Durrës, 4 prill 2014– Shoqërohen në policinë e Durrësit dhe Krujës 21 persona lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në vendin e njohur me emrin “Ura e Tapizës”, në afërsi të Fushë Krujës. Pas atentatit ndaj Gjin Nikës dhe Fabio Xhungës, të cilët humbën jetën pasi u goditën me breshëri automatiku, ndërsa po udhëtonin me një motorçikletë tip “Yamaha” me targa AA441, policia ka nsiur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 23.40 të së enjtes.
Paraprakisht dyshohet se atentatorët kanë pasur për objektiv 35 vjeçarin Gjin Nika, i njohur nga forcat e rendit për precedentët e mëparshëm penalë.
Gjin Nika është arrestuar nga Policia e Tiranës në datë 21 janar 2014, si autor i dyshuar i vrasjes së mbetur në tentativë të datës 8 prill 2013 në Tiranë të shtetasit G.K. si dhe vrasjes së datës 17.01.2014 në Tiranë të shtetasit Hasan Talja. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së parë të rrethit gjyqësor Tiranë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Por më pas Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë masë, duke e lënë të lirë Gjin Nikën.
Në atentatin e mbrëmshëm, përveç Gjin Nikës humbi jetën edhe Fabio Xhunga, 33 vjeç nga Kamza, i proceduar penalisht më parë për “Organizim të lotarive të palejuara”.
Ky është atentati i dytë ndaj një biznesmeni në qarkun e Durrësit. Pak ditë më parë, në Shijak, persona ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri biznesmenin Ilir Hoxha, i cili mbeti i plagosur pak metra larg shtëpisë së tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





