Itali, 4 prill 2014 – Edlira Çopa Dobrushi ka qëlluar rreth 30 herë me thikë secilën nga 3 vajzat e saj natën e tragjedisë. Krimi makabër i gruas shqiptare që pushtoi faqet e para të gazetave shqiptare dhe italiane duket se ka ende detaje të pazbardhura.

Prokuroria e Leccos ka bërë publike ekspertizën mjeko-ligjore për tragjedinë e ndodhur në orët e para të datës 9 mars 2014, ku rezulton se secila nga tre vajzat e saj, Simona, Keisi dhe Sidni, 14, 10 dhe 3 vjeçe janë goditur nga nëna e tyre rreth 30 herë me thikat, me të cilat u konsumua krimi i tmerrshëm. Kështu raporton Tgcom, i cili shkruan se me një llogaritje makabre, çdo njëra prej vajzave është qëlluar me thikë nga 30 herë, duke u masakruar”.

Avokati i Edlira Dobrushit, ka treguar për median se, kishte mundur të fliste me 37 vjeçaren për atë që ajo kishte bërë. “I kam shpjeguar atë që kishte bërë dhe atë që po ndodh me çështjen ndaj saj, me qëllim që ajo të jetë e vetëdijshme”, ka thënë ai.

Krimi i trefishtë i Edlira Dobrushit erdhi vetëm pak muaj pas divorcit të saj me bashkëshortin dhe lidhjes së tij me një tjetër femër. Në momentet e para pas tragjedisë, 37 vjeçarja deklaroi për hetuesit se i vrau vajzat sepse i trembej të ardhmes së tyre të mjeruar. 37 vjeçarja është e akuzuar për “vrasje të shumëfishtë”.

Në datë 1 prill ajo la spitalin për t’u transferuar në burg, 37 vjeçarja shqiptare qëndronte në spitalin e Lecco-s, që nga dita kur u konsumua tragjedia. Ajo është dërguar në burgun e Komos në pritje të nisjes së procesit gjyqësor ndaj saj. Ditë më parë avokati i saj mbrojtës pati deklaruar se Edlira ka nisur të kujtojë, por ende nuk dihet saktësisht sesa është e përgjegjshme 37 vjeçarja për vrasjen monstruoze që kreu.

Trupat e pajetë të tre vajzave të mitura, Simona, Keisi dhe Sidni Dobrushi janë sjellë në Shqipëri dhe janë varrosur në fshatin Dobrush të komunës Malzi të Kukësit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/