·        Për 10 vjet misioni arkeologjik italian në Durrës u financua nga Roma me 200 mijë euro, por “profesionistë të lirë të tillë si Dr. Miraj”, do të kishin kërkuar “së paku 600 000 euro”, kjo akuzë e bujshme është lëshuar nga drejtorja e misionit, Prof. Sarë Santoro më 4 mars 2014, zbulohet kështu një sherr”femëror shqiptaro-italian për administrimin e 7 milionë eurove për amfiteatrin e Durrësit

·          Dr. Miraj i kundërvihet një veprimtarie shtetërore italiane me projekte falas për qeverinë shqiptare, ku ishin të pranishme edhe dy Ministre, Kumbaro dhe Gjermeni

·        Dr. Miraj, fill pas demaskimit publik që i është bërë nga Prof. Santoro, ka mundur të sigurojë mbështetjen e kryebashkiakut Dako, i cili natyrisht ka rënë në grackë

·        Qytetari nr. 1 i Durrësit rrezikon një konflikt banal me Kryeministrin Rama, pas atij për armët kimike

 

Nga Thanas Mustaqi

 

DURRËS, 11 mars 2014 –  Për 10 vjet misioni arkeologjik italian në Durrës është financuar nga Roma me 200 mijë euro, por “profesionistë të lirë të tillë si Dr. [Lidë] Miraj”, do të kishin kërkuar “së paku 600 000 euro”, kjo akuzë e bujshme është lëshuar nga drejtorja e misionit, Prof. Sarë Santoro më 4 mars 2014, zbulohet kështu një sherr”femëror shqiptaro-italian për administrimin e 7 milionë eurove për amfiteatrin e Durrësit.  

Në qarqe arkeologjike dhe mediatike në Tiranë dhe Durrës qarkullojnë zëra për një “luftë” nervash se kush do të menaxhojë “7 milionë euro, që është pak a shumë kostoja për restaurimin dhe rifunksionimin e amfiteatrit të Durrësit”, sikurse thotë Prof. Santoro në ekranin e vogël më 25 shkurt 2014.

Ç’është e vërteta, “sherrin” e ka nisur një eksperte me kontribute shkencore si arkitektja dhe arkeologia e njohur durrsake, Dr. Lidë Miraj, më 26 shkurt 2014 në të përditshmen “shqiptarja.com”.

Është interesant fakti që Dr. Miraj ka shfaqur guxim kur është i kundërvënë një veprimtarie shtetërore italiane me projekte falas për qeverinë shqiptare, ku ishin të pranishme edhe dy Ministre, zonjat Kumbaro dhe Gjermeni.

Nga ana tjetër, Dr. Miraj, fill pas demaskimit publik që i është bërë nga Prof. Santoro, ka mundur të sigurojë mbështetjen e kryebashkiakut Dako, i cili natyrisht ka rënë në grackë.

Por qytetari nr. 1 i Durrësit rrezikon një konflikt banal me dy Ministret, por dhe Kryeministrin Rama, pas atij për armët kimike.

EKSPOZITA

Më 25 shkurt 2014 ekspertë të tri disiplinave të ndryshme – arkeologjisë, arkitekturës dhe muzeologjisë – u bashkuan, falë rolit koordinues të Institutit Italian të Kulturës, me të njëjtin objektiv, atë të vlerësimit të trashëgimisë  kulturore dhe prezantuan katër projekte, për herë të parë, që kanë të bëjnë me Muzeun Arkeologjik në Durrës, Amfiteatrin në Durrës dhe Muzeun Arkeologjik në Tiranë, njoftoi Ministria e Kulturës. Projektet për muzetë arkeologjike në Durrës dhe Tiranë janë realizuar nga DICAR (Departamenti i Shkencave të Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës) dhe Politekniku i Barit me koordinimin e Profesoreshës Anna Bruna Menghini. Projekti i vlerësimit të amfiteatrit në Durrës formulua në dy versione të ndryshme në kuadër të Misionit Arkeologjik Italian në Durrës (Universiteti i Parma-s, Universiteti i Chieti-Pescara-s, Ministria e Punëve të Jashme) në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Shqipëri dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, falë profesorëve Sara Santoro, Paolo Giandebiaggi dhe Claudio Varagnoli. Përurimi i ekspozitës, e hapur deri më 1 mars, u parapri nga një tryezë pune e destinuar për ekspertët e sektorit me qëllimin për të intensifikuar bashkëpunimet shkencore dhe kërkimet e përbashkëta mes universiteteve italiane dhe institucioneve shqiptare. Ekspozita pasurohet nga një katalog që përmbledh kontributet e tri universiteteve të përfshirë në projektin e vlerësimit të trashëgimisë arkeologjike shqiptare. Aktiviteti u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, me praninë e Ministres së Kulturës, Mirelë Kumbaro Furxhi dhe Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantinë Gjermeni; Ambasadorit të Republikës Italiane në Tiranë, SHT Massimo Gaiani, etj. (shih foton)

