Durrës, 4 prill 2014 – Një 20 vjeçar nga Durrësi është arrestuar në flagrancë, ndërsa po i shiste një sasi të vogël kanabisi sativa një klienti dhe ishte në pritje të shpërndarjes së dozave të tjera tek klientët e zakonshëm. Në pranga ka përfunduar shtetasi Marjan Aldemiraj, i cili është kapur në zonën e ish-Kënetës, ndërsa po furnizonte 27 vjeçarin A.I. me 3.5 gr kanabis.

Nga kontrolli i ushtruar nga policia ka rezultuar se Aldemiraj kishte me vete 72.5 gr kanabis sativa, sasi kjo e destinuar për klientët e tjerë të 20 vjeçarit.

Krahas prangosjes së Aldemirajt dhe nisjes së procedimit penal për klientin A.I., policia ka shpallur në kërkim një 22 vjeçar që rezulton të jetë furnizuesi i 20 vjeçarit me lëndë narkotike.    

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se lënden narkotike Marjani e kishte siguruar nga shtetasi Shyqyri Paci, për të cilin policia vijon punën për kapjen e tij. Dy të rinjtë akuzohen për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndës narkotike”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/