Nga Vladimir Shyti*

Është tepër e vështirë për njeriun të gjejë lirinë, ndaj edhe tronditet në vlerat shpirtërore të përbashkëta. Por kjo bashkësi brenda vendit tonë nuk mund të vlejë më shumë se një pikëtakim për krahasime. Nuk mund të kërkosh formula për karaktere shpirtërore, vetëm u jep forma atyre. Këtu kemi njerëz që janë bërë armik për vdekje të ekzistencës së njëanshme, duke harruar lirinë e tjetrit. Të tjerë, që vuajnë nga jeta dhe nga njerëz të veçantë që nuk kanë dëshirë të jetojnë dhe të dashurojnë sipas atyre që kanë të përzemërt. Humbasin arsyetimin, huazojnë të fshehtat e krimit, pandershmërinë e ndjesive dhe kalojnë në ekstrem. Një pjesë e ka gjetur të vërtetën e ligjeve të Moisiut, ata gëzojnë hirin e të qenit të lidhur me Tërësinë, ”afërsinë hyjnore” e natyrën e lirisë së përjetshme. Pra kemi disa formësime personazhesh që ndeshen dita-ditës midis tyre dhe rrëmbejnë lirinë e njëri-tjetrit dhe krijojnë tragjedi, që humbasin më pas në faqet e gazetave. Ballë për ballë shkëlqimi dhe mjerimi, gëzimi dhe hidhërimi, drejtësia dhe mashtrimi, pastaj poeti që nuk gjen fjalë të hedhë në letër.

Papajtueshmëria e njeriut shqiptar me të tashmen është shndërruar në shpallje lufte kundër kohës dhe atdheut të vet, kur sheh se në Shqipëri nuk shfaqet ende Evropa me ligjet e saj; kështu që ky popull më i lashtë nga historia, që ushqente virtyte të lavdishme bie preh e krimit ndaj vetes. Duket qartë, sidomos kohët e fundit se si përplasen në mënyra kaotike, shtresëzime të ndryshme vitesh e ndjesish; trishtimi i njeriut të zhgënjyer në gjendje depresioni të thellë dhe përfundojnë në hipokondri. Kisha një mik të mirë, që kohët e fundit më shmangej në shumicën e rasteve. Një ditë prej ditësh i zënë ngushtë më tregoi problemin e tij; e tradhtonte gruaja. I fola si mik dhe si vëlla, që në këto raste ishte më e udhës të kërkonte divorcin e gjithkush të shihte punën e vet. Mirëpo ai e gjeti zgjidhjen ndryshe: vrau gruan dhe veten. Në grahmat e fundit, më gjeti të jem i qetë nga kjo anë. S’lashë ditë pa i shkuar. Vdiq i kënaqur prej meje, duke më shtrënguar duart. Gruaja vdiq më pas me një vështrim, sikur thoshte: Ky është vendi ynë demokratik? Ja, ky është njeriu ynë; dikur flinin të qetë në jetët e tyre të thjeshta dhe ja papritur hyn djalli dhe krijon krimin.

Dhe ata që janë përreth zgjohen përnjëherësh, fërgëllojnë, marrin të dhëna, u vjen keq dhe s’dinë ç’të mallkojnë. Duket sikur ka filluar një shfaqe tragjike me shkëputje nga realiteti, si aperitiv. Pastaj, s’është rastësi që po ju tregoj për një ngjarje të çuditshme, pasi në vendin tonë ka shumë të këtilla rastesh. Ky ishte një njeri me të vërtetë i shëmtuar, ligësia vetë, një njeri kot më kot dhe inatçi sa s’bëhet, aq sa mund të shkurajonte dhe një françeskan. Pasi vrau, e vranë për një hu oborri. Të gjithë u çliruan nga ai njeri, i cili u prishte gjithë kënaqësinë e përhershme, shfryen zemrat, dëgjuan fjali të shkurtra, por të rënduara me nënkuptime, dhimbja zotërohet dhe madje bëhet disi vetakuzë. Një tjetër tragjedi, ku personazhet humbin midis llumit e skëterrës. Dallgët e zemrës nuk do të më shkumëzonin aq fort, kur një grua e re në moshë vritet nga bashkëshorti pijanec, sepse tentoi të kërkonte divorcin. Një tjetër vret hajdutin dhe mbyllet në shtëpi duke u fshehur nga familja e vjedhësit sepse kërkonte hakmarrje. Një malukat, njeri i thyer në moshë, tenton të përdhunojë nusen e djalit dhe përfundon i vdekur nga i biri, e të tjera ngjarje që po na çudisin ne edhe botën mbarë. Dhe janë gjykatat që përballen me këto zgjidhje, që në shumë raste janë tepër të vështira, fillimisht, nga interesi, pastaj nga bindja. Disa kriminel ia hedhin paq, të tjerë mbeten në burg sa që u harrohet dhe emri.