DEKLARIME

Ministrja e Kulturës Mirelë Kumbaro:“Një pjesë e këtyre pasurive nuk janë administruar mirë, nuk i kemi dashur sa duhet, nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur, madje dhe kemi shpërdoruar disa para të cilat me pak dashuri dhe me shumë respekt për ligjin do të ishin bërë më mirë”, u shpreh Mirelëa Kumbaro gjatë prezantimit të ekspozitës. “Për Muzeun Arkeologjik të Durrësit janë shpenzuar 140 milionë lekë për restaurimin, kur ky muze mund të bëhej i mirë, janë shpërdoruar para”.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantinë Gjermeni:“Kjo ekspozitë është një mesazh për të qenë krenar për vlerat e identitetit që ne kemi. Jemi krenarë për atë që ne kemi në trashëgiminë kulturore, por dhe duhet ta mësojmë ta ruajmë atë”.

Vlerat e këtij projekti, por dhe rëndësia e trashëgimisë kulturore u theksua në këtë prezantim të ekspozitës dhe nga Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.

Prof. Sarë Santoro:“Kjo ekspozitë vjen për të prezantuar punën që është bërë nag ana e universiteteve italiane në tre aspekte të ndryshme që vlerësojnë arkeologjinë shqiptare, që janë muzeu i Tiranës dhe ai i Durrësit, si dhe amfiteatri i Durrësit. Janë tri pika kryesore të turizmit shqiptar, të rëndësishme për të ruajtur identitetin e popullit, këtë histori të rëndësishme në shumë shekuj. E rëndësishme është t’i rindërtosh para publikut, në mënyrë shumë bindëse dhe funksionale. Unë jam marrë pak me muzeun e Durrësit së bashku me kolegët e universitetit të Barit për të prezantuar një mision arkeologjik italian në Durrës që në vitin 2004 dhe jam marrë veçanërisht me amfiteatrin e Durrësit dhe kemi bërë një varg studimesh, të cilat janë të gjitha në dispozicion për të vendosur se çfarë do të bëjmë me këtë monument të jashtëzakonshëm. Kemi sjellë këtu tre propozime të ndryshme me dy filozofi të ndryshme për të qenë i funksionueshëm në shumë drejtime. Ne i lëmë këto projekte në duart e komunitetit shqiptar për të vendosur, sepse në këtë mes hyjnë edhe fondet, buxheti dhe shpenzimet. Këto janë shumë të rëndësishme, por jo të paarritshme, në sensin që 7 milionë euro pak a shumë është kostoja për restaurimin dhe rifunksionimin e amfiteatrit. Kjo nuk është një shifër që nuk mund të gjendet në një shtet që rritet me shpejtësi në Shqipëri, por edhe për interesin evropian për këtë vend. Këto janë projekte të sjella në një fazë të zhvilluar, të cilat mund të vihen në zbatim që ditën tjetër, ashtu si ministrja Kumbaro po na pyeste për të ndërhyrë në Durrës shumë shpejt me muzeun. Kjo edhe për shkakun se periudha e turizmit po afron dhe do të ishte viti i katërt që muzeu i Durrësit është i mbyllur dhe turistët do të mbeten sërish të zhgënjyer”  

    

Akuza

MIRAJ: “PROJEKTI ITALIAN PËRMBYS HISTORINË E AMFITEATRIT TË DURRËSIT

Në këtë ekspozitë janë edhe projektet për Amfiteatrin. Së pari, cilat janë vlerat autentike të tij?

Dr. Lidë Miraj: Amfiteatri i Durrësit është monumenti më i madh arkeologjik i zbuluar në Shqipëri. I takon si kohë fillimit të shekullit II pas Krishtit. Nuk është e qartë nëse është periudha e perandorit Hadrian apo është periudha perandorit Trajan. Unë mendoj që është fillimi i Hadrianit, sepse në kohën e Trajanit ka një mbishkrim në Durrës ku lexohet që u inaugurua biblioteka dhe për krijimin e Bibliotekës u bë një lojë me 12 çifte gladiatorësh. Kjo nuk presupozon patjetër që ekzistonte amfiteatri, mund të ekzistonte, mundet jo. Atëherë pse u ndërtua amfiteatri me kapacitet me 20 mijë spektatorë. Amfiteatrot u ndërtuan kudo ku u shtri perandoria romake. Ndërkohë Durrësi, ishte qyteti kryesor që bënte lidhjen midis lindjes dhe Perëndimit. Me sa duket ai u mbyll me tërmetin e vitit 345-346 në gjysmën e dytë të shekullit IV. Më pas adoptohet një kapelë bizantine, e cila në shekullin e 6-të dekorohet me mozaikë dhe jeta e amfiteatrit vazhdon në forma të tjera me ndërtime, me adoptime mbi këto struktura.

