Nga Xhevahir Gradica

25 mars 2014 – Të pabesuara për sot por shumë të vërteta për gjysëm shekulli. Që një denstist të tërhiqte nga magazina një shiringë për injeksione të ndryshme detyrimisht duhej të paraqiste të gjithë aktivitetin e punës. Ky ka qenë realiteti shërbimit stomatologjik shqiptar deri në fillimet e viteve 1990, kohë që vendi ynë kapërceu nga sistemi diktatorial në atë demokratik. Të gjithë ata që e kanë përjetuar kohën, e kujtojnë dhe e pranojë këtë të vërtetë të hidhur. Të tjerë, që i përkasin kohës së re, e kanë thuajse të pamundur të e besojnë. Një nga mjekët me përvojë afro gjysmëshekullor, dr. Vangjel Aleksi, ka risjellë përmes kujtimeve të tij episode gati të pabesueshme për brezat e pas viteve 90 të shekullit të kaluar. Dr. Aleksi është një nga pesë mjekët e parë stomatolog në Durrës të shkolluar në auditoret e Universitetit shqiptar apo edhe jashtë vendi. Jeta e tij që nga fëmijëria e deri më tani ka kaluar përmes pasionit për sportin, muzikën, kërcimin, shëtitjet, guidat jashtë vendi, studimet historike e gjeografike pa u shkëputur thuajse asnjëherë nga pasioni për profesionin e mjekut dhe hulumtimet në këtë disiplinë të shërbimit shëndetësor. Sa herë që bie fjala për muzikën kthehet dhe plot gaz nis të tregojë se kërcen edhe tani shumë mirë dhe pa u lodhur fare Rokenroll. E mësoi fare i ri nga e motra që studionte jashtë vendi në vitet e para të pasçlirimit dhe e manifestonte në të gjitha mbrëmjet argëtuese studentore edhe pse ky model kërcimi qe tërësisht i ndaluar. Sot shërben në një klinikë, ndërsa udhëton dhe argëtohet në mënyrën e tij të veçantë sipas një kalendari të përpiktë me familjen, miq e shoqëri nga Durrësi e Tiranë, guidë nëpër Shqipëri dhe në vende të ndryshme të Botës.

Pak histori jete

  Vangjel Aleksi ka kaluar një fëmijëri të mirë pasi i ati dhe i gjithë fisi Aleksi asokohe gjendeshin në kushte të mira ekonomike. Kështu që djaloshit të gjimnazit “16 shtatori” në Durrës nuk i ka munguar gjë në realizimin e dëshirave të tij për veshje, argëtim e studim. Zoi Aleksi, i ati mjekut të ardshhëm, qe tregtar pijeshitës dhe reshtohej ndër dhjetë tregtarët që kishin tavernë dhe zhvillonin tregti që para vitit 1939. Zoi së bashku me të vëllanë Dud Aleksi kishin ardhur nga Berati në Durrës në vitet 20 të shekullit të kaluar, kohë që nisën edhe aktivitetin e tyre tregtarë.  Kjo i dha mundësi kryefamiljarit të ndikonte për edukimin arsimor të dy vajzave: Kristavgji e Elizabeta si dhe të djalit Vangjel. Vajza e parë, bashkëshorte e stomatologut shumë të njohur Pirro Qerimi u arsimu për farmaceutikë, kurse Elizabeta (Aleksi) Leka në fushën e merceologjisë. Djali familjes, Vangjeli, me të përfunduar studimet e mesme studioi në Mjekësi. Vangjeli,kujton se në formimin e tij krahas  prindërve dhe xhaxhait kanë ndikuar zhvillimet politike të kohës. Konkretisht ai veçon tri ngjare të mëdha dhe me peshë e ndikim botëror që janë Ngjarja në Hungari me revolucionin demokratik, Lufta për kanalin e Suezit nga invazioni franko-anglezo-izraelit kunder Egjiptit dhe Pavarësia e Tibetit. Pinjollët e familjes Aleksi si dhe shumë qytetarë e intelektualë të tjerë në Durrës patën fatin e mirë se në radiot e tyre futeshin valët e stacioneve të huaja italiane, franceze, amerikane… Asokohe shoqëria shqiptare ishte deri diku liberale në drejtim të sjelljes, veshjes dhe argëtimit. Bëhet fjalë për vitet 1956 kohë që përkon edhe me ngjarjet e mësipërme të cilat janë ndjekur me shumë kureshtje nga të rinjtë e asaj kohe në vendin tonë. Aleksi thotë se mes të rinjve gjimnazistë këto çështje bisedoheshin hapur, ndërsa me shokun e tij Dhimitër Mio ndanin edhe mendime shumë më të avancuara por pa kaluar në kufijtë e disidencës politike. Ngjarjet patën efekt në formimin politik të të rinjve, por vetëm pak vite më pas ata nuk do të guxionin të flisnin si më parë për shkak të zhvillimeve politike zyrtare në Shqipëri.

