Greqi, 6 maj 2014 – Njëlloj si në tragjedinë e Shekspirit një “Xhulietë” irlandeze i qëndron në krah “Romeos” së saj, ndërsa ai po përballet me gjykatat greke. Xhuli (Julie), 30 vjeçarja irlandeze, është banore e qytetit të Karlout. Ajo punon si edukatore kopshti dhe ndërsa ishte me pushime në Kretë në vitin 2007, u njoh dhe u dashurua me Mark Markun atëhere 21 vjeç.
Tre vjet më vonë ata u martuan ligjërisht në Irlandë. Fatkeqësisht, policia greke e arrestoi në janar 2012 Markun, si pjesë të një bande prej 8 hajdutësh shqiptarë, dhe e dënoi me 17 vjet burg. Bashkë me Markun, si pjesë e bandës, u dënua edhe vëllai i tij Ndrea (i njohur në Kretë me emrin Andreas), i cili po ashtu ka alibi të hekurta si jo pjesëmarrës në të paktën dy grabitje me armë, që i atribohen bandës.
Vjehrri i Markut, Bill O’ Reilly, një luleshitës në Karlou, harxhoi gjithë kursimet e veta për ta nxjerrë dhëndrrin nga burgu grek. Ai vuri në lëvizje OJF-në irlandeze “Irish Innocence Project” (Projekti irlandez për mbrojtjen e të pafajshmëve).
Me ndihmën e kësaj OJF-je u provua edhe me shkresa zyrtare të policisë irlandeze se në tre nga shtatë grabitjet, për të cilat akuzohet Marku, ai nuk ka marrë pjesë, sepse ka qenë në Irlandë. Ndonëse ndaj Markut ishin bërë 16 akuza, për 11 prej tyre nuk u paraqit asnjë provë nga prokurorët grekë.
Për më shumë, një palë doreza që policia greke pretendonte se ishin përdorur nga Marku në një grabitje, u provua pas testit të AND-së, se nuk ishin përdorur nga ai, por nga një anëtar tjetër i bandës së përbërë nga 8 shqiptarë.
Avokatët irlandezë nuk shpresojnë shumë për seancën e së mërkurës, sepse ata shprehen që drejtësia në Greqi vetëm emrin ka europian, sepse në thelb është shumë e ngjashme me drejtësinë në vendet afrikane subsahariane.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