Vijmë te projekti i paraqitur. Vërehet një funksion modern i këtij amfiteatri

Dr. Miraj: Unë vetë kam punuar me Universitetin e Parmës dhe me disa specialistë të tij. Gjithashtu kam punuar 20 vjet në amfiteatër dhe tani gjendem përballë skicave të mia të përdorura nga kolegët italianë që unë i kam botuar te revista “Iliria” në ‘86-n. Ajo që më bën përshtypje është se janë të paraqitura këtu dhe citohet që i kanë bërë këta. Mund të jetë e vërtetë që i kanë bërë, por unë duhem cituar nëse i bëra mirë apo i kam bërë keq. Në statusin e kërkimeve shkencore kjo është obligative, nuk është me dëshirë. Unë ua thashë në një mbledhje, se këtu duhet bashkëpunim midis specialistëve italianë, por natyrisht edhe specialistëve shqiptarë që kanë kontribuar deri më sot. Universiteti i Parmës ka bërë disa zbulime arkeologjike në pjesën jugore. Unë kam gërmuar në amfiteatër pjesën veriore, pjesën veriperëndimore. Kam gërmuar edhe në pjesën lindore dhe i kam botuar rezultatet e gërmimeve. Kemi bërë rilevimin topografik të amfiteatrit. Rilevimi topografik i amfiteatrit është botuar në revistën “Iliria”, 1986, nr. 2. Shoh që këta të Universitetit të Parmës e kanë botuar këtë planimetri pa e cituar që kjo planimetri është botuar më parë. Kjo është e detyrueshme. Në qoftë se ti futesh në një monument për të gërmuar, duhet të shohësh përpara kush ka botuar për këtë monument, çfarë historiku ka dhe pastaj të vazhdosh dhe mund të kesh objeksione kundër. Kur i thashë arkitektes që e kam bërë unë, ajo m’u përgjigj “Unë s’e kam parë”. “Je e detyruar ta shikosh”, i thashë. M’u përgjigj se “unë pashë Vangjel Toçin”, por Vangjel Toçi e ka bërë në ‘60-n. Këtë ia kam thënë edhe Sara Santores kryetares së grupit, të cilën e kam njohur në Itali që në ’93-shin.

Specialistë të arkeologjisë dhe historianët sot kanë bërë shumë komente për diçiturën e projektit të amfiteatrit: “Të përmbysësh letrat, një projekt i ri për rifunksionimin e teatrit”. Si e interpretoni ju?

Dr. Miraj: Amfiteatri është një monument arkeologjik që duhet të riprezantohet si një monument arkeologjik. Këtyre profesorëve të Parmës, nuk beson kush se ua lejon njeri të mendojnë që po përmbysin letrat e Koloseut dhe ta kthejnë Koloseun në teatër apo në amfiteatër tjetër. Përdoret amfiteatri i Veronës, por ka vite që institucionet për mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës konsiderohet gabim hyrja në monument. Madje unë u thashë atyre se kishin paraqitur disa panele xhami dhe disa elementë të tjerë dhe u thashë që kjo gjë nuk lejohet. Konsiderohet gabim ndërhyrja në monumente. Po thanë, “ja po bëjmë edhe një variant tjetër”. Monumenti prezantohet si monument. Në qoftë se ka mundësi rishfrytëzimi për ndonjë ekspozitë fotografike dhe materiale arkeologjike, sepse janë gjetur shumë, mund të shfrytëzohen, por ti nuk mund të ngjitësh disa shkallare mbi monumentin dhe të vëmë stola në skenë për ta shfrytëzuar si amfiteatër.  Çdo të thotë kjo të përmbysen letrat. Historia nuk përmbyset, historia vazhdon. Ndaj gjithë këto propozime që këta specialistë nuk i bëjnë dot në vendin e tyre, nuk do të mund t’i bëjnë dot në Shqipëri.

– Si do të bëhet nëse arrihet ekzekutimi i këtyre projekteve?

-Ekzekutimi i projekteve! Ekzekutimi i projekteve varet. Këta kanë marrë disa fonde të bëjnë një projekt, kanë bërë një projekt. Dëshirat janë të mëdha, por nuk ma merr mendja që do të lejohet të realizohen këto ndërhyrje të këtyre monumenteve. 

Pati zëra që thanë se në projekt amfiteatri duket si një qendër tregtare biznesi…

Dr. Miraj: Behën projektet kështu se ka shumë që ngatërrojnë destinacionin. Dëgjova një përfaqësuese të turizmit [është fjala për Ministren socialiste të Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantinë Gjermeni – “Dyrrah”-u] që tha se arkeologjia është material që i shitet turizmit. Arkeologjia nuk është material që shitet. Arkeologjia i prezantohet turizmit. Dhe unë kur ia bëra vërejtjen ajo tha unë jam tregtare që shes dhe blej. Ti je përfaqësuese e shtetit i thashë. Arkeologjia nuk është material që shitet, na prezantohet ne dhe të huajve, që të shohim çfarë pasurie trashëgojmë, sepse ne trashëgojmë një pasuri kulturore arkeologjike shumë të madhe, me të cilën nuk duhet lejuar askush si t’i dojë qejfi. Nuk do përmbysen letrat, nuk do të përmbyset historia. Që të mos ndodhë kjo, në Shqipëri është urgjente ligji i trashëgimisë dhe rimëkëmbja e Institutit të Monumenteve. Ky institucion ka qenë totalisht i zhveshur nga profesionistët, sepse trashëgimia kulturore nuk mund të drejtohet as me ekonomistë, dhe as me ata që kanë mbaruar punë sociale dhe as me të diplomuar në gjuhët e huaja. Duhen profesionistët e vërtetë të drejtojnë punët e trashëgimisë kulturore.

