Nga Gjergj Thanasi

 

27 prill 2014– Qeveria Rama si pikë të saj më të fortë ka marrëdhëniet me publikun dhe një fasadë të shkëlqyer të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar. Tipik është rasti i ministrit Veliaj, që shkëlqen në marrëdhëniet me publikun si psh. në kujdesin spektakolar për romët, me zv/ministren sa dinjitoze aq të përvuajtur Kospiri etj. etj. Sjellja e këtij ministri bie më shumë në sy, sepse ka si kontrast në sfond paraardhësit grekofon-katundarë, hajdutë, makutë e çapaçulë. Gjithsesi edhe në këtë pikë të fortë të saj Qeveria Rama ka pasur edhe dështime të dhimbshme si psh. meseleja e armëve kimike siriane.

Në marrëdhëniet me të huajt, sidomos organizma prestigjiozë tip Banka Botërore, FMN etj. qeveria Rama thjesht shkëlqen. Fatkeqësisht edhe në këtë lëmë nuk mungojnë dështimet në kufijtë e palaçallëkut si fjala vjen “Crown Agents” dhe misioni i saj këshillues për doganat, që u shitet shqiptarëve sipas parimit sa frëngut pulën.

Konsulenca “Crown Agents” (të cilës në vijim do t’i referohem shkurt C.A.) filloi me një skandal financiar sa të turpshëm aq edhe domethënës. “C.A.”, që do këshillonin doganat shqiptare për të luftuar mashtrimin financiar, përdori një mashtrim tregtar (commercial fraud), për të futur në Shqipëri në kundërshtim me ligjin dhe duke dëmtuar buxhetin e shtetit shqiptar, fuoristradat, që do përdorte gjatë punës së saj në doganat shqiptare. Qeveria Rama edhe kësaj rradhe ishte me fat, sepse, kur firma shqiptare konkurente për ofrimin e fuoristradave e bëri publik skandalin, opozita torollake dhe impotente nuk diti ta bënte kalë beteje të saj këtë skandal, interesant madje edhe për mediat evropiane.

Nga vëzhgimet në terren, në terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit, në Doganën e Morinës dhe deri diku në Kakavijë vihet re një sjellje prej padroni, si  prej profesori para studentëve vjeshtukë të personelit shqiptaro-evropiano lindor të “C.A.”-së. Kudo doganierët e mjerë shqiptarë u përgjigjen ankesave të subjekteve me shprehjen standarte: “nuk kam ç’të bëj ka dhënë urdhër anglezi”. Kjo shprehje përdoret edhe kur kalohet ngarkesa për kontroll fizik, edhe kur ndërrohet klasifikimi tarifor (d.m.th. subjekti paguan padrejtësisht më shumë për importin e mallit), edhe kur importet personale në kundërshtim me ligjin shqiptar i nënshtrohen taksimit, edhe kur nuk u merren parasysh për vlerën doganore të mallit dokumente bankare si letra të parevokueshme krediti, pagesa me swift, garanci bankare etj.

Një qëndrim i tillë më kujton tregimet e instruktorëve të doganave angleze (Her Majesty Customs and Excise Overseas Training Branch), në vitin e largët 1992, kur na shpjegonin sesi doganierët malajzianë në vitet 50-të nuk bënin xhap pa lejen e zotërinjve të bardhë në luftën kundër kontrabandistëve, komunistë kinezë. E vetmja gjë që u mungon doganierëve të mjerë, të poshtëruar shqiptarë është shprehja: “Yes Sahib, Yes memsahib”. Në rastin tonë sahibët dhe memsahibët e bardhë nuk janë anglezë por një “rag-tag motley crew” ( një ekip copë-copë) i përbërë kryesisht nga individë të ardhur nga vendet e ish Demokracive popullore apo edhe nga ish Bashkimi Sovjetik.

Duke u bazuar në proverbin anglez, që veprimet flasin me zë më të lartë se fjalët, unë do t’ua falja qëndrimin prej padroni dhe origjinën ish sovjetike personelit të “C.A.”, nëse ata do na ofronin raste spektakolare suksesi në luftën  antikontrabandë. Fatkeqësisht “langojtë” e “C.A.” deri tani nuk i kanë nxjerrë në “thep të pushkës” doganierëve shqiptarë, ndonjë ujk apo ari kontrabandist, por veç “lepuj dhe mëllenja”.

