Aksioni i radhës i skuadrës së “River Cleanup Albania” ishte Bovilla. Grupi i vullnetarëve vijoi ditën e djeshme (1 maj) aksionin e 14-t, së bashku me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura Durrës, pikërisht në burimin fillestar të lumit Ishëm, aty ku buron edhe dega kryesore e tij, lumi i Tërkuzës.
Ajo çfarë verifikuan vullnetarët ishte se burimi i lumit ishte i pastër, i rrjedhshëm dhe i pishëm. Sigurisht kjo entuziazmoi skuadrën që nuk u mbeti tjetër gjë, veçse të shijonte atë bukuri dhe panoramë natyrore, duke iu ngjitur malit të Gramtit, deri në 1000 metra lartësi të tij mbi nivelin e detit, nën përvojën e çertifikuar të Guida Albania, e cila rimbursoi me 30% udhëtimin e vullnetarëve.
Nuk duhet lënë mënjanë fakti, se edhe atje, në majë të malit, ku shkelte këmba e vizitorëve, luftëtarët e lumit më të ndotur në Evropë, mblodhëm një thes plastik dhe mbetje.
“Pas ditës së sotme i gjithë ekipi “River Cleanup Albania”, vërtetuan se e gjithë papastërtia e kësaj arterieje të Shqipërisë është pasojë papërgjegjshmërisë së zonave të banueshme përgjatë lumit.
Guroret e shumta mbi shtratin e lumit ishin po aq shqetësuese dhe padiskutim, përbënin një tjetër problematikë dhe pasojë e dëmtimit të këtij lumi.
Punë e madhe na pret për të vijuar pastrimet e lumit nga ndotja plastikës, si edhe edukimin e sensibilizimin e popullatës në të gjithë ato qytete, ku kalon ky lumë, që nga Durrësi, ku mori jetë lëvizja “River Cleanup Albania”, në kryeqytet, si ndotësi kryesor, në Krujë, Kamëz, Vorë e Kurbin.
Misioni vazhdon, ndaj bëhu i zgjuar e vepro, bashkohu me “River Cleanup Albania”, të ndryshojmë historinë e lumit më të ndotur nën përvojën dhe mbështetjen e River-Cleanup.org, Bruksel.
Bashkohu dhe vepro! Me vendosmërinë të pakursyer, le t’i japim zë e jehonë se ky lum do mbrojtur, se këtij lumi i do kthyer identiteti, sepse një e sotme e shurdhët do të sjellë një të nesërme kërcënuese për të gjithë!
Pastro lokalisht, vepro globalisht.
Clean locally, celebrate globally.
- @RiverCleanupAlbania,
- @RiverCleanup,
- @guidaalbania,
- @AdZMDurres”, thuhet në njoftimin e “RiverCleanupAlbania”.