Sipas meje duhet patjetër një grusht i fortë ndëshkimi, që të shmanget krimi në rrugë dhe në familje. Madje të kërkohet me argument për disa vjet nga organet kompetente evropiane dhe ligji me vdekje; të kthehet në moton: Kush vret të vritet. Kush dhunon, të dhunohet ashpër nga ndëshkimi ligjor, kush prek fëmijët, t’i pritet bileta e vdekjes. S’mendoj si në mesjetë, por duhet vepruar si në mesjetë. Dhuna ligjore do të sjellë kulturën qytetare. Këta njerëz të kthyer në bisha të tërbuara, që i largohen ngrohtësisë familjare, miqësisë dhe shoqërisë, kalojnë në zhgënjime pa e kuptuar mirë fjalën, përfundojnë në pyllin e dendur të dëshpërimit, në vetminë më të thellë, në gabimin pa kthim, injorojnë veten dhe popullin e tyre. “Godet varfëria”, mund të shprehet dikush. Jo unë s’mendoj kështu. Ky vend gjithmonë ka qenë i vuajtur, me kohë ka ecur në terrin e ndriçuar vetëm nga rrufe rrënqethëse, gjysmë i verbër, por që ka kërkuar lidhje të fuqishme, shenja e shëmbëllesa të magjishme në të gjithë breznitë. Ka pasur endjen e mahnitshme nëpër rrugë qëllimplotë, ka qenë edhe në prag të mbarimit si komb, në pikën e shembjes dhe përsëri, është ngritur mrekullisht e ka përqafuar virtytet, zakonet e doket e vyera shqiptare. Ke ku e kërkon shpëtimin nga varfëria, demokracia ka rregullat e veta. Përse i mbushim rrugët e sheshet, kur partitë politike shpalosin programet e tyre, madje,duke e ditur se në ato plane ka më tepër gënjeshtra? Dilni pra ju burra që tregoni trimëri donkishotiane me gratë e fëmijët, me baballarët e fisin tuaj, me gjykatën e policinë e rrënuar si edhe ju  vetë!

Shpallini luftë së keqes me mjete demokratike, vezulloni shpirtin e zjarrtë dhe hyni në burgun hyjnor! Mos mendoni se do të keni një portret të tuajin, si burra zamani. Një miniaturë e dobët, shumë e dobët jeni, edhe pa asnjë lloj vlere. Me ju, o “trima grash” është e vështirë dhe e rrezikshme të hysh në marrëdhënie mirëbesimi, ndaj pak është edhe gijotina mesjetare. Më falni, jam disi i nervozuar, kam një epërsi të dukshme, ngaqë e di këtë gjë dhe ajo më jep të drejtë të flas. Ju e kuptoni përfitimin, jam i sigurt në një çorbë jemi. Sa më shumë vetë-akuzohem, aq më tepër kam të drejtë të gjykoj. Ndoshta ashpër. Madje dëshiroj t’ju nxis edhe ju të gjykoni vetveten, gjë që edhe mua më lehtëson po në atë masë. Ndaj bëj thirrje edhe një herë ju krijesave të çuditshme dhe të mjera: Shkëputuni nga e kaluara zamaniane, përqafoni virtytet shqiptare, zbatoni ligjet demokratike, ecni me hapin e kohës moderne dhe ju siguroj se do të fitoni shenjtërinë hyjnore dhe shpirti do të prehet në paqe!

* Autori është shkrimtar dhe publicist nga Durrësi, ka botuar librat “Kush është fajtori”, roman, bashkautor Kastriot Hasa; “Kur triumfon dashuria” roman, bashkautor Halim Maloku; “Kikja” roman për fëmijë; etj.. Punon në hekurudhë, makinist.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=42601&kat=116