Kujtime rinore

Sporti dhe muzika ishin pëlqimi kryesor për të riun Vangjel Aleksi. Të gjithë të rinjtë e kshin pasion si njërën, edhe tjetrën. Fare i ri bëhet pjesë e ekipit të Durrësit dhe merr pjesë në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Shkodër duke dalë kampion në 110 m me pengesa. Së bashku me Luigj Aleksin, Arto Zacharian dhe Ago Isaku shpallen kampion në stafetën 4 x 100 m. Trajneri Idriz Çinari i përgatiste të rinjtë në disa sporte dhe stërvitjet për vojelboll, atletikë e basketboll i zhvillonin në mjediset e shkollës së mesme “16 shtatori”, të vetmet terrene asokohe. Teksa vazdhonte studimet e mesme merr pjesë edhe  në kampionatin kombëtar për të rinjtë të zhvilluar në Kuçovë, i njohur në ato vite me emërtimin “Qyteti Stalin” me trajner Ramazan Njala. Sporti u jepte mundësi të vizitonin shumë qytete të vendit dhe kjo madje ishte një arsye më shumë për t’u marrë me sport. Por pasion më vete dhe që nuk do i shqitet edhe sot është muzika e kërcimi. Çdo lloj kënge lejohej deri në vitet 1958-1959, perëndimore apo lindore; italiane, sllave, amerikane apo spanjolle. Tek Vollga, sot shëtitorja “Taulantia” në breg të detit në Durrës shkonin dhe dëgjonin “Binaroi” të Claudio Villa, Adriano Celentanon, Elvis Presly e të tjerë. E njëjtë ishte atmosfera edhe në pistën në Plazh, tek bar “Sahati” në Tiranë, lokale që të rinjtë i frekuentonin shpesh e shpesh, sa herë që kishin mundësinë më të vogël. Fryma hungareze dhe polake depërtoi edhe në Shqipëri dhe për disa vite nuk pati kufi jeta kulturore. Durrësi kishte edhe shumë vizitorë të huaj një pjesë e të cilëve ishin të rinj dhe rinia qytetëse e Durrësit i ndiqte me pasion argëtimet e tyre në bare e lokale. Vangjel Aleksi pati edhe një fat tjetër, që bashkëmoshatarët e tij ia kishin për zili pasi mësoi rokenroll. Hapat e parë i fitoi nga e motra e cila kishte studiuar jashtë vendi. Kërcimi rokenroll iu bë pjesë e jetës, në çdo minutë pushimi, në çdo mbrëmje vallëzimi në shkollën e mesme dhe në universitet. Për shkak se qe djalë tregtari, teksa studionte në vitin e dytë në fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, i hiqet bursa. Familja ishte katër antërëshe dhe askush nuk punonte megjithatë vendimi ishte marrë. Ka qenë ndërhyrja e dekanit të fakultetit, Medar Shtylla, që i ka rikthyer trajtimin ekonomik. Shtylla ishte nënkryetar i Kuvendit dhe shumë i dëgjuar për merita familjare. Ndërsa për shkak të pasionit për muzikën e huaj rrezikon të përjashtohet fill pas një mbrëmjeje studentore në të cilën kërceu rokenrollin e ndaluar. Kërcente vetëm pasi s’kishte kush ta ndiqte, përgjithësisht pa partnere, ose me ndonjë studente që përpiqej t’i shkonte për anë. Në vitet 1961-1962 muzika perëndimore u ndalua. Sot Vangjel Aleksi ka kapërcyer të 70 vitet, por rokenrollin nuk e le. Në shtëpi, gëzime familjare e shoqërore, lokal, bar, kroçere, restorante, dasma vetëm rokenroll dëshiron. Aleksi dëshironte të vijonte studimet për Inxhinieri Navale, inxhinieri Ndërtimi ose Histori-Gjeografi. Këtë të fundit e kishte me shumë zell dhe do i shërbente sidomos pas viteve 1990 kohë që dr. Vangjel Aleksi do të vizitojë të gjitha trojet shqiptare si dhe do të udhëtojë drejt dhjetra porteve në Evropë, Azi e Amerikë.

