Tiranë, 3 mars 2014– Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka deklaruar sot se procesi në ngarkim të tij është fals dhe i montuar nga prokuroria. Deklarata është bërë për mediat në përfundim të seancës gjyqësore në ngarkim të tij. Pas dy dështimesh radhazi, seanca e sotme është zhvilluar dhe në të merrnin pjesë krahas Gjikës dhe shtatë të pandehurit e tjerë të cilët akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”. 

“Në fakt siç e shikoni unë jam prapë në seancë çdo të hënë. Këto nuk ishin vetëm kërkesat e mia, ky një proces i montuar nga prokuroria prandaj unë jam në paqe me moralin tim, sepse e di si ka filluar dhe pse është hetuar në mënyrë skandaloze. Ky proces ka filluar 3-4 muaj pas zgjedhjeve e me sa duket janë nxituar, ka ngritur akuzë prokuroria dhe sot kërkon kohë. Kjo të skandalizon. Ka patur shkelje të afateve të hetimit. Prokuroria nuk ka zbritur nga qielli, por është këtu për të bërë punën”,- deklaroi Gjika. 

Gjatë seancës ka pasur mjaft kërkesa të bëra nga avokatët e të gjithë të pandehurve, të cilët kërkuan pushimin e çështjes, me arsyetimin se Prokuroria e Vlorës ka shkelur procedurat gjatë hetimit. 

Seanca e radhës është caktuar për të hënën e ardhshme, kur do të dëgjohen pretendimet e organit të akuzës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/