DURRËS, 30 prill 2014 – Një udhëtim në “gjithësinë” botanike dhe zoologjike të një zone aq të përfolur dhe në nivel botëror, për shkak të ndotjes kimike, sikurse është Porto Romanoja.
Mbështetur në studimet e hollësishme të para viteve 1990, të kryera nga shkencëtarët natyralistë shqiptarë, një varg specialistësh të huaj të mjedisit kanë bërë vlerësime në funksion të investimeve në portin e Durrësit dhe në Porto Romano.
“Dyrrah”-u ka bërë një përmbledhje të fakteve shkencore, pasi ato paraqesin interes dhe si për lexuesin masiv, ashtu dhe mësuesit dhe nxënësit e Durrësit dhe, për të mos e ngarkuar shkrimin, nuk është cituar literatura.
Zhvillimi i faunës dhe florës në zonën e Porto Romanos nuk përcaktohet nga kushtet e përgjithshme të zonës, siç është klima, por edhe nga kushtet specifike si morfologjia, kushtet e tokës dhe ujërave nëntokësore si dhe mënyrat e përdorimit të tokës. Për sa i takon faunës dhe florës, zonat dallojnë nga njëra tjetra.
ZONA E KODRAVE TË DURRËSIT
Është pak e populluar dhe në krahasim me ligatinat përbri tyre, është mjaft pjellore dhe e pasur me një numër të madh speciesh.
Përfaqësuesit kryesore të zonës janë tipa të ndryshëm bari, lulesh dhe shkurresh.
Për sa i takon faunës, ka amfibë, gjitarë të vegjël, dhe numër të vogël speciesh insekte.
Zogjtë shtohen nëpër shkurret jashtë tokave të banuara.
ZONA MIDIS KODRAVE TË DURRËSIT DHE LIGATINAVE
Meqë zona i është nënshtruar përdorimit intensiv nga ndërmarrjet e prodhimit, vegjetacioni natyror është pakësuar shumë dhe mund të dallohet vetëm në disa pjesë.
Këtu flora dhe fauna është e ngjashme me zonën e kodrave, kurse në zonën e ish-fabrikës kimike të lindanit insektet janë zhdukur.
Kërkimet kanë treguar se ndotja ka sjellë impakte negative në florë dhe faunë. Kjo ka sjellë ndryshimin e strukturës së qelizave të bimëve, ka dëmtuar rrënjët dhe ka penguar rritjen e tyre. Insektet, por edhe bagëtitë që kullosin në këtë zonë, janë dëmtuar nga thithja e helmeve.
LIGATINAT / KANALET KULLUESE
Për shkak të tokave të kripura dhe ranore, vegjetacioni i rrallë i llojit tipik për kënetat kufizohet me barëra halofilike.
Kanalet e kullimit shpesh mbulohen me barishte të këqija.
Në fushën e mbetjeve të bikromatit, që bën pjese te kënetat, vegjetacioni thuajse mungon fare.
Ky gjendet me shumicë në zonat ku janë hedhur dhera të gërmuara nga zona të tjera për të përmirësuar cilësinë e tokës.
Fauna përbëhet kryesisht nga amfibe (breshka, gjarpërinj dhe bretkosa). Gjitarë të vegjël gjenden më shumë në zonat rrethuese të ligatinave dhe në zonat e ngritura të digave.
Kërmijtë hasen shpesh midis bimëve të rralla.
Popullatat e zogjve nuk janë të pasura as në numër e as në lloje, gjë që vjen kryesisht nga mungesa e bimësisë.
Nuk mund të përjashtohet mundësia e një korrelacioni midis ritmeve të riprodhimit të tyre dhe përdorimit të pesticideve.
ZONA E PLAZHIT
Në plazhin e ngushtë të kësaj zone bimësia mungon thuajse plotësisht dhe në zonën midis kodrave të Durrësit dhe ligatinave, e vetmja bimësi që gjendet përbëhet nga barëra halofilike të shpërndarë aty-këtu dhe pak bimë me lule.
Për shkak të florës së rrallë në zonën jo-detare të plazhit, edhe fauna është e rrallë.
Përveç popullatës së zakonshme të zogjve, që ushqimin kryesor e sigurojnë nga deti, fauna është mjaft e varfër si në numër ashtu edhe në lloje.
Në zonën detare përgjatë bregut ka midhje bentonike (të fiksuara) dhe endobentonike (në sediment).
Në zonën e Adriatikut, ku shkarkohet kanali kullues, nuk është gjendur asnjë prej këtyre lloje midhjesh.
Megjithatë popullata të mëdha midhjesh të zeza (Mytilus galloprovincialis), janë gjetur sidomos në zonën e bunkerëve që tashmë janë të zhytur ne det.
Gërmimet në plazhet pranë kësaj zone tregojnë se ka midhje te tipit endobenthonic dhe fauna e zakonshme e cektinave të Mesdheut.
Edhe stoku i peshkut në këtë zonë është në gjendje të mire dhe pa ndonjë ndikim të dukshëm nga ndotja e zonës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





