Rusi, 3 mars 2014 – Rusia lëshon ultimatum të prerë. Flota ruse e Detit te Zi u ka kërkuar forcave ukrainase në Gadishullin e Krimesë të dorëzohen deri të martën në orën 05:00 sipas orës lokale ose do të përballen me sulmet e forcave ushtarake ruse. Lajmi është bërë i ditur nga burime të Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë që thonë se ultimatumi është dhënë nga komandanti i marinës ruse me bazë në Krime Alexander Vitko. Por ky lajm nuk është konfirmuar nga palët e tjera.
Lëvizja vjen në një kohë kur ushtria ruse vazhdon të forcojë kontrollin e saj në gadishullin e Krimesë. Ndërsa G7-ta dënon lëvizjet ushtarake të Moskës, presidenti rus Putin merr mbështetjen e Pekinit. Kryeministri në detyrë Arseni Jatsenuk nga Kievi deklaron se nuk do të bëhet asnjë lëshim për Krimenë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