 

Replika

PROF. SARË SANTORO: NUK KEMI MARRË FONDE NGA SHQIPËRIA

Intervista e Dr. Lidë Mirajt dhënë gazetares Dhuratë Hamzai dhe botuar në gazetën Shqiptarja.com e datës 26 shkurt 2014 përmban akuza serioze kundër Misionit Arkeologjik Italian në Durrës, të cilave mendojmë se kemi të drejtën t’u kundërpërgjigjemi si më poshtë:

1. “Të përmbysen letrat: një projekt i ri për rifunksionimin e teatrit”. Kështu shkruhet në diçiturën e njërit prej projekteve të Universitetit të Parmës për Amfiteatrin e Durrësit.

Ky është titulli (në shqip) i panelit nr. 22 të ekspozitës “Të njohësh, të ruash, të shfaqësh”- seksioni i III – Amfiteatri dhe qyteti” dhe i referohet, si e shpjegon më së miri titulli në italisht, një ndryshimi të perspektivës në dispozicion të publikut në amfiteatër, propozuar në projektin e dytë e hartuar nga ne (publik jo i drejtuar nga veriu, por drejt jugut). Askush nuk mendon të ndryshojë historinë e amfiteatrit dhe as natyrën e tij nga monument i lashtë në “qendër tregtare” (ndërhyrje që të tjerë kanë bërë në situata të tjera), përkundrazi, puna jonë ka kontribuar konkretisht për të bërë të njohur një pjesë të asaj historie të amfiteatrit që deri dje ishte lënë pas dore, ajo e përdorimit të këtij monumenti në periudhën mesjetare dhe moderne (shekulli i VI – XX).

2. Mungesë korrektësie në përdorimin e materialit shkencor

Dr. Miraj thekson: “Gjendem përballë skicave të mia të përdorura nga kolegët italianë që unë i kam botuar tek revista “Iliria” në  ‘86-n. Ajo që më bën përshtypje është se janë të paraqitura këtu dhe citohet që i kanë bërë këta…. Kemi bërë rilevimin topografik të amfiteatrit. Rilevimi topografik i amfiteatrit është botuar në revistën “Iliria”, 1986, nr. 2. Shoh që këta të Universitetit të Parmës e kanë botuar këtë planimetri pa e cituar që kjo planimetri është botuar më parë”.

Dr. Miraj, si arkitekte, duhet ta dijë shumë mirë dallimin mes vizatimit piktoresk, skicës planimetrike, që është niveli i dokumentit të botuar prej saj në vitin 1986, dhe një relievi metrik i cilësisë së lartë, si ai i kryer nga Universiteti i Parmës dhe i paraqitur në ekspozitë: nuk ka asnjë element të përbashkët, me përjashtim të faktit se të dyja i përkasin të njëjtit monument. Kemi të bëjmë me nivele të pakrahasueshme studimi, nga pikëpamja shkencore dhe teknike. Publikimi i Mirajt në vitin 1986 nuk përmban asnjë planimetri metrikisht të besueshme, as rilevim topografik, deri në një masë të ngjashme me vizatimet italiane. Prandaj, pohimi i Dr. Miraj është i rremë, është një gënjeshtër e ndërgjegjshme. Preteksti për t’u përmendur në këtë ekspozitë pasi është marrë në vitin 1986 me amfiteatrin duke botuar disa vizatime piktoreske (planimetria është hartuar në vitin 1984 nga arkitekt K. Miho, që ajo nuk e ka përmendur) nuk ka absolutisht asnjë bazë faktike.

Përkundrazi, ne jemi shumë të kënaqur, që i kemi shërbyer vetë Dr. Mirajt, me relievin tonë metrik për përgatitjen e Technical report për "Europa Nostra" – CEB,  nënshkruar nga Pedro Ponce de Leon, faqja 38 dhe 39, marrë nga tabelat e ekspozitës sonë të vitit 2007 mbi projektin e ndërkombëtarizimit mbështetur nga Ministria italiane e Kërkimeve MIUR “Amfiteatri i Durrësit: njohja e një monumenti për vlerësimin e trashëgimisë kulturore botërore” (pa na përmendur sigurisht), si bazë dokumentacioni thelbësor për çdo projekt restaurimi.

