DURRËS 26 mars 2014 – Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani merr në mbrojtje, më 26 mars 2014 njeriun e Athinës, kundëradmiralin Kristaq Gerveni, që ka shkelur kushtetutën në bisedimet me krerët ushtarakë grekë për tjetërsimin e ujërave territoriale shqiptare në favor të interesave grekë.
Po ashtu, ky ushtarak ka turpëruar Shqipërinë në NATO, teksa, me një nivel mendor kapteri, ka veshur uniformën e admiralit, për t’u kapardisur në Bruksel.
Fakti që, ndryshe nga Qeveria, institucioni i Presidentit të Republikës nuk ka reaguar ndaj aneksimit të Krimesë nga Kremlini, vë në dyshim dhe integritetin e z. Nishani, komentojnë jozyrtarisht qarqe diplomatike në Tiranë.
Sherri “institucional” që ka nisur Presidenti me Qeverinë dhe Forcat e Armatosura, përkon me situatën e nderë ndërkombëtare dhe planet në përpunim të NATO-s, të cilat mund të dekonspirohen në favor të Kremlinit.
Në Shqipëri ekziston një kolonë e pestë ruse, që arriti të krijojë një frymë antiamerikane lidhur me armët kimike të Sirisë.
‘Dyrrah”-u po rreshton disa fakte.
GJENERALI I KGB: MË FTUAN BERISHA DHE NISHANI
Më 26 gusht 2011, kur ishte ministër i Brendshëm i PD-së, z. Nishani ka nënshkruar një marrëveshje me Kremlinin për krijimin e një kordoni sanitar me një pesëshe kundër Kosovës: Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Shqipëri, Rusi.
Në këtë marrëveshje ka zotime për shkëmbim informacionesh.
Karakterin konspirativ ia jep edhe një fakt i panjohur për publikun shqiptar.
“Ftesa për të vizituar Shqipërinë erdhi nga pala shqiptare për t’u takuar me Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e brendshëm Bujar Nishani dhe zëvendëskryetarin e parlamentit Ardian Turku”, – tha më 26 gusht 2011 në një intervistë telefonike për agjencinë zyrtare të lajmeve të Rusisë ITAR-TASS drejtori i Antidrogës ruse, Viktor Ivanov.
Intervista është dhënë gjatë qëndrimit të gjeneralit Ivanov në pikën kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, pak para nënshkrimit të marrëveshjes Shqipëri-Rusi për luftën kundër drogës dhe bisedimeve me kreun e ekzekutivit shqiptar.
Kjo nënkupton që vetëm në Shqipëri erdhi me ftesë, kurse turi ballkanik në Serbi, Maqedoni u sajua për të mbuluar bisedimet Ivanov-Berisha.
“Zoti Ivanov ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave i Shqipërisë.
Dhe në fund të këtij njoftimi është shënuar një frazë polisemantike, dhe pse e thatë, në dukje, pa ngjyrime: “Duke i përcjellë përshëndetjet për Kryeministrin Putin dhe Presidentin Medvedev, Kryeministri Berisha e siguroi zotin Ivanov se Shqipëria do të jetë një partner eficent dhe i vendosur”.
RUSIA: NATO SOLLI DROGËN NGA AFGANISTANI
Para se të shkelte në Tiranë më 26 gusht 2011, Ivanovi sulmoi NATO-n duke e bërë fajtore për lulëzimin e narko-trafikut në Afganistan:
“Nëse në Rusi heroina kalon nëpër korridorin verior – nëpërmjet shteteve të Azisë së Mesme dhe Kaukazit të Veriut – në vendet e BE-së kalon nëpër korridorin ballkanik… frymëmarrje… mori korridori me fillimin e operacionit të NATO-s në Afganistan, kur vëllimi i prodhimit të drogave u rrit 40 herë. Prandaj ky problem për gadishullin ballkanik dhe vendet e BE-së është tejet i mprehtë”, kështu tha Ivanovi më 26 gusht 2011, në kufirin maqedonas-shqiptar më pak se një orë para takimit me drejtues të një vendi-anëtar i NATO-s, sikurse është Shqipëria.
