Nga GEZIM KABASHI
Durrës, 7 mars 2014 – Në këto ditë, kur të gjithë po përgatiten për festën e mësuesit dhe atë të grave, duket sikur shumëkush e ka harruar një ngjarje historike, e cila shenjoi jo pak fundin e diktaturës dhe fillimin e periudhës së tranzicionit.
Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në historinë e shqiptarëve me një fjalë të vetme. Ajo kujtohet si java e eksodit masiv të mijëra bashkëatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika. Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 23 vjet shifrat janë kontradiktore. Mediat italiane shkruajtën në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë.
Një gjë është e sigurtë: përkufizimi “eksod biblik” i shkonte mjaft afër të vërtetës, jo për mijëra e mijëra qytetarët që u larguan, por për nga motivet që i shtynë ata të lënë pas dheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit.
Krahasimi me largimin masiv të shqiptarëve pas pushtimit otoman në fund të shekullit të 15-të nuk ishte shumë i saktë. Njerëzit që iu ngjitën anijeve në marsin e vitit 1991 shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës.
PROJEKTI NË SIRTAR
Në Durrës duket sikur eksodi i vitit 1991 është një gjë e harruar. “Vitet e para drejtuesit vendorë dhe përfaqësuesit e partive politike bënin homazhe dhe hidhnin lule në bregdet-tregon një nga banorët e pallateve pranë hotel Torrës veneciane. Më vonë edhe këto ceremoni u ndërprenë.
Qyteti që për një javë radhazi ishte kthyer në mikpritës të mijëra të rinjve dhe familjarëve nga e gjithë Shqipëria duket se po fshinte nga memoria disa ngjarje të tjera tejet të rëndësishme. Në korrik të vitit 1990 qindra qytetarë që “vranë frikën” dhe kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore ishin përcjellë me autobuzë nga Tirana drejt portit të Durrësit. Më pas me tragete në Itali, Francë e Gjermani. Gjithçka ishte kryer natën dhe të nesërmen durrsakët tregonin për letrat që ishin hedhur nga dritaret për familjarët e refugjatëve të parë në historinë e shtetit komunist. Dukeshin si fragmente filmash të neorealizmit italian.
Durrësi që gjatë gjithë muajit shkurt 1991 përjetoi tentativat e pafund të njerëzve për të hapur dyert e portit, përpjekje që shpesh herë nënshtroheshin vetëm nga zinxhirët e tankeve të diktaturës në rrugë, nuk mund ta harrojë javën e parë të marsit. Pamjet apokaliptike të djemve dhe vajzave që ngjiteshin nga cimat dhe litarët në vaporët e tejmbushur. E po ashtu në gusht 1991, kur shpresat e mijëra shqiptarëve të tjerë që shkuan me anijen “Vlora" u kyçën në stadiumin e Barit.
KOHA E KUJTESES
Ka ardhur koha që qyteti të mbajë një shenjë, që të kujtojë eksodin masiv të marsit 1991. Do të jetë një homazh edhe për ata që u larguan në vitin 1990, njëlloj si ata që u nisën në gusht 1991 me anijen “Vlora”.
Skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha ka përgatitur prej kohësh një vepër, e cila në ekspozitën e tij të fundit mori miratimin e shikuesve, por edhe të arkitektëve dhe urbanistëve.
“Do të jetë një plastikë urbane me përmasa jo të mëdha dhe me një formë elipsoidale”, – tregon Qazim Kërtusha, artisti i njohur i veprave të parkut në qytetin bregdetar. Së bashku me arkitektin Viktor Dhimgjini ata kanë menduar se monumenti me formë moderne, i përgatitur me copa lamierash të montuara me perçina do të ketë në mes elementë që të kujtojnë ditët e marsit 1991.
Gjurmë këpucësh të prera, litarë të varur me nyje që presupozojnë ngjitjen dhe që kanë mbetur bosh, një këmbanë e vogël, që tringëllin sa herë që poshtë kalon një kalimtar. “Duket sikur thotë ‘Unë u ktheva’, njëlloj siç do të jetë shkruar sipër, atje ku do të marrë dritë monumenti”, – shpjegon idenë e tij Kërtusha.
“Do të jetë një simbol kundër diktaturës, por edhe një shpresë e madhe për jetën dhe për rikthimin, kështu siç po ndodh gjithnjë e më tepër”, – vijon më tej skulptori Qazim Kërtusha.
Në shëtitoren bregdetare apo në sheshin e trageteve një vepër që rikujton përpjekjet e shqiptarëve për të gjetur lirinë do të ishte më tepër se një shenjë kujtese. Një monument për eksodin do të ishte një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.
|
Emergjenca 1991 Brenda 30 orësh në portin e Brindizit janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish. 6 mars Motopeshkatorja “Panajot Papa” 141 vetë Anija “Alba” 600 vetë Motopeshkatorja “Ibrahim” 273 vetë Motopeshkatorja “Fadil Dauti” 35 vetë
7 mars Anija “Lirija” 4000 vetë Anija “Kallmi” 1000 vetë Anija “Tirana” 3000 vetë Anija “Apollonia” 300 vetë Anija “Gj. Sokoli” 300 vetë Motopeshkatorja “Zagri” 100 vetë Motopeshkatorja “Kepi i Rodonit” 150 vetë Motopeshkatorja “Mitat Dauti” 100 vetë Motopeshkatorja “26 marsi” 15 vetë “Inxh. Ilia Plasa” 150 vetë Anija “Legend” 5000 vetë Anija “Sazani” 400 vetë Anija “Butrinti” 500 vetë (Të dhënat nga libri-album “Brindizi, il porto della speranza” Mario Ada Editore 2006) |
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





