Itali, 4 prill 2014 – Gjykata italiane dënoi në total me 21 vjet burg 4 peshkatarët durrsakë, të arrestuar në 30 janar 2013 në Portin e Brindizit, me 15 kg heroinë të ndarë në 28 pako.

Peshkatarët e dënuar janë:

Rustem Mustafa, 54 vjeç, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg.

Kadri Cami, 66 vjeç, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.

Ferdinand Shkurti, 49 vjeç, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.

Avni Ceka, 60 vjeç, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.

Ngjarja

Policia italiane ka mundur të sekuestrojë në portin e Brindizit, në datë 30 janar 2013, 15 kile heroinë, ndërsa ka vënë në pranga 5 persona, mes tyre 4 shtetas shqiptarë. Sasia e madhe e drogës ka mbërritur në portin e Brindizit me një peshkarexhë shqiptare, "Durrësi II", në të cilën ndodheshin shtetasit Rustem Mustafa54 vjeç (kapiteni i peshkarexhës), Kadri Cami, 66 vjeç, Ferdinant Shkurti, 49 vjeç dhe Avni Ceka, 60 vjeç. Ndërkohë në pranga ka përfunduar edhe shtetasi italian Teodoro Di Lauro, me precedentë penalë. 

Karabinierët kanë mbajtur nën vëzhgim shtetasin Di Lauro, nga Brindizi, i cili ndodhej në shoqëri të disa personave të njohur për lidhjet e tyre me organizatat mafioze. Di Lauro ndodhej në një automjet tip Ford Fiesta me të cilën është vënë më vonë në lëvizje drejt portit të Brindizit. Në molin Feltrinelli ai ka marrë një çantë të madhe që ka vënë në lëvizje policinë.

Karabinierët kanë hyrë në aksion menjëherë dhe kanë arrestuar shtetasin brindizin dhe 4 shqiptarët që ndodheshin në mol. Brenda çantës që policia i sekuestroi Di Lauros ndodheshin 28 pako me heroinë. Policia e Brindizit deklaroi në atë kohë se kjo është sasia më e madhe e heroinës e konfiskuar në këtë zonë gjatë viteve të fundit. Në shtëpinë e Di Lauros karabinierët kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit Tocarev dhe një sasi të kosiderueshme fishekësh.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/