3. Këta kanë marrë disa fonde të bëjnë një projekt

Misioni Arkeologjik Italian asnjëherë nuk ka marrë fonde nga Qeveria ose nga Institucionet Shqiptare, të asnjë lloji, për asnjë aktivitet. E gjithë masa e madhe e punës në lidhje me dokumentacionin dhe kërkimet shkencore gjatë 10 viteve të veprimtarisë së Misionit është financuar tërësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane dhe Ministria e Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor (prej një shume të përgjithshme rreth 100 000 euro) si dhe nga dy universitetet ai i Parmës dhe ai i Chieti-Pescara-s titullarë të Misionit (me një shumë të barabartë). I gjithë dokumentacioni i prodhuar, i cilësisë shumë të lartë, si dhe propozimet e konsolidimit, restaurimit dhe rifunksionimit, janë vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare falas. Vlera e kësaj pune, dhuruar nga italianët miqve shqiptarë për hir të dashurisë ndaj kulturës që ndajmë, në qoftë se do t’u ishte dhënë profesionistëve të lirë të tillë si Dr. Miraj, do të kishte kushtuar së paku 600 000 euro.

4. Amfiteatri është një monument arkeologjik që duhet të riprezantohet si një monument.

Konsiderohet gabim hyrja në monumente… Monumenti prezantohet si monument.

Pavarësisht gënjeshtrave të shumta që përmban intervista, Dr. Miraj ka bërë mirë që ka ngritur në mënyrë të qartë një temë shumë të rëndësishme, deri më sot e pahapur me vetëdije të plotë nga komuniteti shqiptar: çfarë të bëjë me monumentet arkeologjike, mirëmbajtja dhe restaurimi i të cilëve kushton shumë, por që në të njëjtën kohë përbëjnë dëshminë e identitetit dhe historisë së komunitetit. Ne na ishte kërkuar nga autoritetet shqiptare të paraqisnim propozime për rifunksionimin e amfiteatrit.

E kemi bërë atë duke u menduar gjatë dhe me shumë kujdes (në qoftë se Dr. Miraj do të kishte parë me kujdes propozimet, edhe ato mbi shkallët, do të kishte gjetur zgjidhje me siguri të avangardës, por krejtësisht të respektueshme për sipërfaqen e monumentit, ashtu si vetë shkolla italiane e restaurimit i ka mësuar gjithë botës).

Reflektimi na ka çuar të mendojmë dhe të propozojmë zgjidhje të ndryshme për çështjen e rifunksionimit. Dr. Miraj është në mënyrë të qartë në kundërshtim me rifunksionimin, për arsye konservative: pra, asnjë lloj shfaqjeje, as në Durrës, për pasojë as në Butrint, as në Adrianopojë etj. Kemi të bëjmë me një opinion legjitim dhe të respektuar, i cili gjen përkrahës (që në të vërtetë janë të pakët) në Itali.

Nuk i përket sigurisht Misionit Arkeologjik Italian të vendosë se çfarë të bëhet me amfiteatrin, nëse ta lini si stoli të bukur për ta parë nga larg, apo ta përdorin atë në një farë mënyre, duke tërhequr edhe përfitime ekonomike për komunitetin, gjithmonë duke respektuar monumentin e lashtë. Personalisht besoj se monumentet e lashtësisë duhet të vihen përsëri në rrjedhën e jetës dhe të historisë, në mënyrë që të jenë trashëgimi e gjallë. Edhe Leon Battista Alberti ishte gjithashtu i këtij mendimi, dhe e shkroi, në librin e tij të dhjetë të “De re aedificatoria” (1452).

Sarë Santoro, drejtore e Misionit Arkeologjik Italian në Durrës

Sipas gazetës “Shqiptarja.com” 4 mars 2014

 

 

KRYEBASHKIAKU DAKO I BESON DR. MIRAJT

Pasi iu kundërvu më 26 shkurt 2014 Ministres socialiste të Zhvillimit Urban dhe Turizmit Gjermeni dhe të nesërmen e denoncimit publik të Prof. Sarë Santoro, më 5 mars 2014, kryebashkiaku socialist i Durrësit mbështet “profesionisten e lirë” Dr. Lidë Miraj. Sipas zyrës së shtypit të bashkisë, në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” u organizua një takim me nxënës të shkollave të mesme të Durrësit, ku nën drejtimin e arkeologes së mirënjohur Lidë Miraj, u diskutua mbi trashëgiminë kulturore të qytetit, ku nxënësit janë njohur me vlerat e jashtëzakonshme historiko-kulturore të Durrësit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili u shpreh se është mjaft e rëndësishme njohja dhe ruajtja e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Në kuadër të këtij aktiviteti u organizua me nxënësit e shkollave të mesme të Durrësit edhe aksioni për pastrimin e amfiteatrit të Durrësit me moton “Monumentet duhet t’i duam që t’i mbrojmë”, njoftoi bashkia e Durrësit.

