SHBA, 3 mars 2014– Filmi "12 vite skllav” i regjisorit Steve McQueen, fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë, ndërsa filmi "Graviteti” triumfoi duke marrë numrin më të madh të çmimeve të edicionit të 86 të Academy Awards.
Filmi `Gravity` i Alfonso Cuarón mori 7 çmime, përfshirë çmimin e regjisë. Filmi “Gravity” është një film fantastico-shkencor, me protagonistë aktorët Sandra Bullock dhe George Clooney.
Çmimi Oscar si aktorja më e mirë jo protagoniste i shkoi aktores Lupita Nyong'o, ndërsa çmimi i aktores më të mirë i shkoi aktores Cate Blanchet, e cila interpretonte në filmin e Woody Allen, “Blue Jasmine”.
Morën çmimin Oscar edhe aktorët e filmit “Dallas Buyers Club”, Matthew McConaughey si aktori më i mirë protagonist dhe Jared Leto si aktori më i mirë jo protagonist.
Ndërsa çmimi Oscar për filmin më të mirë të huaj, shkoi në Itali për filmin “La grande Bellezza” (Bukuria e madhe), i Paolo Sorrentino-s.
Ky film, i realizuar në vitin 2013-të, bëri që Italia të marrë pas 15 vitesh një çmim të tillë. `La Grande Bellezza` ka marrë pjesë edhe në Festivalin e Kanës, po në 2013-tën dhe gjithashtu ka fituar edhe çmimin Bafta më 16 shkurt të këtij vitit, si filmi më i mirë në gjuhë të huaj.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oskar, i cili është evenimenti më i rëndësishëm dhe më i famshëm i kinemasë amerikane dhe ndërkombëtare, u zhvillua mbrëmë në Los Angeles, në teatrin “Dolby” në Hollivud të SHBA-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





