·        Përfaqësuesit e shprehjeve të ndryshme të ortodoksisë kanë rënë dakord të takohen në sinod në vitin 2016

DURRËS, 9 mars 2014 –  Intriga në Fanar (sinonim i Patrikanës Ekumenike Ortodokse me seli në Stamboll, si “Vatikani” për Selinë e Shenjtë të Kishës Katolike Romake), si përpjekje për të likuiduar autoqefalinë e Kishave Ortodokse, mes tyre dhe asaj të Shqipërisë?

Sikurse njoftonte më 8 mars 2014 portali “AsiaNews”, në Stamboll, në vitin 2016, në katedralen Shën Irena, do të mbahet Sinodi “i shenjtë dhe i madh” pan-Ortodoks.

Një komisioni përgatitor, i krijuar më 4-5 mars 2014, i përbërë nga një peshkop për çdo kishë, do të fillojë punën përgatitore “në një mënyrë të frytshme” për takimin.

I njëjti grup atëherë do të shërbejë si sekretariat gjatë takimit.

Kjo u vendos nga sinaksis-i (asamble) i të gjithë krerëve të kishave ortodokse, i mbledhur më 6-9 mars 2014 me nismën e Patrikut Ekumenik Bartolemeu I, fakt që nuk është i bërë i ditur nga selia e KOASH-it në Tiranë, që drejtohet nga “Hirësia e Tij Fortlumturia Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë”, shtetasi grek prof. dr. Anastas Janullatos.  

Para këtij takimi pan-ortodoks, i thirrur për të diskutuar mbi gjendjen në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, kreu i Fanarit Bartolemeu I dhe Patriku i Moskës dhe gjithë Rusisë Kirill patën një diskutim të gjatë privat.

Pjesëmarrja e Kirill-it ishte në dyshim deri në minutë të fundit, meqenëse patriarku rus kishte kërkuar “një datë tjetër dhe një tjetër vend” për takimin, por në fund, megjithatë, ai ishte i pranishëm kur u hap sinaksis-i.

Kirilli i Moskës dhe gjithë Rusisë është mik i Anastasit të Durrësit e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Sipas disa të dhënave, në Sinodin e madh të Kishave Ortodokse do të marrin pjesë 20 peshkopë nga secila kishë (nëse çdo kishë ka kaq shumë), çdo kishë do të ketë një votë gjatë votimit përfundimtar, vendimet do të merren me konsensus (d.m.th., me votim njëzëri të Etërve të pranishëm).

Vendimi për thirrjen e një Sinodi pan-Ortodoks më në fund duket se nxjerr në pah një çështje të brendshme që ka zgjatur për të paktën pesë dekada.

Kishat Lindore janë autoqefale, dhe diskutimet e brendshme të botës ortodokse, kanë shkaktuar divergjenca të rëndësishme që kanë penguar mundësinë e një diskutimi të përbashkët.

Ndoshta momenti më kritik ishte kur Moska – në atë kohë e udhëhequr nga Aleksej II – fshiu emrin e patriarkut të Kostandinopojës në liturgji, si reagim ndaj afrimit të Bartolemeut I ndaj Kishës Ortodokse të Estonisë.

Tensioni midis dy patrikanave rrjedh nga një diskutimi teologjik për çështjen e “primus inter pares” (i pari mes të barabartëve), që kishte ndaluar në mënyrë efektive çdo përparim në përgatitjen e një këshilli pan-ortodoks.

Info

Në botën ortodokse historikisht kanë qenë patrikanat autoqefale të Aleksandrisë, Antiokisë dhe Jeruzalemit, ndërsa Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës është quajtur “Kishë Mëmë”, pasi ajo lindi Kishat e Moskës, Bullgarisë, Serbisë, etj.

Aktualisht, dy realitete të bashkëjetojnë brenda botës ortodokse.

I pari, Kostandinopoja, përballë së cilës janë patrikanat e Aleksandrisë, Antiokisë, Jeruzalemit, Sofjes, Beogradit, kishat e gjuhës dhe kulturës greke, si dhe kisha autoqefale e Shqipërisë.

I dyti, patrikana e Moskës, e cila përfshin Gjeorgjinë dhe kishat e Polonisë dhe Republikës Çeke, dhe, çuditërisht, patrikanën e Rumanisë.

Patrikana e Moskës nuk i fsheh ambiciet e saj hegjemoniste, sidomos në mesin e diasporës ortodokse.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/