 

Retrospektivë

1997, KËSHTU ITALIA “ÇOI” NË TOKIO AMFITEATRIN E DURRËSIT

Fushata “Pranverë italiane 2007: Arti për të jetuar dhe për të krijuar”, një nismë e organizuar nga qeveria italiane në Japoni, pati për qëllim manifestimin e prodhimit kulturor dhe industrial italian. Në Institutin Italian të Kulturës në Tokio u organizua simpoziumi “Teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit kulturor” me qëllim prezantimin e nismave kushtuar konservimit dhe njohjes së trashëgimisë kulturore”, ku puna e italianëve në këto fusha është shumë e vlerësuar. Kjo ngjarje u organizua nga një komitet i koordinuar nga Ministria e Jashtme Italiane e përbëhej nga Ministria e Trashëgimisë Kulturore, CNR; ENEA; RAI dhe pati mbështetjen dhe kontributin e një nga sipërmarrjeve më të mëdha japoneze, Hitachi-t. Simpoziumi zgjati dy ditë dhe më 16 prill 2007 në të morën pjesë kryeministri i asaj kohe Prof. Romano Prodi, institucione të rëndësishme japoneze e mes tyre bënte pjesë dhe një delegacion i Universitetit të Parmës me përfaqësues Prof. Paolo Giandebiaggi, Ark. Chiara Vernizzi dhe Dr. Andrea Ghiretti.

Projekti i ndërnacionalizimit relativ në vlerësimin dhe ripërdorimin e amfiteatrit romak të Durrësit, i koordinuar nga Prof. Giandebiaggi (profesor në fakultetin e Arkitekturës), u përzgjodh si projekti me nivel më të lartë kërkimi nga të gjithë projektet që morën pjesë në simpozium, me përfundimin se teknologjitë inovative, sistemi i komunikimit dhe trashëgimia kulturore zhvillojnë një rol përcaktues, rol që si në Itali edhe në Japoni shikohet si burim i zhvillimit reciprok. Delegacioni i Parmës paraqiti projektin me teknika të veçanta komunikimi vizual. Projekti i ngritur nga UNOPS (zyra e projekteve për zhvillim e Kombeve të Bashkuara) dhe i mbështetur nga Ministria e Universitetit dhe Kërkimit Italian, me bashkëpunimin e Misionit Arkeologjik të Universitetit të Parmës (UBNIPR-MAE DGPCC uff.V) në Durrës ngjalli një interes të madh jo vetëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të kërkimeve në amfiteatër, por pati interes dhe për metodologjitë e aplikuara në dokumentacion dhe në përdorimin e teknologjive inovative në lidhje me propagandën dhe rezultatet e deritanishme që i janë bërë monumentit nga misioni arkeologjik italian.

 

Info / Dokument

PËRMBLEDHJE E RAPORTIT TEKNIK MBI AMFITEATRIN E DURRËSIT*

Amfiteatri ndodhet në “zemër” të qendrës historike të qytetit të Durrësit. Është një nga amfiteatrot më të mëdhenj në Ballkan (me sipërfaqe afërsisht 8 600 metra katrorë); me kapacitet 20 000-26 000 shikues. Ky monument, zbuluar në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, është monumenti më i madh arkitekturor zbuluar në Durrës dhe i vetmi i këtij lloji i gjetur deri tani në Shqipëri. Pa dyshim, është një trashëgimi e rëndësishme kulturore dhe historike, ndërtim që ka nevojë urgjente për heqje banesash dhe infrastrukturë urbane, gërmime arkeologjike, konsolidim, restaurim, dhe së bashku me zonën përreth dhe ndërtimet  e trashëgimisë ngjitur (p.sh. muret bizantine të fortifikuara), riparim dhe integrim i duhur në qytet. Ky ansambël do të përmirësohet nga përdorimi i tij si muze në natyrë dhe për përdorime të tjera kulturore dhe sociale.

Është domosdoshmëri që në fazën e parë të punimeve të ndalohet përparimi i dëmit të shkaktuar nga shirat dhe kanalizimet e qytetit; kjo kërkon edhe heqjen e ndërtesave ekzistuese në amfiteatër dhe gërmimin e plotë të “arenës” dhe “cavea-s lindore” me mbikëqyrjen e arkeologëve, për të lokalizuar sistemin origjinal të kullimit të amfiteatrit dhe për të siguruar heqjen e ujit me anë të forcës së rëndesës. Kjo kërkon gjithashtu zgjidhjen e problemit të zhvendosjes së banorëve aktualë të shtëpive, kështu duhet një veprim i kryqëzuar, përfshirë administratat e ndryshme  përkatëse (bashki, qark, qeveri). Punimet e tjera përkatëse shtesë përshkruhen në dokumentacionin shoqërues. Kostoja e projektit vetëm për amfiteatrit llogaritet në 3 037 000 euro.

Po ashtu janë të nevojshëm kujdesi ndaj mjedisit, parandalimi i dëmeve të ardhme, rigjenerimi i lagjes dhe zonës përreth  dhe konsolidimi e riparimi i mureve historike Bizantine dhe Otomane që përcaktojnë dhe formojnë një hapësirë monumentale historike. Kështu , do të kërkohen faza të ndryshme punimesh të konsiderueshme për kompletimin e rinovimit të riparimit dhe përmirësimin e të gjithë kompleksit, si dhe pastrimin e rimëkëmbjen e disa ndërtimeve ekzistues duke krijuar hapësirë shtesë për akomodimin siç duhet të veprimtarive përkatëse.

