·        Anija turistike Thomson Majesty është pagëzuar në Nju Jork vitin 1992 nga këngëtarja e famshme Liza Minnelli

·        Për herë të parë kompania Thomson Cruises e shpall qytetin bregdetar shqiptar si port of call për “plazhe mbresëlënëse në shtrirje 10 kilometra”

DURRËS, 6 maj 2014 –  “Naltmadhnia” Thomson (Thomson Majesty), tani kroçiera e famshme britanike e pagëzuar nga Liza Minnnelli në vitin 1992 në Nju Jork, “begenis” edhe portin historik shqiptar, kështu edhe një kompani e Luanit e shpall Durrësin si një nga portet e saj të parapëlqyera për vizita (port of call), njofton e përditshmja e njohur Daily Mirror.

Për vitin 2014, nga 22 maji, anija turistike Thomson Majesty e kompanisë britanike Thomson Cruises e pagëzuar para 22 vjetësh nga Big i muzikës botërore Liza Minnelli, bën një tur të quajtur “Bukuritë magjepse të Adriatikut” (Adriatic charms: Korfuz-Në det-Ravena-Venecia-Rijeka-Dubrovnik-Durrës-Korfuz).

I njëjti itinerar do të përsëritet më 17 korrik, 28 gusht, 9 tetor 2014.

Kurse në vitin 2015 me Durrësin do të merret kroçiera tjetër e së njëjtës kompani, ajo e quajtur Thomson Celebration.

DURRËSI PËR BRITANIKËT

Madje kompania britanike Thomson Cruises i bën reklamë portit të ri të prekjes (port of call)”:

Në kohën e perandorisë romake, qyteti i Durrësit ishte një port i rëndësishëm i vendosur në krye të një bregdeti të gjatë.

Në ditët tona, qyteti u shtri më në jug, mbushur me monumente, bulevarde me dyqane dhe periferi në thellësi.

Gjithçka përqendrohet në vijën bregdetare – me plazhe mbresëlënëse në shtrirje 10 kilometra. 

Shëtisni nëpër amfiteatrin romak me kapacitet 20 mijë shikues.

Mund të eksploroni praktikisht gjithçka: stendat, galeritë dhe kapelën me mozaikë.

Drejt plazhit më të madh të Shqipërisë shtrihet rrugë në jug të qytetit.

Është një nga plazhet më popullore, mbushur plot me shezlongë, pika të shitjes së akulloreve dhe restorante buzë detit.

Në Torrën veneciane afër detit ka kafene-bar.

Midis mureve të saj të gurtë shiten objekte arti, ndërsa nga tarraca hapet një pamje madhështore e qytetit.

Info

Thomson Majesty (ish-Norwegian Majesty) është anije turistike në pronësi të kompanisë Louis Cruises dhe menaxhohet nga kompania Thomson Cruises (Britania e Madhe).

Udhëtimin e e parë e bëri në një itinerar transatlantik nga Southampton i Britanisë në Nju Jork, më 7 korrik 1992.

U pagëzua zyrtarisht në Nju Jork, më 21 korrik 1992 nga këngëtarja e famshme amerikane Lajza (Liza) Minnelli.

Ajo niset për lundrim nga ishulli i Korfuzit në verë dhe nga ishujt Kanarie në dimër.

Flamuri i Maltës.

Ndërtuar në vitin 1992 nga kantieri finlandez Wärtsilä Marine/Kvaerner Masa-Yards, Turku

Kostoja 229 milionë dollarë.

Tonazhi: 40,876

Gjatësia: 207.1 m

gjerësia: 27.60 m

Shpejtësia: 20 nyja (37 km/orë)

Kapaciteti: 1 460 -1 970 udhëtarë

Ekuipazhi: 620

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/