Të vjen sa për të qeshur aq edhe për të qarë, kur këta “langonj” mburren kur kapin ndonjë refugjat shqiptar, që në bagazhin e makinës ka 3-4 goma të padeklaruara, apo një tjetër, që ka sjellë një ekspres kafeje të përdorur apo 7-8 shishe pije alkoolike, kur kodi doganor lejon vetëm një të tillë. Po t’i mbledhësh paratë që sigurohen nga evitimi i të tilla shmangieve nga detyrimet doganore për 2 javë në Terminalin e Pasagjerëve në Durrës, nuk shkojnë as sa paratë që harxhohen për rrogat e këtyre farë këshilltarëve për dy javë pune.

Do ta quaja investim të shkëlqyer milionat e eurove, që shkojnë në xhepat e “C.A.”-së, nëse këshilltarët evropianolindorë me xhaketa britanike do na bënin ndonjë profil rreziku për kontrabandë masive me  importet e hekurit nga Ukraina, apo për ecejaket e anijeve nga portet libiane  (siç!) në portin e Durrësit, apo për kontrabandimin e kafesë me dhjetra e me qindra ton etj.etj. Do u hiqja kapelen me respekt,nëse do u zbulonin kolegëve shqiptarë skema të tipit triangolazione (trekëndësh) për okultimin e origjinës së mallit dhe për rrjedhim shmangies nga detyrimet doganore. Do ta quaja heroizëm, nëse do vinin gishtin mbi kontejnerin e duhur, që mbrapa pulave apo thasëve me sheqer Brazilian fsheh kuintalë me kokainë puro të tranzituar nga Kolumbia ( Karteli i khalit), por jo ore jo këta myteberë kapin gjynahqarët dhe i sigurojnë buxhetit shqiptar dhjetra madje edhe qindra euro shtesë duke përdorur metoda me të vërtetë shkencore për të nxjerrë dhjamë nga pleshti. Niveli i këtyre këshilltarëve shkon maksimumi te niveli i doganierëve anglezë me shkollë të mesme, që në dalje të Tunelit të La Manshit kapin turistë, që kthehen nga fundjava në Francë me ndonjë shishe shampanje mbi të lejuarën, ndonjë rrotë djathi francez, apo me ndonja 200 a 300 ml parfum marke tepër.

Zonjusha Spiropali duhet ta kuptojë se niveli profesional i doganierëve si të Salës edhe të Fatosit, Ilirit apo Pandushit është shumë më i lartë se vetë niveli i saj dhe ata nuk kanë kompleks inferiotiteti nga niveli profesional jashtëzakonisht i lartë i evropianolindorëve të “C.S.”-së.

Zonjusha Spiropali nja katër ditë pas emërimit trumbetonte si arritje të madhe të doganave shqiptare sistemin “Asycuda”. Fatkeqësisht Spiropali na kujton z. Zhurden te komedia “Borgjezi fisnik” e Molierit, që u pataks i ziu, kur mori vesh se kishte gjithë jetën, që fliste në prozë!!!

Sistemi “Asycuda” u tentua të eksperimentohej në doganat shqiptare, që në vitin 1996 dhe filloi të zbatohej, që në kohën e Metës kryeministër diku nga viti 2001, fiks 12 vjet më parë se Elisa të bëhej drejtoreshë.

Zonjushë Drejtoreshë, sistemi doganor i Bode-Berishës kishte një mal me kusure, por ky sistem kishte edhe drejtorë si z.Morina me kompetencë dhe trimëri personale, që arrinin t’ia bënin tetë me dy edhe Gërdecarit Pinari. Zonjusha për kuriozitet mund të pyesë vartësit e saj sesi z.Morina e detyroi Pinarin dhe Mediun, që barutin për firmën belge “PB Clermont”, të mos e eksportonin nga Porti i Durrësit, por nga Qafë-Thana tranzit nëpër Serbi e në vazhdim. I sugjeroj zonjushës ta studiojë këtë precedent, sepse edhe sot e kësaj dite në forma të tjera vazhdon kjo “traditë’!

Kryeministri Rama i karakterizoi kolektivisht doganierët si hajdutë, ndonëse ish doganierët i ka pasur apo edhe i ka prefektë, kryetarë këshillash qarku, zv/ministra, deputetë apo edhe ministra e kryekontrollorë shteti. Asnjëri prej tyre nuk e kundërshtoi këtë deklaratë të z. Rama. Unë u çudita atëhere, por tani me qëndrimin servil, prej legeni tipik, që mbajnë doganierët ndaj këshilltarëve të “C.A.”, nuk habitem aspak.

