Bruksel, 4 prill 2014– Në një analizë të publikuar në uebsajtin “European Union in Albania”, komisioneri për zgjerim Stefan Fule ka bërë të qartë se klima e tensionuar e kohëve të fundit mes palëve politike ne Shqipëri, vë në rrezik atë që vendi , ka arritur deri tani drejt marrjes se statusit të kandidatit. 

Fule shprehet më tej, se çdo perceptim apo dyshim, se qeveria nuk i respekton plotësisht rregullat, dëmton Kushtetutën e vendit. Komisioneri Fyle i është drejtuar qeverisë dhe opozitës me apelin për bashkëpunim dhe respektim të rregullave dhe kushtetutës.

“Mesazhet e mia kryesore i drejtohen si qeverisë, ashtu dhe opozitës. Klima aktuale politike konfrontuese i minon arritjet e Shqipërisë. Ju, qeveria dhe opozita bashkë, duhet të siguroni që procesi të mos dalë nga udha. Qeveria duhet të krijojë hapësirë për pjesëmarrjen e opozitës. Gjithashtu, duhet të japë një shembull të mirë duke respektuar rregullat. Çdo perceptim apo dyshim se qeveria nuk i respekton plotësisht rregullat e Kushtetutës e dëmton vendin”,– tha ai. 

Zyrtari i BE, ndër të tjera shton se, nuk mund të ketë justifikim për shkarkimin e ekspertëve në agjencitë ekzekutive, per shkak te përkatësisë se tyre politike.

“Nuk mund të ketë justifikim për shkarkimin e ekspertëve në agjencitë ekzekutive bazuar në përkatësitë e tyre politike. Sigurisht, të gjitha administratat janë të detyruara të sigurojnë se të gjithë punonjësit e tyre u përmbahen standardeve më të larta profesionale dhe etike. Edhe opozita ka një përgjegjësi të qartë. Ajo duhet të ruajë një përqasje konstruktive. Duke punuar së bashku, përpjekjet tuaja do të forcohen. Statusi i vendit kandidat, pasi të jepet, do të jetë një vlerësim i punës së të gjitha palëve”,- thotw Fyle. 

Komisioneri Fyle rendit dhe hapat, që vendi ynë duhet të ndërmarrë për të arritur ne marrjen e statusit te kandidatit, duke ruajtur dhe njëkohësisht duke shtuar, tempin e reformave, si dhe trajtimin e sfidave në fushat ku kërkohet me shumë përpjekje dhe energji. 

Fyle thotë se rruga që Shqipëria duhet të përshkruajë për marrjen e statusit në qershor është e qartë. Sipas tij, Shqipëria nuk ka përgjegjësi vetëm ndaj qytetarëve të saj por dhe ndaj vendeve, që e shohin si frymëzim.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/