Tiranë, 2 maj 2014 – Mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm “Për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë” ka nisur sot rreth orës 10:30, sërish pa pjesëmarrjen e opozitës. 

Bashkëkryetari i këtij komisioni, Bashkim Fino ka deklaruar në nisje se komisioni do vijojë me seancat dëgjimore deri më datë 15 maj dhe mw pas ministri Bledi Çuçi do prezantojë variantet paraprake.

Fino është shprehur se për ndarjen territoriale mund të kërkohet referendum, ndërsa la të hapur derën për opozitën. 

“Mund të kërkojmë referendum për ndarjen territoriale. Mbetemi të hapur nëse opozita do të vijë, por s’mund të jemi peng i opozitës”,-tha ai. 

Ndërsa Ylli Bufi i cili kryeson një grup ekspertësh të pavarur, në kuadër të punës që kanë nisur reformën e re administrativo-territoriale, deklaroi gjatë mbledhjes se Reforma territoriale përbën reformimin tërësor. Ai u shpreh më tej se në të gjithë vendin duhen të jenë 88 Bashki. Më tej Bufi, propozoi ndarjen e vendit në 5 qarqe. “Emrat e qarqeve do të donim të kishin karakter historik”, tha ai.

Projekti në të cilin ekspertët e drejtuar nga Bufi po punojnë është financuar nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri dhe ka si qëllim afrimin e mendimit të shoqërisë civile për këtë reformë që konsiderohet si tepër e rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Komisioni “Për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë” do ta zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor tremujor, nga data 20 janar-20 prill 2014.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/