrap, qymyr).
Në Terminalin Lindor po shkarkohet një transportues i madh mallrash rinfuzo African Sun (në foton kryesore) me 20 mijë tonë qymyr.
Info
African Sun është bregëzuar në kalatën nr. 11 më 5 maj 2014, ora 11:15 paradite, pasi është nisur nga Venecia më 3 maj 2014; ka një kapacitet transportues prej 26 mijë tonë; gjatësi 188 metra, ndërtuar në vitin 1994 nga kantieri detar japonez Shin Kurushima Toyohashi Shipbuilding, regjistruar në portin e Nassau-t, Bahamas; në pronësi dhe menaxhim të kompanisë holandeze Mur Shipping të Amsterdamit.
Po ashtu rrugës për në Durrës, pasi ka kaluar Stambollin, është anija Ever Regal me 11 mijë tonë, po me qymyr, nisur nga porti ukrainas i Nikollajevit; ndërtuar në vitin 1998 nga kantieri filipinas Tsuneishi Heavy Industries Balamban, në pronësi dhe menaxhim të kompanisë tajvaneze First Steamship Taipei, regjistruar në Panama.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