Mund të përvijohet një program ambicioz, edhe me pjesëmarrjen e qytetarëve, studentëve dhe ekspertëve. Kostoja e projektit për muret historike, ndërtesat aty pranë dhe rrugët dhe infrastrukturën llogaritet në 3 963 000 euro. Për rrjedhojë investimi gjithsej do të arrinte në rreth 7 000 000 ero.

Janë paraqitur burimet potenciale të financimit, të cilat përqendrohen kryesisht në grantet e CEB-it plotësuar me burime të tjera, private dhe publike, ndoshta duke përfshirë edhe ato nga bashkia. Është parashikuar një listë  veprimesh të propozuara me përllogaritjet përkatëse për të udhëhequr veprimtaritë dhe fazat e ardhshme.

ZBULIMI DHE KËRKIMET

Vangjel Toçi (1920-1999) pati sukses në gërmimet e tij që nxorrën një pjesë të Amfiteatrit të Durrësit, një seksion të cave-s perëndimore dhe arenën dhe disa galeri (vitet 1966-1970) [Toçi, V. ‘Amfiteatri i Durrësit’, [revista] Monumentet (1975) 42-46]. Pas këtij zbulimi të madh arkeologjik, janë kryer më pas misione të rregullta nën drejtimin e arkitekte-arkeologes, Lida Miraj (vitet 1983-2000). Në verën e vitit 2000 forcat e KFOR-it, nën drejtimin e arkeologes Lida Miraj, kanë punuar për heqjen e dherave, të hedhura mbi sipërfaqen e arenës në fund të shekullit të njëzetë.

Që nga viti 2001 janë kryer disa gërmime, nën udhëheqjen e arkeologes italiane Sara Santoro dhe të universitetit të Parmës (“Università degli Studi di Parma”); ky universitet ka zhvilluar gjithashtu disa dokumente, seminare dhe programe. Kështu një projekt afatgjatë bashkëpunimi me mbështetje teknike-shkencore ka përfshirë disa gërmime shkencore, por pa rezultate të dukshme dhe efektive. Një ekip arkeologësh i përbërë nga specialistë të Departamentit të Arkeologjisë së Durrësit, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, si dhe profesorë nga Universiteti i Parmës dhe Universiteti “La Sapienza” i Romës, me mbështetjen e Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme dhe Programi UNOPS PASARP i OKB-së, duke përdorur teknologji moderne dhe pajisje në fushën e arkeologjisë, kanë gjetur shumë objekte arkeologjike gjatë gërmimeve të tyre të verës (2004-2008).

Në vitin 2013 Europa Nostra / CEB përzgjodhi në mënyrë specifike projektin si një nga “Shtatë vendndodhjet e trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë” dhe ky raport është pasojë e këtij çmimi, i cili duhet të zhvillohet nga një studim fizibiliteti.

KOSTOJA E INVESTIMIT

Ja fazat e ndryshme të përcaktuara, me preventivin paraprak :

1. – Shembja e ndërtesave që gjenden në amfiteatër

2. – Amfiteatri romak

3. – Muri bizantin

4. – Muri otoman

5. – Infrastruktura urbane

6. – Veprimtari trajnuese dhe seminare

7. – Përmirësimi i mjedisit social dhe urban

Pastaj një fazë e propozuar për katër vjet, me shumat vjetore.

MUNDËSITË E FINANCIMIT

Natyra e këtij projekti duke marrë parasysh dhe situatën në vend, është e tillë që preferohet një grant apo kredi e butë meqenëse mundësitë për të gjeneruar fonde të mjaftueshme për kërkesat e operimit dhe mirëmbajtjes janë relativisht të ulëta. Megjithatë, përfitimet më të gjera nga projekti dhe ndikimi social mbi qytet mund të justifikojë kredi të mbështetura nga Administrata.

Kostoja e investimeve, si pasojë, nevojat e financimit për projektin në total janë më të larta se sa për fazën e parë dhe kështu mund të jetë e nevojshme një strukturë e ndryshme për planin e financimit.

Kostot e operimit dhe mirëmbajtjes: (O & M)

Ndonëse vëmendja imediate do të përqendrohet në koston e investimit, është e rëndësishme gjithashtu të merren në konsideratë që në fillim shpenzimet e operimit dhe mirëmbajtjes, që do të jenë të rëndësishme në perspektivë afatmesme dhe afatgjatë.

Në kostot e O&M do të ndikojnë si përcaktimi i madhësisë së investimit fillestar / origjinal edhe lloji i përdorimit që u duhet bërë objekteve. Projekti final ka një kapacitet real për mbulimin e një pjese të kostove të O & M, por do të ishte e nevojshme dhe rekomandohet të mendohet më tej ose të hartohet Plan Menaxhimi se si të rritet aftësia e gjenerimit i të ardhurave për të pasur qëndrueshmëri ekonomike.

