Nga Gladiola BUSULLA
Në prag të 7 Marsit lind natyrshëm dëshira t’u kushtosh disa rreshta mësimdhënësve, misionarëve të dijes në këtë botë. Personalisht jam rritur nën influencën e një “stafi të tërë pedagogjik”, duke filluar që nga im atë, tetot e mia dhe plot miq e të afërm të tjerë të familjes. Rezultati është vetëm një: mësuesit më kanë ngjallur gjithnjë respekt e konsideratë të lartë.
Ende e kujtoj me nostalgji mësuesen time të parë, zonjën e nderuar Elena Miraj (Plani). Ndoshta duket e pabesueshme, por në zemrën time, ajo zë një vend të veçantë. Edhe sot e kësaj dite, pavarësisht koordinatave gjeografike, në raste ditësh të shënuara shkëmbejmë telefonata ndërkontinentale apo komunikojmë përmes postës elektonike, si dy mikesha të vërteta. Madje, komunikimi i radhës do të jetë në kuadër të Festës së Mësuesit.
Por nuk besoj se jam e vetmja që ruaj një relatë të tillë me mësuesen e parë, sepse vetë cikli fillor është një qasje ndaj mikpritjes, dialogut, njohurive, socializimit dhe motivimit për fëmijët. Në vazhdimësi i referohem mësuesit ose mësueses së parë, pasi ata kanë një impakt jo të zakonshëm tek ne duke luajtur kështu, një rol unikal e mbresëlënës në memorien tonë, në jetën shkollore dhe më tej.
Mësimdhënia është një profesion kompleks që përfshin talentin, aftësinë, krijimtarinë, së bashku me rregullat dhe ligjet që i asociohen pashmangshmërisht. Mbi të gjitha, mësimdhënësi nuk duhet të jetë thjesht një i punësuar që paguhet për të mësuar të tjerët. Ai s’duhet të reshtë së qeni një intelektual i angazhuar dhe ta konsiderojë arsimin një udhëtim shpirtëror, një aventurë progresiste.
Titulli profesor i takon atij, i cili të lejon të jesh vetvetja; atij, i cili të mëson specialitetin e tij dhe çdo gjë tjetër me ndershmëri, shije, dëshirë, guxim, etikë; të nxit aftësinë për të gjykuar, krenarinë, besimin; të zhvillon të menduarit kritik dhe të forcon logjikën. Sa më shumë që nxënësit dhe prindërit të shprehin vlerësim ndaj punës së mësuesve, aq më shumë dinjitet, mirënjohje e respekt do të gëzojnë ata në shoqëri.
Sepse një mësues i vërtetë është dikush që të mëson atë çka nuk gjendet e shkruar në libra.
Fraza e famshme “Gjithmonë shqiptoje me nderim emrin -mësues – se pas atij të atit, është emri më fisnik, më i ëmbël që një njeri mund t’i thotë dikujt tjetër”,(romani Zemra 1886) është trashëgimia më e madhe shpirtërore që na ka lënë shkrimtari italian Edmondo De Amicis.
“Historia magistra vitae est” –historia është mësuesja e jetës, ndaj eksperiencat pozitive që na ka dhënë në të kaluarën (në fushën e arsimit), ndoshta duhet të rishikohen nën dritën e ndryshimeve aktuale shoqërore, me përshtatjet e nevojshme specifike, dhe me bindjen e plotë se fëmijët kanë nevojë për një pikë të fortë referimi. E kush më mirë se mësuesi do të mund ta kryente këtë funksion?!
Ndaj ky artikull simbolizon një buqetë të madhe me lule në shenjë falenderimi, për të gjithë ata mësues që kanë shenjuar pozitivisht të ardhmen e shumë individëve, përmes fjalës së ngrohtë dhe përkushtimit sublim.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