Stomatologu

Vangjel Aleksi është ndër pesë mjekët e parë stomatolog me arsim të lartë në Durrës. Ai pati fatin të vendosë themelet e shërbimit shkencor në këtë profesion së bashku me Mihal Heba, Pirro Qerimi, Haki Bllaca, Enver Kotorri dhe Fiqiri Deliallisi, stomatolog që do të mbahen mend edhe për shumë dekada. Një pjesë e tyre qenë arsimuar jashtë vendi, ndërsa Aleksi në Tiranë. Asokohe stomatologjia ishte pjesë e brendshme e Fakultetit të Mjekësisë dhe studentët ndaheshin vetëm në vitin e dytë sipas drejtimeve, ndërsa më pas stomatologjia kaloi si fakultet më vete në Universitetin e Tiranës. Profesionin dhe kulturën e punës e lidh me emrat e pedagogëve të mëdhenj të mjekësisë: Dhori Pojani, i cili kishte përfunduar studimet e larta në Budapest dhe qe shef kirurgjie në qendrën spitalore; Gaqo Qano pedagogu që studioi në Filadelphia të Amerikës; Dhimitra Gira dhe Xhevdet Asllani. Pas përfundimit të studimeve emërohet në Durrës, shkon vullnetarish në Manëz ku edhe hap klinikën e parë dentare, shërben si stomatolog në Sukth dhe rikthehet në Durrës plotësisht i pjekur profesionalisht dhe me një përvojë të mirë. Dr. Aleksi kujton se e ka përjetuar me emocion veshjen e bluzës së bardhë të mjekut për herë të parë duke zëvendësuar dr. Hasan Jerën i cili u persekutua politikisht. Durrësi kishte vetëm një klinike dentare në ato vite që gjendej tek ish kinema “Iliria”. Stomatologu kujton se medikamentet dhe instrumentet së bashku me materialin bazë merreshin të gjitha jashtë vendi. Ai i ka cilësuar të pakonceptueshme për ditët tona aparaturat e përdorura deri në vitin 1992, kohë që në vendin tonë erdhi “Pelikani” me paisje, medikamente dhe aparatura bashkëkohore. Mjekët në asnjë rast nuk kanë përdorë doreza gjatë heqjes dhe mbushjes së dhëmbëve ngase nuk kishte, turbina s’konceptohej fare dhe shiringat ishin të gjitha qelqi që ziheshin për sterilizim 1 orë e gjysëm. Stomatologët kishin normë jo vetëm për shiringat, por edhe për aget. Përdorimi tyre nuk kishte të numëruar dhe përdorimi deri në amortizim të plotë ndikonte edhe në përhapjen e hepatitit viral, njohur ndryshe si verdhëza e cila vinte vetëm nga përdorimi disa herë i së njëjtës shiringë. Mikrobi nuk asgjësohej edhe pse zierja kryehej për 90 minuta duke depërtuar në trupin e pacientit të rradhës. Dr. Aleksi kujton se një shiringë përdorej deri në 200 herë dhe se për t’u furnizuar me shiringa dhe age magazina kërkonte paraqitjen me detyrim të aktivitetit të punës. Çdo gjë kishte normativë. Pra duhej të dorëzoheshin lista emërore e pacientëve dhe vetëm pasi bindej magazinieri, mund të fitonte mjeku stomatolog një shiringë të re dhe age. Furnizimi për këtë specialitet bëhej nga importi, kryesisht mall çek e polak dhe më pas kinez. Darat çeke edhe sot konkurojnë në tregun e këtij shërbimi, kurse poltronet dhe aparaturat kineze zëvendësuan ato të bllokut lindjes për disa vite. Në Shqipëri në disa dekada prodhohej vetëm uji i oksigjenuar dhe alkool, asgjë tjetër, ndërsa në kohën e vetizolimit të Shqipërisë stomatologët hynë në lidhje me një sërë ndërmarrjesh për të zëvendësuar paisjet, instrumentet dhe aparaturat e importit që erdhën vit pas viti duke u paksuar. Dr. Aleksi kujton se bashkëpunimi me URT i dha mundësi të siguronte disa paisje të domosdoshme, ndonëse komode përballë nevojës dhe llojshmërisë së paisjeve. Prirja politike “Mbështetja në forcat e veta” nxiti detyrimisht mjekësinë të prodhonte vet sonda, pasqyra, tasa, lugë për masë të gjitha në shërbim të stomatologjisë. Situata ishte e vështirë për çdo sektor, ndërsa mjekësia mbahej me kursime që kishin kaluar të gjitha limitet e shtërngimit të rripit. Paralelisht me ushtrimin e profesionit, mjekët stomatolog kryenin edhe kualifikime si dhe përgatinin materiale shkencore si kusht i domosdoshëm për t’u atestuar në kërkim të rritjes së pagës. Dr. Vangjel Aleksi ka mbajtur disa referate e kumtesa si dhe ka botuar në “Buletini Stomatologjik” disa punime të cilat u bënë pikë referimi disa herë edhe nga dr. Isuf Kasapi drejtor i klinikës universitare në Tiranë për shkak të standartit shumë të lartë shkencor. Punimet shkencore të dr. Aleksit  bëheshin herë pas here objekt referimi në kumtesa, simpoziume dhe konferenca mjeksore gjë që dëshmon për një sërë kërkimesh të realizuar nga mjeku i Durrësit.