Fundi i fundit, njerëzit pa dinjitet nuk trajtohen si njerëz, por si vegla. Të mendosh, që në vitin e largët 1947 Komandanti i Portit të Durrësit, Çelo Arrëza, ish partizan i Brigadës së Parë, pati aq kurajo sa të kundërshtonte këshilltarin jugosllav vetë të tmerrshmin kol. Safet Filipovicin. Në atë kohë kishte specialist si Naum Stëralla, që nga dashuria për Shqipërinë guxonin dhe i kundërshtonin këshilltarët jugosllavë, ndonëse rrezikonin të varroseshin të gjallë në Kënetën e Maliqit. Gjallë është ende shkencëtari Farudin Hoxha, që guxonte t’u kundërvihej këshilltarëve kinezë, Li-së, Cu-së, apo dhe Ce-së, ndërsa sot dinjitetin e doganierëve shqiptarë e nëpërkëmb edhe një palo polak i “C.A.”-së. Ky polaku është diplomuar në një Universitet të themeluar në vitin 1991 (Universiteti i Tiranës është i vitit 1957).

Si doganier u specializua në luftën kundër trafikimit të makinave të vjedhura, ndonëse “gojët e liga” thonë, që i shërbente bandave të kontrabandistëve të udhëhequr nga Shilovikë rusë, që makinat e vjedhura në Gjermani, i tranzitonin nëpër territorin polak për në Koniksberg të Prusisë Lindore (Oblasti i Kaliningradit). Më vonë u specializua për kontrabandën e cigareve dhe pasi u largua nga doganat polake u punësua nga firma, cigare importuese dhe cigare prodhuese (zona e Nova Hutas) (Siç!). Më pas andej nga Zvecani i Mitrovicës u ça duke luftuar kontrabandën e derivateve të naftës, që bënin çetnikët e Oliver Ivanoviçit! Sot u jep mend doganierëve shqiptarë, të cilët nga viti 1992 deri në vitin 2013 janë trajnuar në qindra e qindra kurse kualifikimi me specialistë nga më të mirët të doganave angleze, doganave franceze, doganave dhe Rojës së Financës italiane, me specialistë kinezë apo edhe nga agjensitë ligjzbatuese amerikane, ku  në mënyrë shumë të veçantë përmend kurset e kualifikimit për detektimin e radioaktivitetit.

Meqenëse Kryeministrit Rama i pëlqen shumë personazhi i Robert Çamçakizit, do u sugjeroja doganierëve shqiptarë të mos ngurrojnë të zbatojnë moton e tij “Shokun Sokrat e njoh vetëm shkresërisht”. Nesër, pasnesër, kur doganierët shqiptarë të paditen në Gjykatën Administrative nuk mund të justifikohen se kështu na urdhëruan anglezët. Doganierët shqiptarë do bëjnë mirë, që “shokët” anglezë, t’i njohin vetëm shkresërisht.

Dolcis in fundis!

Zonjusha Spiropali duhet ta dijë se Qeverisë Nano të vitit 1997 (12 muaj dhe 22 ditëshe) goditjen e mëshirës (Coup De grace) ia dhanë pikërisht doganat, që ishin shndërruar në atë kohë në një “koshere” bletësh kontrabandiste. Pika e fundit, që e mbushi kupën plot për qeverinë Nano në 2005 ishin prapë doganat, krahas 2 bidonëve me “mollë” të Qafmollës dhe historisë së gazetarit të Uashington Postit në nëntor 2004. Më pas në pranverën e vitit 2005 Shqipërinë e vizitoi i ndjeri Potter Gross i CIA-s dhe Kryeministri Nano, sipas këshillës ultimatum të tij, ia shiti ndeshjen e vitit 2005 z. Berisha.

Zonjusha Spiropali duhet ta kuptojë se po doli djalë kjo puna e anglezëve, ata ripërtërijnë kontratën duke fituar ca milion euro të tjera, po doli gocë (Porti i Durrësit dhe Qafëthana kanë ngrënë koka kryeministrash të majtë), faturën e paguan qeverisja e majtë d.m.th. kopili i mbetet Kryeministrit dhe Kryedoganieres së Shqipërisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/