SHKËMBIMI I INFORMACIONIT
Në komunikatën për mediet, Moska thotë se “në fund të takimeve është planifikuar nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe mes FSKN-së [Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse, që nuk është ministri!] me ministritë e punëve të brendshme të Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë mbi bashkëpunimin në luftën kundër drogës. Këto marrëveshje mundësojnë koordinimin e përpjekjeve të institucioneve të ruajtjes së rendit të vendeve ballkanike dhe FSKN-së së Rusisë, si dhe zhvillimin e kontakteve profesionale dhe shkëmbimin e informacionit”. Por duhet vënë në dukje se shkëmbimi i informacionit operativ dhe strategjik mes një vendi të NATO-s si Shqipëria dhe një vendi jo-anëtar si Rusia, kërkon OK-in e Brukselit. Tjetër punë është për Maqedoninë dhe Serbinë. Është e njohur zhurma që është bërë në vitin 2010 kur u publikua në shtypin shqiptar deklarata e ambasadorit shqiptar në Moskë Sokol Gjoka për shkëmbimin e informacionit mes dy vendeve. Vetë zyra përkatëse në NATO ka kërkuar llogari pranë autoriteteve shqiptare.
TOPALLI, UJDIA SHISH-FSB
Personalisht, ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefinë Topalli ka urdhëruar shkëmbimin e informacioneve sekrete midis SHISH-it dhe Shërbimit Federal të Sigurimit të Federatës Ruse (FSB).
Më 8-9 qershor 2010, me ftesë të kryetarit të komisionit për Politikën e Jashtme të Dumës ruse Konstantin Kosaçov vizitoi Moskën një delegacion i komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë.
Mësohet se delegacioni i kryesuar nga kryetari i komisionit të Jashtëm Fatos Beja, u takua në komisionin e Jashtëm të dhomës së ulët të parlamentit me drejtues të tij, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Vladimir Titov.
Ka ngjallur shqetësim në strukturat e NATO-s informacioni se në takimin e Bejës me Titovin “u shkëmbyen mendime edhe për bashkërendimin e politikave dhe eksperiencave dypalëshe në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, trafiqeve të paligjshme etj.”.
Të njëjtën gjë ka pohuar në dhjetor 2009 dhe shkurt 2010 ambasadori shqiptar në Moskë, Sokol Gjoka (“një nga drejtimet e bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar të Shqipërisë, dhe me Federatën Ruse, përfshin kooperimin e shërbimeve inteligjente, shkëmbimin e informacionit dhe veprimet operative konkrete”).
Por njoftimi është hequr nga uebi i Kuvendit, por ka mbetur në arkivin e “Google-it” nëpërmjet një njoftimi të ATSH-së, gjë që përbën një skandal më vete.
A TAKOI BERISHA PUTININ NË QERSHOR 2012
Sipas një njoftimi për shtyp të MPJ të Rusisë, më 4 prill 2012 V. G. Titov, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, zhvilloi konsultime me E. Harxhin, zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Palët shkëmbyen mendime mbi një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin e dyanshëm dhe tema aktuale të agjendës ndërkombëtare. Vëmendje e veçantë iu kushtua grafikut kontakteve të ardhshme ruse-shqiptare, duke përfshirë edhe ato nën linjën e ministrive së punëve të jashtme, zgjerimit të marrëdhënieve tregtare-ekonomike, zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës.
U diskutuan çështje të ndërveprimit të dy vendeve në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kontekst të kryesimit të ardhshëm të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, një numër të çështjeve të politikës globale dhe gjendja në Evropën Juglindore.
Por është i pashpjegueshëm fakti që, ndërsa MPJ-ja dhe mediet ruse i bëjnë jehonë vizitës të Harxhit në Moskë, vartësit e saj në Tiranë nuk i pasqyrojnë në uebin e Ministrisë së Jashtme veprimtaritë në “Romën e Tretë”. Për më tepër që Harxhi, një nga njerëzit më të besuar të Berishës dhe PD-së, ka arritur sukses, teksa ka siguruar një ftesë për Kryeministrin Berisha në forumin ekonomik të qershorit në Shën-Peterburg.
