Durrës, 3 mars 2014 – 4 gjimnazistë kanë mbetur të plagosur mëngjesin e sotëm pas një sherri masiv në të cilin janë përfshirë 6 të rinj nga Durrësi. Burime policore bëjnë të ditur se nxënësit e përfshirë në konflikt janë të shkollave të mesme “Benardina Qeraxhia” dhe “Leonik Tomeo”. Mësohet se ngjarja e rëndë është regjistruar janë ambienteve të shkollës “Leonik Tomeo”.
Të plagosurit janë shoqëruar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e parë, ndërkohë që policia ka arrestuar 2 të rinj, Hagi Domi, 15 vjeç dhe Isnado Domi, 18 vjeç, vëllezër me njëri-tjetrin, të dy nga lagja nr.14 e qytetit të Durrësit.
Të plagosurit janë Xh.D., 18 vjeç, nga Sukthi, nxënës në shkollën “Beqir Çela” në Shkozet; Sh.R. 20 vjeç, nga Sukthi; N.M., 19 vjeç, nga Durrësi dhe A.N., 21 vjeç, nga Xhafzotaj. Vetëm i plagosuri Xh.D. është nxënës shkolle, ndërkohë që të tjerët dyshohet se janë shokë të tij.
Dyshohet se grindja masive, në të cilën mbetën të përfshirë shumë të rinj, ka nisur mes 15 vjeçarit Hagi Domi, tashmë të arrestuar nga policia, dhe të plagosurit Xh. D. Mendohet se sherri mes të rinjve ka ndodhur për motive të dobëta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





