Nga Alqi Kadenasi

 

Reforma e pritshme territoriale, si një domosdoshmëri imperative, duket se po përgatitet në mënyrë graduale dhe me kujdesin e hapave sa më të matur. Si anëtar i grupit të punës për përgatitjen e kësaj reforme për qarkun e Durrësit, kam qenë e mbetem i interesuar për trajtimet dhe këndvështrimet lidhur me këtë reformë.

Nuk ka asnjë dyshim që kjo reformë do të kërkojë, veç angazhimit politik, atij që quhet konsensus, në radhë të parë angazhimin profesional.

Duket se propozuesit e kanë në konsideratë  një situatë të tillë. Në të gjitha rastet, qoftë në medien e shkruar, në takime apo diskutime të shumta që janë duke u organizuar, vërehet se theksi vendoset pa mëdyshje në domosdoshmërinë  e reformës.

Kryefjala e reformës territoriale, qartazi, është evidentuar funksionaliteti i njësisë që krijohet si njësi më vete. Duket se kriteri bazë i përzgjedhjes, ai i funksionalitetit, është në vetvete edhe pseja e vetë reformës administrative që po dëshirojmë të realizojmë. Kur themi funksionalitet, së pari kemi në konsideratë funksionalitetin zhvillimor, atë ekonomik.

Sipas statistikave të sotme, edhe brenda qarkut të Durrësit ka diferenca të theksuara zhvillimore, ekonomike e të efikasitetit ndërmjet njësive aktuale administrative.

Kështu, ndërsa komuna e Cudhisë nuk realizon pothuajse asnjë një të ardhur ekonomike (vetëm 1 euro për banor), ajo e Xhafzotajt realizon afro 74 euro për banor, vetë bashkia e Durrësit shpenzon 6 herë më pak për personelin se sa bashkia e Krujës që administron një popullsi 12 herë më të vogël se sa ajo e Durrësit e kështu me radhë.

Diskutimet në tërësi, e jo vetëm për qarkun e Durrësit, e kanë vënë theksin tek fakti se derivati i reformës administrative do të jetë edhe efekti ekonomik që do të sjellë ndarja e re. Por pikërisht, ky është edhe një nga problemet që do të duhet të jetë në qendër të vëmendjes dhe që sigurisht i kalon dimensionet e diskutimit aktual për reformën territoriale.

Për shembull, në qarkun e Durrësit, në qoftë se Cudhia sot është e paaftë të gjenerojë të ardhura e ato i janë dhënë nga qeveria qendrore, nesër Cudhia do t’i bashkohet, fjala vjen, Krujës. Pyetja është se çfarë ndryshoi për Cudhinë? A do ta bëjë ky bashkim Cudhinë më të pasur ekonomikisht, apo paratë që dje ia jepte shteti, nesër do t’ia japë bashkia e Krujës?

Në Durrës sot është si njësi më vete komuna e Ishmit. Të ardhurat e saj ekonomike janë shumë të kufizuara dhe si në shumë njësi të tjera, baza e financimeve është buxheti i shtetit. Nesër Ishmi do të jetë pjesë e një njësie të vetme administrative, për shembull, së bashku  me bashkinë e Sukthit apo me Bubqin e Thumanën. Çdo të ndodhë nesër? Paratë që sot Ishmit i vijnë nga buxheti i shtetit, nesër do t’ia japë Sukthi, Bubqi apo Thumana? Çfarë ndryshoi kështu për Ishmin?

Shembuj të tillë mund të merreshin shumë. Problemi është më i thjeshtë.

Reforma territoriale e pritshme nuk do të duhej kurrsesi të bënte “transferimin e financimit” të komuniteteve (ish-njësive territoriale) të varfra nga shteti në kurriz të njësive më të zhvilluara e më të pasura. Kësaj i thonë të mos e shtojmë verën me ujë, pasi kështu asnjë nuk fiton, por të gjithë humbasim.

Në këtë këndvështrim është e domosdoshme që përgatitjet aktuale për reformën administrative të përfshijnë gjerësisht legjislacionin aktual, por edhe politikat zhvillimore shtetërore.

Do të duhej të ndryshonte vetë ligji organik nr. 8652 i funksionimit të pushtetit vendor, do të duhej të ndryshonte edhe ligji i buxhetit të shtetit, mjaft ligje të tjera që  lidhen me sistemin fiskal, me tatimet etj.

Synimi i kësaj sa nënvizojmë është që njësitë e reja territoriale të mos jenë viktimë e  shtrirjes së varfërisë që sjellin në këtë bashkim ish-njësitë e vjetra. Nga ana tjetër, kur të ndodhë e kundërta, si në rastin e bashkisë së Durrësit, e cila pret t’i bashkëngjitet vija bregdetare, njësia “mëmë” të mos jetë thjeshtë përfituese e resurseve që sjellin financime.

Si do të realizohet detyrimi që në këtë rast, këto resurse, të vijojnë të kontribuojnë në zhvillimin e ish-komuniteteve?

Lënia e këtyre problemeve në dorën e politikave zhvillimore të njësive mëmë, pa përcaktuar detyrime ekstra, të paktën për një periudhë transitore, do të çojë pa asnjë diskutim në një polarizim të zhvillimit ekonomik rajonal në shumë të pasur dhe në shumë të varfër. Kjo do të jetë me pasoja. Në këtë këndvështrim është e domosdoshme që problemeve t’u paraprihet me kohë.

Problemi i reformës administrative e territoriale nuk është kurrsesi detyrë e veçuar, aq më shumë  e shkëputur nga realiteti i pritshëm zhvillimor i vendit. Ndaj realizimi në front i të gjithë detyrimeve ligjore që do të rrjedhin nga reforma territoriale, është domosdoshmëri për të mos qenë nesër të befasuar nga “efektet anësore” dhe të padëshiruara të reformës së pritshme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/