Në një intervistë të 12 prillit 2012 të ish-zëvendësministres shqiptare të Punëve të Jashtme Edit Harxhi dhënë ITAR-TASS-it, deklarohet se “po aktivizohen lidhjet shqiptare-ruse të viteve 1940-50”.
Po ashtu Harxhi deklaroi se kishte siguruar ftesë që në qershor 2012 Kryeministri S. Berisha të merrte pjesë në forumin ekonomik të Shën-Peterburgut, ku mund të bisedonte me homologun rus.
Për Harxhin “bashkëveprimi në Ballkan dhe me Rusinë ka shumë rëndësi për garantimin e sigurisë në rajon” dhe shtroi me forcë idenë e funksionimit në të gjitha nivelet të marrëdhënieve me Rusinë. Po citojmë një fragment të intervistës.
ITAR TASS: Ju erdhët në Moskë për konsultime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Na tregoni se cilat ishin çështjet që u prekën në bisedimet me homologun tuaj rus Vladimir Titov? A u diskutua grafiku i vizitave të ardhshme të zyrtarëve rusë dhe shqiptarë dhe në ç’nivele?
Edit Harxhi:Shpreh mirënjohje të thellë për ftesën që m’u bë nga kolegu im Vladimir Titov për një vizitë në Moskë për vazhdimin e konsultimeve politike. Në vitin 2010 konsultime të tilla bëmë në Shqipëri. Ftova Vladimir Titovin të vinte në Tiranë. Si gjithmonë, konsultimet janë zhvilluar në mënyrë konstruktive. Sot diskutuam probleme të marrëdhënieve në formatet dypalëshe dhe shumëpalëshe. Çështja më e rëndësishme që prekëm sot, lidhej me formatin e vizitave shtetërore në vendet tona në të gjitha nivelet, duke filluar nga krerët e Ministrive të Jashtme. Kemi përgatitur tashmë ftesën për Sergej Lavrovin për të vizituar Tiranën. Ministri ynë i Punëve të Jashtme ka shprehur dëshirën për të ardhur në Moskë. Do të donim të përfshinim të gjitha nivelet në zhvillimin e marrëdhënieve ruse-shqiptare. Vizitat dypalëshe mund të shpeshtohen dhe në një nivel më të lartë, duke pasur parasysh dhe fushën ekonomike. Presim që kryeministri ynë të jetë i pranishëm në forumin ekonomik të Shën-Peterburgut në muajin qershor, në të cilin mund bëhen bisedime me homologun rus për çështje konkrete ekonomike.
Niveli i qarkullimit të mallrave midis Rusisë dhe Shqipërisë është i ulët në krahasim me ato mundësi që kemi. Mund të hapet epokë të re në bashkëpunimin dypalësh, duke zhvilluar një forum të përbashkët ekonomik. Vitin e kaluar [2011], një forum i tillë u bë në Moskë, kurse vitin tjetër do të donim ta mbanim në Tiranë. Pas formimit të qeverisë se re në Federatën Ruse është planifikuar sesioni i komisionit rus-shqiptar për ekonominë me pjesëmarrjen e kabinetit të ri. Nga pala shqiptare këtë takim e mbulon ministri i Ekonomisë. Shpresojmë se mbledhja do të mbahet sa më shpejt e mundur në Tiranë. Do të donim gjithashtu të shihnim investitorë rusë në Shqipëri. Aktualisht kjo gjë është një nga objektivat kryesorë në marrëdhëniet ekonomike.
Ndërkaq kemi përvojë pozitive në shkëmbimet ndër-parlamentare. Për shembull, spikerja e parlamentit tonë para pak kohësh ka qenë për vizitë në Moskë. Në një kohë sa më të shpejtë presim një vizitë në Shqipëri të kryetarit të komitetit për çështjet ndërkombëtare të Duma-s së Shtetit [dhoma e ulët e parlamentit të Federatës Ruse]. Gjithashtu i kemi dërguar ftesë spikerit të Duma-s së Shtetit. Po bëjmë përpjekje të aktivizojmë lidhjet tona (starayemsya aktivizirovat nashi svyazi). Besojmë se ndërveprimi në Ballkan krah për krah me Rusinë ka shumë rëndësi për garantimin e sigurisë në rajon
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