 Sot…

Dr. Vangjel Aleksi ka bashkëpunuar me stuedentë të cilët vinin në Durrës për të bërë praktikën dhe stazhin, kushte të përcaktuara nga Fakulteti Mjekësisë. Ai mban mend studentët Mithat Peku, Korado Kotri, Laro Koja, Kujtim Lika, Nevruz Gërzhani. Orë të tëra nën vëzhgimin e mjekëve të kualifikuar dhe me përvojë disavjeçare. Dr. Aleksi pohon se një praktikë e tillë ka qenë shumë e domosdoshme pasi ai dhe tërë elita mjekëve të çdo specialiteti nuk e konceptojnë dot se si një mjek i ri kalon drejt e në profesion pa iu nënshtruar praktikës dhe stazhit. Stomatologu 72-vjeçar kujton një rast që ka të bëjë me studentin e tij Nevruz Gërzhani. Ky i fundit përballet gjatë kohës së zhvillimit të praktikës me një pacient i cili i ka kërkuar t’i heqë një dhëmballë por pa i treguar se ishte i sëmurë dhe vuante nga leuçemia. Pacienti nuk kishte mundur t’i bindtte mjekët e Tiranës, ndaj vendos të mos flasë për sëmundjen në kohën që do të vinte tek stomatologu në Durrës. Meqë dhëmballa i sillte shumë shqetësim kërkon ndihmën e studentit stazhier Gërzhani i cili ndërhyn. Në kohën që pacienti largohet për në shtëpi, hemoragjia që nuk i ndalej alarmon familjarët dhe më pas shërbimin shëndetësor. Dr. Aleksi niset për tek shtëpia e të sëmurit së bashku me ndihmësmjeken Liljana Luarasi e cila i tregon të vërtetën lidhur me sëmundjen e pacientit. Me shumë vështirësi dr. Aleksi mundi t’ia ndalë hemoragjinë dhe pacienti shtrohet në pavionin e dr. Ali Sula por një vit më pas vdes nga sëmundja e cila e kishte prekur prej disa vitesh. Ky episod shërben për dr. Aleksin të bindë sot Fakultetet e Mjekësisë që t’i kushtojnë detyrimisht kujdes çështjes së praktikës e cila në këto 20 vitet e fundit është zbehur plotësisht. E rëndësishme për shërbimin e stomatologjisë si dje edhe sot ka qenë e mbetet çështja e anamnezës. Për shkak të shumëllojshmërisë së sëmundjeve dhe prekjes prej tyre, anamneza sa vjen dhe bëhet kusht i detyrueshëm dhe pa asnjë lloj kompromisi. Ka shumë qytetarë që kanë probleme me hipertensionin, moskoogulimin e gjakut (mpiksjen), probleme kardiovaskulare, me infarkt apo parainfarkt, diabet e të tjera sëmundje. Nëse pacienti nuk do të kalojë në fazën e anamnezës me ndërhyrje dhe kujdes të mjekut specialist, atëherë rrisku për të shkaktuar trauma të forta deri në humbjen e jetës janë thuajse të pashmangshme. Dr. Vangjel Aleksi pohon se ka qenë dëshmitarë se si nga heqja e një dhëmbi qytetari ka humbur jetën dhe vetëm për shkak të mos bërjes së anamnezës, pra të mos bërjes së një konsulte paraprake për të mësuar nëse pacienti ka probleme shëndetësore e sëmundje të trashëguara, apo edhe për sëmundje nga të cilat është prekur ai vet. Stomatologu këshillon që për raste specifike stomatologu detyrimisht duhet të orientojë pacientin të kryejë një test analizash të gjakut që nuk kërkojnë as kohë dhe as shpenzime, ndërsa garantojnë jetën dhe mundësojnë një ndërhyrje të shëndetshme për mjekun specialist.

