Greqi, 4 prill 2014 – Nesër nis seanca e parë gjyqësore për 15 gardianë të akuzuar për rrahjen e shqiptarit Ilia Kareli. Prokurori në Serres Gjeorgji Toutonutzi u ka bërë thirrje të gjithë të akuzuarve, të kërkojnë falje nesër.
Sipas mediave greke ata do të paraqiten në hetuesi, por nuk pritet që nesër të merret ndonjë vendim, pasi avokatët e tyre kërkojnë me shumë kohë të njihen me dosjet e akuzës.
Në listën e 15 të pandehurve, nuk përfshihet drejtori i burgut të Nigritas, i cili gjithashtu akuzohet për mbrojtje të personave që kryen një akt kriminal.
Në të njëjtën kohë po vazhdojnë hetimet edhe ndaj punonjësve të burgut të Malandrinos, ku Ilia Kareli vrau gardianin grek më 25 mars.
Nga hetimet e deritanishme mësohet se shqiptari është rrahur në burgjet greke egërsisht nga 4 ish-komando. Në dëshminë e njërit prej komandove thuhet se “Teksa e godisja, e dallova që ndihej keq. E goditëm të gjithë, por nuk donim ta vrisnim, nuk ishim pa zemër.”
Nga ekspertiza rezultoi se Kareli u qëllua në kafazin e kraharorit që ishte copëtuar, ndërsa u godit në shpinë dhe në thembrat e këmbëve me një kamxhik të improvizuar me një leckë të lagur dhe të lidhur nga të dyja skajet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