KONKLUZIONE

Ndërhyrja në amfiteatrin romak të Durrësit dhe zonën përreth, që do të kryhet me faza gjatë një periudhe katërvjeçare me një buxhet prej 7 000 000 ero, do të rrisë dhe përmirësojë një “pikë referimi” me rëndësi në historinë e Shqipërisë dhe qytetërimeve mesdhetare. Ky monument, që daton në shekullin II të erës sonë, ndodhet në një kontekst urban të lënë pas dore, por me vlerë të madhe potenciale. Zhvillimi i aktiviteteve arkeologjike dhe restauruese mund të çojë në përdorimin e materialeve të lehta dhe zbulimin e mbetjeve me interes të madh, si hap i parë drejt ruajtjes dhe konsolidimit të amfiteatrit dhe përshtatjes së tij për përdorim dhe vizita kulturore, duke mundësuar larmi veprimtarish kulturore si vendgrumbullimi, ku të takohen dhe të bisedojnë banorët e qytetit dhe vizitorët e mundshëm.

Durrësi është qytet i dytë i Shqipërisë, me rëndësi strategjike si port detar dhe shumë afër kryeqytetit dhe aeroportit të tij, me mbi-shfrytëzim të burimeve të turizmit të “diellit dhe rërës gjë që ka ndikuar në ndërtimin e një numri të tepruar banesash, si në dendësi ashtu dhe në lartësi. Ndërhyrja e propozuar prek një zonë “në formë pyke” me sipërfaqe rreth 36 800 metra katrorë, nga të cilat 8 600 metra katrorë kanë të bëjnë me amfiteatrin, përfshi muret bizantine si dhe një mur otoman me kulla të fortifikuara dhe një grup ndërtesash e rrugësh me potencial të madh.

Kjo "pykë", nëse kushtëzohet dhe rinovohet siç duhet, mund të shndërrohet në atraksion shumë popullor për vizitorët dhe pikënisja për tur në monumentet dhe qendrat kulturore të tjera në qytet dhe rrethinat e tij. Kjo do të mundësojë:

• zhvillimin e qëndrueshëm vendor nëpërmjet menaxhimit strategjik të pasurive të trashëgimisë kulturore, përmirësimin e kapaciteteve turistike dhe kushteve social-ekonomike;

• ngritja e vetëdijes publike (rajonale / kombëtare) dhe arsimor (vendore) të vlerës së ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Larmia e problemeve ekzistuese: social, i zhvendosjes dhe ekonomike (familjet / banorët e shtëpive të vendosura në amfiteatër), nevoja e përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve në fjalë, si dhe metodologjia dhe kriteret që do të zbatohen, si dhe përdorimi i teknikave përkatëse e materialeve të ndërtimit për përmirësimin e tij [amfiteatrit], kërkon përfshirjen e Administratave të ndryshme: në nivel bashkie (këshilli bashkiak), zyrash rajonale dhe dikasteresh (që përgjigjen për kulturën, trashëgiminë historike / arkeologjike, arsimin, rininë, zhvillimin urban, etj.); sektorit privat, duke siguruar financimin e nevojshëm, në formë patronazhi me qëllim që ai të japë buxhetin e nevojshëm në mbulimin e investimit; qytetarëve, si palë e interesuar aktive dhe protagonist i procesit (të rinj, duke i kaluar nëpër trajnime, artizanë, punëtorë dhe personel profesionist -inxhinier), interesi i të cilëve ndaj trashëgimisë së përbashkët do të rritet dhe intensifikohet, duke vendosur një precedent që do të aplikohej për monumente të tjera shqiptare; një ekipi multi-disiplinor të përbërë nga specialistë të fushës, me përvojë të përshtatshme dhe aftësi për të menaxhuar projektin, me mbështetje që është e nevojshme nga një komision këshillimor ndërkombëtar me përvojë në projekte të ngjashme, për të monitoruar ecurinë e punës.

Si pasojë, agjentët e ndryshëm publikë dhe privatë duhet të mblidhen së bashku si partnerë në një projekt të përbashkët menaxhimi me objektiv (a) rivitalizimin e amfiteatrit romak dhe zonës përreth nëpërmjet përpjekjeve për konservim dhe restaurim; dhe (b) menaxhimin dhe përmirësimin e trashëgimisë kulturore të kësaj bashkie dhe kombit në tërësi përmes nismave për zhvillim socio-ekonomik.

* Titulli i origjinalit të plotë  “EUROPA NOSTRA & THE COUNCIL OF EUROPE DEVELOPMENT BANK “SEVEN MOST ENDANGERED HERITAGE SITES” / ROMAN AMPHITHEATER, DURRES. ALBANIA /Technical report funded by a grant from the Council of Europe Development Bank through its Spanish Social Cohesion Account / Author: Mr Pedro Ponce de Leon, architect, international expert /DECEMBER 2013”. Fragmentet e përkthyera nga anlishtja janë të “Dyrrah”-ut. Skicat dhe preventivat janë marrë nga ky raport. “Europa Nostra” është federatë panevropiane e OJQ-ve që popullarizojnë dhe mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.   

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/