Durrës, 4 prill 2014 – Durrsakët do të përballen dy herë me skuadrën kuksiane në harkun kohor të pak ditëve. Ndeshja e parë do të jetë të shtunën për kampionat, ndërsa më 9 prill, do të luajnë ndeshjen e kthimit të turit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Në kampin durrsak janë optimistë se do të bëjnë një paraqitje të mirë në këto dy sfida mjaft të rëndësishme.

Mirëpo, më shumë interes të besuarit e Biturkut i kushtojnë ndeshjes së kthimit e vlefshme për gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë. Mesfushori Albi Dosti u shpreh se skuadra do të japë maksimumin në këto dy përballje të rëndësishme.

“Ne jemi në topformë dhe të gatshëm për t’u përballur me veriorët në çdo moment. Si për ironi të fatit, këto dy sfida që do të luajmë ndaj Kukësit janë mjaft të rëndësishme, ndaj duhet të jemi shumë të përqendruar. Sezoni ka arritur në pikën e tij më të nxehtë, por fatmirësisht edhe ne jemi në formën tonë më të mirë. Ndaj kemi besim se si për sfidën që do të luajmë për kampionat në fundjavë, ashtu edhe për kupë do të marrim maksimumin. Kundërshtarin e respektojmë maksimalisht, por dua të theksoj se nuk i trembemi. Madje, ajo mund t’ju them se ndihemi superiorë ndaj çdo kundërshtari”,- tha Dosti

Për durrsakët, më tepër rëndësi ka të fitojnë ndaj Kukësit në sfidën e kthimit për turin gjysmëfinal të kupës.

“Mendoj se këto dy ndeshje janë vërtet të rëndësishme për skuadrën tonë, pasi aty varet i gjithë sezoni. Por mendoj se më e rëndësishme për ne do të jetë ndeshja e kupës, ku duhet të jemi precizë në çdo aspekt. Gjithsesi, sikurse e thashë edhe më lart, ne jemi një skuadër shumë e mirë dhe ndihemi superiorë ndaj çdo kundërshtari. Do të bëjmë gjithçka që t’i fitojmë të dyja përballjet dhe realisht i kemi të gjitha mundësitë për ta arritur një gjë të tillë”,- tha futbollisti.

Teuta e tanishme është fare e paparashikueshme, sepse është e aftë të fitojë me këdo. Një skuadër kaq të fortë durrsake kishim kohë që nuk e shihnim. Rezultate pozitive ka pasur edhe në të kaluarën e afërt, por tashmë flitet për një kompleks të aftë të kundërshtojë kudo, madje edhe në fushat më të vështira ku luhet futboll superior. Efekti pozitiv është ai tradicionali. Në këtë skuadër luajnë futbollistë që kanë kohë që ia pasojnë topin njëri tjetrit. Veç të tjerash, “djemtë e detit” janë të përbërë nga një grup talentesh, por të rinj në moshë, si dhe të udhëhequr nga liderë, që megjithëse janë në fund të karrierës së tyre mund t’u besosh ende. Dhe në radhë dy ndeshje kundër Kukësit, të dyja njëra më e rëndësishme se tjetra.

Të shtunën në “Zeqir Ymeri” e gjithë skuadra do të jetë e plotë, e gatshme për t’u përballur me ekipin që në verë ka kaluar tri ture në Europa League. Ndërsa të mërkurën Teuta pret Kukësin në “Niko Dovana”, për të diskutuar ndeshjen e kthimit të vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/