Angli, 3 mars 2014 – Kupton që ishte shtatzënë vetëm pasi sjell në jetë fëmijën e saj. Kjo i ka ndodhur një punonjëse supermarketi, e cila për 9 muaj kishte rritur në bark fëmijën e saj pa e ditur që ishte me barrë. Lindja ndodhi në një vend aspak të veçantë, në banjën e prindërve të saj. Ardhja në jetë e Olly – James ishte një surprizë për nënën e re 25-vjeçare Gaynor Rzepka. 25 vjeçarja kishte vazhduar të punonte përgjatë gjithë muajve që ishte shtatzënë, madje edhe ditën kur solli në jetë djalin e saj. Madje në muajin e 5 të shtatzënisë, ajo kishte marrë pjesë edhe në një maratonë.
Megjithëse në ditët tona duket e çuditshme të mos kuptosh që je shtatzënë 25- vjeçarja ka treguar se nuk ka pasur asnjë lloj shenje që ta shtynte të mendonte se po priste një fëmijë. “Kisha cikël normal. Shtim në peshë kam pasur vetëm për Krishtlindje, por mendova se kjo erdhi nga ushqimi”- është shprehur Rzepka për Daily Mail.
Ditën kur erdhi në jetë foshnja e saj ajo kishte ndjerë dhimbje të forta gjatë gjithë ditës në punë, por edhe pse menaxheri i marketit i kishte thënë të shkonte në shtëpi 25-vjeçarja kishte qëndruar në punë derisa kishte mbyllur 10 orarëshin e saj.
“Nga ora 1:00 e natës u zgjova me një dhimbje të fortë. Dukej sikur dikush më shkelmonte në bark. Mendova se kisha nevojë të shkoja në banjë dhe sapo shtyva herën e parë bebi doli. Zgjata duart ta kapja që të mos përfundonte në tualet. Nuk mund t’u besoja syve. U ula në dysheme, shpërtheva në lot dhe thirra: O zot i madh qenka një fëmijë”- tregon 25 vjeçarja.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





