Itali, 4 prill 2014 – Financierët e Breshias arritën një sukses jo të vogël. Në bashkëpunim me kolegët spanjollë ata mbajtën nën vëzhgim, që nga 26 marsi një trajler me targa shqiptare, që transportonte një kontejner frigoriferik me 23 ton pula të ngrira, të ardhura nga Brazili në Spanjë. Pulat kishin si destinacion një firmë në Fier. Dyshohet se pronarët e firmës janë pjesëtarë të një rrjeti trafikantësh kokaine me kontakte në Itali, Spanjë dhe Amerikën Latine.

Gjatë kontrollit të trajlerit u gjetën 52 kg kokainë e pastër deri në 80%. Vlera e shitjes me pakicë të kësaj sasie droge shkonte në 10 milion euro. Kjo është hera e parë që sekuestrohet një sasi e tillë kokaine me një goditje të vetme. Bashkë me drogën u sekuestrua kamioni dhe sasia e pulave të ngrira. U arrestuan dy shoferët e kamionit, Albert Tanku, 40 vjeç me precedentë penalë për kontrabandë në vendet e Komunitetit Europian dhe Elidon Hasani, 40 vjeç pa precedentë penalë.

Financierët italianë në sajë të celularëve të shoferëve dhe dokumentave të ndryshme të gjetura në kamion, arritën të sigurojnë informacione të rëndësishme. Rezultoi se organizata shqiptare, që merret me trafik kokaine ka rrjetin e saj në Fier dhe Tiranë në Shqipëri, në Provincën e Breshias në Itali, në Spanjë dhe në shtetin federal të Rondonias në Brazil.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/