Guida

Ka shumë njohuri nga fusha e Gjeografisë dhe e Historisë, dy disiplina për të cilat ka studiuar që nga koha e gjimnazit. Ka njohuri deri në detaje për hartën fizike, gjeopolitike dhe ekonomike. Njeh historinë e shumë popujve, kulturat, të shkuarën e largët dhe të sotmen, ngjarje të rëndësishme politike, trashëgiminë kulturore, fetare, arkeologjike, etnografike. Flet me pasion për lumenj, dete, oqeane, brigje, pllaja, male, kala, kështjella, kisha, xhamia… Pas viteve 1990 ka shëtitur shumë, aq sa duhet kohë për të dëgjuar dhe për të shënuar stacionet, qytetet, brigjet, portet. Thuajse pashë më pash i ka rënë Evropës, ka vizituar vendet e Azisë dhe ka lundruar deri në kontinentin Amerikan. Ka kalendar të përvitshëm shtegtimin me bashkëshorten, me kolegë e shokë, apo edhe në të njëjtin grup me turistë të huaj. E ka nisur shtegtimin në trevat shqiptare duke kaluar në çdo cep të trojeve etnike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe deri në Igumencië, Filat, Korfuz e Prevezë. Ëshë shumë i gatshëm të tregojë për ndryshimet që ka pësuar Stambolli në këto 20 vite, për mrekullitë e bregdetit Dalmat pasi ka lundruar në itenerarin Tivar-Budva-Dubrovnik-Split. Është mrekulluar dhe ka mbajtur ditar nga të papriturat e afruara nga peizazhi gjatë lundrimeve turistike me krocere në Spanjë, Francë, Angli, Hungari, Bullgari, Rumani, Dr. Vangjel Aleksi është qytetari që këshillon për këdo sa më shumë argëtim, sport, këngë, lundrim. Ndalet dhe e ka me shumë zell të flasë për mrekullitë e Rivierës shqiptare në Jugun e vendit, për brezaret, për bregdetin shqiptar dhe sa herë që shëtit andej e këndej në rrjedhën e përshkrimeve të tij ndalet tek Durrësi, qyteti lindjes. I këshillon të gjithëve të kalojnë kodrën e qytetit dhe të vizitojnë Kallmin të cilin e cilëson një pasuri të rrallë natyrore, bukurinë e bukurive të shijuara.

                 Temat të mbajtura në simpoziume shkencore dhe të botuara në Buletinin Stomatologjik:

  • Të dhënat mbi proceset inflamatore odontogene. Referuar në simpoziumin e I në Elbasan
  • Mjekimi frakturave të nofullave
  • Anomalitë e nofullave dhe dhëmbëve
  • Trajtimi kirurgjik i kisteve odontogene
  • Disa raste me emfizemë subkutane në regionin maxillofacial
  • Paaftësia e përkoshhme në punë nga proceset inflamatore odontogene. Ndërlikimi pas heqjes së dhëmbit

/Gazeta Bulevard/